Turdiu: Vizat, procesi, drejt përmbylljes
Shqipëria është drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave. Kështu pohoi dje, kryenegociatori i palës shqiptare për liberalizimin e vizave dhe sekretar i përgjithshëm i MPJ, Gazmend Turdiu. Komentet e tij u bënë gjatë konferencën me titull "Liberalizimi i vizave: Çfarë nënkupton në të vërtetë?" të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA).
Turdiu theksoi se pjesë e këtij procesi është edhe angazhimi për të informuar të gjithë qytetarët shqiptarë rreth të drejtave dhe detyrimeve që ata kanë në kuadër të këtij procesi. Ai sqaroi se kjo fushatë do të jetë e mirorganizuar dhe e koordinuar nga qeveria shqiptare duke synuar shpërndarjen e informacionit tek çdo qytetar shqiptar, deri në zonat më të largëta të vendit. Duke mirëpritur dhe uruar që të gjithë shqiptarët të shijojnë sa më shpejt frytet e regjimit pa viza me BE, njëkohësisht u bëj thirrje për të treguar maturi dhe respekt ndaj të drejtave dhe detyrimeve që sjell liberalizimi i vizave, - tha ai. Në këtë konferencë u ofruan edhe pikëpamjet dhe mendimet e aktorëve të tjerë të interesuar dhe të përfshirë në këtë proces, duke rënë dakord se ai është drejt fundit dhe se bashkëpunimi ndërmjet strukturave qeveritare dhe shoqërisë civile do të vazhdojë deri në fund të procesit.