Zgjedhjet e vitit 2013, PD dhe mazhoranca kanë nisur përgatitjet në funksion të fitores
Kryeministri Sali Berisha i ftuar në studion e “Opinion” komenton sezonin e ri politik dhe sfidat e integrimit evropian
Kryeministri Sali Berisha vlerëson ekipin drejtues në bashkinë e Tiranës, ndërsa shprehet optimist se për Kryeqytetin ka nisur një kapitull i ri dhe se me Lulzim Bashën, Tirana ka fatin e madh të shndërrohet në metropol Evropian. Kryefjalë e intervistës së kryeministrit ishte bashkëpunimi me opozitën në Kuvend në funksion të integrimit Evropian, ndërsa kujtoi se ndryshimet kushtetuese s’janë pjesë e axhendës politike. Kreu i qeverisë shprehu besimin se formacioni qeverisës është optimalisht funksional, duke hedhur poshtë kështu aludimet në media, për ndryshime qeveritare. Kryeministri tha se pas zgjedhjes së kryesisë dy muaj më parë, Partia Demokratike do zgjedhë shumë shpejt edhe sekretariatin, duke kompletuar kështu formacionin politik, për t’i paraprirë fitores së zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. Berisha hodhi poshtë edhe spekulimet mediatike, për rritjen e moshës së pensionit.
Kreu i qeverisë Sali Berisha fton opozitën të jetë bashkëpunuese në Kuvend për miratimin e reformave dhe plotësimin e standardeve të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar. Gjatë intervistës në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, në televizionin KLAN, kryeministri shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të dëgjuar çdo propozim të opozitës, për reformën zgjedhore, por kurrsesi kjo s’do shërbejë si koncesion për amendimin e kushtetutës, e kërkuar kjo nga Partia Socialiste, edhe pse ende jo zyrtarisht. Kryeministri komentoi debatin e lakuar fort në media, atë të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Berisha tha se nuk është koha për të diskutuar për këtë çështje, pasi një debat i tillë nuk i shërben institucionit të Presidencës.
“Ne jemi të përgatitur për ta respektuar plotësisht opozitën. E mirëpresim atë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Do të vendosim marrëdhëniet më të mira për të bashkëpunuar për reforma të rëndësishme dhe mendoj se interesi më i mirë i opozitës është parlamenti. Opozita nuk mund të bëjë tregti me parimet integruese të vendit. Ne ishin 8 vjet në opozitë dhe nuk na ka shkuar kurrë vota kundër aspiratave të integrimit. I pari është interesi kombëtar. Së dyti, në programin e Partisë Demokratike dhe forcave të mazhorancës, shtyllë kryesore është integrimi Evropian. Nëse vota bëhet çështje pazari, kjo do të ishte kultura më e ulët. Balancimi i pushteteve bëhet nga kushtetuta. E rëndësishme është që të zbatohet Kushtetuta. Zoti Rama bëri një tërheqje të arsyeshme. Heqja e mekanizmit, e procedurës ekzistuese të zgjedhjes së presidentit me 3/5, përbën një arritje madhore në kushtetueshmërinë e këtij vendi. Pse? Sepse ai nen e çonte vendin 3 herë në zgjedhje dhe në raundin e fundit ai zgjidhej ne 70+1, ai ishte një absurditet i madh. Ai nen u mor nga kushtetuta e Greqisë, i hartuar pasi vendi grek kishte përjetuar luftën civile dhe diktaturën e kolonelit. Qeveria aktuale ishte në opozitë dhe i kërkoi kryeministrit Karamanlis mendimin e një neni të tillë. Por cili ishe qëllimi? Qëllimi ishte marrja e pushtetit. Vendi shkoi në zgjedhje. Rastisi që PASOK fitoi aq vota sa të zgjidhte presidentin. Të jemi të bindur se nuk ka deputetet dhe politikan shqiptar që të pranojë rikthimin e krizave parlamentare. Presidenti ka një mekanizëm të shkëlqyer zgjedhjeje siç e ka kushtetuta italiane apo dhe ajo gjermane. Ne do të adaptojmë shembullin e demokracive të konsoliduara, të vendeve perëndimore. Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke iu referuar hartimit të reformës së re zgjedhore, kërkesës më të rëndësishme të ndërkombëtarëve, Berisha tha se mazhoranca është e hapur të lexojë me vëmendje propozimet e opozitës.
“Mazhoranca është plotësisht e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për reformën zgjedhore. Janë 27 rekomandime të ndërkombëtarëve dhe nëse opozita ka kërkesa shtesë, mazhoranca mbetet e hapur të diskutojë me opozitën. Kodi ekzistues është zgjedhur nga vetë opozita 3 vjet më parë. Por, zgjedhjet nuk fitohen nga sistemi elektoral, zgjedhjet fitohen nga vota e qytetarëve. Megjithatë, ne do të ndjekim me vëmendje propozimet e opozitës”, tha Berisha.
Parlamentaret e 2013-ës, PD dhe mazhoranca
kanë nisur përgatitjet në funksion të fitores
Kryeministri Sali Berisha tha se PD dhe mazhoranca kanë nisur përgatitjet në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat mbahen në pranverë të 2013-ës. Sipas kryeministrit, gara e ardhshme parlamentare, do jetë plotësisht transparente, kompetitive dhe me standarde ndërkombëtare.
Kryeministri i mëshoi dhe njëherë faktit se, PD mbetet forcë e koalicionit të gjerë.
“Partia Demokratike është forcë e koalicionit të gjerë. Në zgjedhjet e fundit Partia Socialiste i dha aleatëve vetëm 9 komuna. Ndërsa PD ndau me aleatët e vet 90 bashki dhe komuna të vendit, dhe ndër to bashki edhe të mëdha si ajo e Elbasanit. PD i dha aleatëve 900 mijë zgjedhës. Dhe kjo bëri që PD dhe aleatët e saj morën aq vota. Dhe përsëri në 2013-ën kjo do të jetë. Madje, edhe në 2017-ën”, u shpreh kryeministri.
