Mbaron mandati i Putos, Kushtetuesja me një anëtar më pak
Gjykata Kushtetuese ka shpallur dje mbarimin e mandatit të anëtarit të saj, Kujtim Puto. Gjyqtari Puto është zgjedhur në pranverën e vitit 1998 si gjyqtar i institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit. Po në prill mbarojnë mandatet e Fehmi Abdiut dhe Sokol Sadushit. Të tre këta gjyqtarë janë zgjedhur me një mandat 12-vjeçar, pasi në fillim ligji shqiptar parashikonte një kohë të gjatë për pjesëtarin e Kushtetueses. Por me miratimin e Kushtetutës, mandati u shkurtua në 9 vjet. Gjithashtu po brenda këtij viti i mbaron mandati edhe i Xhezair Zaganjorit, Petrit Plloçit e Admir Thanzës. Kuvendit i duhet të votojë gjashtë herë me votim të fshehtë për të zgjedhur gjyqtarët e rinj të Kushtetueses. Presidenti i Republikës ka nisur tashmë një proces konsultimi për të përzgjedhur kandidaturat më të spikatura si për Gjykatën Kushtetuese, por dhe për Gjykatën e Lartë. Dy anëtarët e Gjykatës së Lartë, përkatësisht Irma Bala dhe Evgjeni Sinoimeri janë zgjedhur në vitin 2001 dhe sipas Kushtetutës, në këtë vit atyre u mbaron mandati, ndaj duhet të zgjidhen anëtarët e rinj.