E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harxhi-Mantica: Italia, mbështetësi kryesor për lëvizjen e lirë

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, në kuadër të një vizite zyrtare në Romë, u prit dje nga nënsekretari i Punëve të Jashtme i Republikës Italiane, senatori Alfredo Mantica. Gjatë takimit mes tyre është diskutuar për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona si dhe vizitën e ministrit të Jashtëm italian, Franco Frattini në Tiranë, më 12 prill 2010. Vizat ishin një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar. Kjo është një çështje me një rëndësi tepër të veçantë për qytetarët shqiptarë, - u shpreh Harxhi, duke theksuar se Shqipëria i ka përmbushur, tashmë, standardet teknike për finalizimin e këtij procesi. Ajo mori konfirmimin e Mantica-s se Italia ka mbështetur dhe vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i Shqipërisë në këtë proces, i cili pritet të përmbyllet së shpejti si dhe rikonfirmoi qëndrimin e Italisë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Harxhi siguroi homologun italian në lidhje me mbështetjen e Shqipërisë për rilançimin e nismës adriatiko-joniane dhe krijimin e një makro-strategjie evropiane për rajonin e Adriatikut të Jonit. Rivitalizimi i kësaj nisme, me rastin e 10-vjeçarit të saj, me një strategji konkrete të bashkëpunimit mes 8 vendeve anëtare, tre prej të cilëve janë anëtare të BE-së, do të lehtësojë procesin e integrimit të vendeve të tjera joanëtare - u theksua në takim. Në vijim u fol për përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të Punëve të Jashtme, në zbatim të dokumentit të partneritetit strategjik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›