Ndryshimet Qeveritare
A mund të ndryshohet një qeveri se pse shkruajnë mediat? Si mund të ketë ndryshime qeveria, kur ky formacion arriti fitoren më të thellë në zgjedhje? Në këto zgjedhje ne patëm rezultatin më të thellë, plot 140 mijë vota se koalicioni kundërshtar. Absolutisht jo!
Zgjedhja e sekretariatit në PD
Ne i kemi shpjeguar arsyet se pse zgjedhja e sekretariatit u shty. Shumë shpejt PD do të kompletojë formacionin dhe me këtë nis beteja për zgjedhjet e vitit 2013-ë.
Për Presidentin Topi
“Pesidenti Topi ka qenë nën kryetar i PD-së për disa vjet. Me cilën anë është sot? Me atë anë që ka dashur... Ndoshta do të kishte dashur të ishte nën kryetar i PS-së. Të paktën me ato që ka bërë”.
Pastrimi i territorit, veprime të fuqishme ligjore
Ky problem do të na shndërrohet në një problem të madh. Këtë vit përfundon impianti i ujërave të zeza të Durrësi, po kështu i Vlorës dhe disa qyteteve të tjera bregdetare. Janë 14 impiante. Investimet e qeverisë në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, janë shumë të mëdha. Por, qeveritarët vendorë nuk bëjnë detyrën e tyre. Dhe unë them që tani, ne duhet të krijojmë një opinion të përgjithshëm për një mjedis të pastër, duke ndërgjegjësuar komunitetin, nxënësit e shkolla. Por, do të bëjmë edhe më shumë. Krerët e njësive vendore do të ndëshkohen në rastet e mos pastrimit të territorit që kanë nën kontroll. Plehrat nuk do ekzistojnë më në rrugët e qyteteve.
Kryeministri Sali Berisha vlerëson ekipin drejtues në bashkinë e Tiranës, ndërsa shprehet optimist se për Kryeqytetin ka nisur një kapitull i ri
“Me Lulzim Bashën, Tirana ka fatin e madh
të shndërrohet në metropol Evropian”
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha deklaron se Tirana do pësojë ndryshime rrënjësore nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe ekipit të tij profesionist. Kryeministri e cilësoi këtë si kapitull të ri për kryeqytetin, ndërsa u shpreh optimist se në bashkinë më të madhe të vendit do t’i jepet fund klientelizmit 11 vjeçar, për t’i hapur rrugë kthimit të bashkisë në shërbim të qytetarëve.
“Frymë e re. E ndjek me vlerësim. Faktikisht në një kohë të shkurtër ai ia ka dalë të krijojë një krenari dhe frymë të re pune në bashkinë e Tiranës. Në bashkinë e Tiranës po zbatohet një kapitull i ri, së pari në zbatimin e ligjit. Z.Rama e la bashkinë e Tiranës pa ligj, siç edhe dihet. Konstatoj me kënaqësi se ekipi i ri në bashkinë e Tiranës po lëviz me shpejtësi për të kapur kohën e humbur. Sot (dje), pati një diskutim shumë konstruktiv për planin e ri rregullues. Ai që ishte në atë detyrë, ishte i klientelës. Sot po punohet për të hapur garën për bulevardin e ri të Tiranës, për disa ndryshime rrënjësore. Tirana ka fatin e madh të shndërrohet në një ndër metropolet më moderne Evropiane. Në mbledhjen e Qeverisë kam deklaruar se kryetari i bashkisë po tregon një kujdes shumë të madh në nxitjen e biznesit. Në njoftimin e bashkisë thuhet se janë regjistruar qindra biznese të paregjistruara më parë. Po ashtu janë rritur të ardhurat në bashki, nga vjelja e taksave. Një biznes i regjistruar dëmtohet nga një biznes tjetër i paregjistruar. Unë kam besim të madh se ky ekip do japë një ndihmëse të madhe jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë: Tirana e orientuar drejt biznesit! Kjo do të thotë rritje e investimeve, rritje e punësimit dhe e të ardhurave. Nuk ka mundësi dhe potencial më të madh se krijimi i klimës së favorshme për biznesin në Tiranë. Ky ekip që ka marrë bashkinë e Tiranës, është thellësisht i orientuar drejt ndërtimit të Kryeqytetit dhe kthimit të tij në një metropol të denjë Evropian”, u shpreh Berisha.
Kryeministri premtoi se qeveria do mbështesë çdo projekt të bashkisë së Tiranës, në të mirë të qytetarëve të Tiranës. Berisha tha se Edi Rama e shihte bashkëpunimin me qeverinë qendrore si kërcënim për karrigen e kryetarit të bashkisë.
“Qeveria do ta mbështesë fuqishëm, do të bëjë gjithçka që projektet e premtuara nga Basha si Unaza e Madhe, Bulevardi dhe Lumi i Tiranës. Tirana është zemra e vendit, është krenaria e shqiptarëve. Fatkeqësisht humbi kohë, mbeti pa arkitekturën e re evropiane, pa zhvillimet e reja të një metropoli evropian. Sigurisht, një pjesë të projekteve mund të përballohen nga bashkia, me kushtin që ajo financat e veta t’i bëjë transparente, atëherë ajo mund të marrë kredi në të gjitha institucionet ndërkombëtare publike dhe private, pa nevojën e garancisë së qeverisë. Asnjë lidhje nuk ka me borxhin e qeverisë qendrore, borxhi i marrë nga qeveria vendore”, tha kryeministri.