Alibeaj: PS të japë konsensusin për heqjen e imunitetit – i hapet rrugë luftës kundër korrupsionit

Ligji për kufizimin e imunitetit - mazhoranca fton opozitën
Mazhoranca e ardhur në pushtet në vitin 2005, dhe e konfirmuar në qeverisjen e vendit dhe në 2009-ën, ka pasur kryefjalë të reformave anti korrupsion kufizimin e imunitetit, ndërsa opozita në mënyrë paradoksale ka kundërshtuar me radhë të gjitha nismat, deri sa demokratët, në një përpjekje për të përmbushur në një farë mënyre një prej 12 prioriteteve të Komisionit Europian, hoqën imunitetin me anë të një aneksi në rregulloren e Kuvendit dhe deklarimit individual të gjithë secilit se dorëzojnë imunitetin për veprën penale të korrupsionit. Tashmë me rikthimin e opozitës në Parlament pret një kurs të ri, mazhoranca i drejton ftesën e radhës për votimin e ligjit për kufizimin e imunitetit, sipas sugjerimeve të Komisionit të Venecias.
Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj deklaron se Partia Socialiste duhet të tregojë sjellje konstruktive në Kuvend, për të dhënë konsensusin e duhur në miratimin e ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Ligji për imunitetin nuk është i vetmi që kërkon një shumicë të cilësuar. Është një draft i tërë nismash ligjore që kërkojnë 3/5 e deputetëve të Kuvendit.
Deputeti demokrat Alibeaj shprehet skeptik nëse opozita vërtetë do luajë një rol konstruktiv në sallën e kuvendit. E gjitha është ajo që mazhoranca shpreson, por besimplotë nuk është, sepse hapësira të bollshme për mosbesim lanë vetë socialistet me rikthimin e tyre në Kuvend, një rikthim jo i dëshiruar nga Rama, mendon Alibeaj, por i detyruar. Kjo se për më se dy vite lideri socialist dështoi në strategjinë tij jashtë-institucionale për të fituar simpatinë, votat e qytetarëve.
Alibeaj thotë se koha e mbetur nga progres raporti i radhës i Komisionit Europian, mund të jetë shansi i opozitës për të kapur kohën e humbur.
Ish-ministri Drejtësisë vëren se jo gjithçka mund të konsiderohet e djegur në sytë e ndërkombëtarëve, ndonëse ka mbetur vetëm një muaj kohë për opinionin e statusit të vendit kandidat. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, flet edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke deklaruar se sistemi zgjedhor proporcional kombëtar do t’i japë drejtësinë e munguar partive të vogla, të lëna me ligj jashtë parlamentit 3 vite më parë. Ai e sheh si një zgjidhje optimale reformimin e kodit zgjedhor, e konkretisht ndryshimin e sistemit me bekimin e deklaruar të të dy partive kryesore.