SHBA është dhe mbetet partner dhe aleat i ngushtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve
Publikimet e Wikileaks, Berisha: S’përbëjnë interes, është panair i “plaçkave” të vjedhura
Kryeministri Berisha tha se dokumentet e publikuara nga Wikileaks nuk kanë sjellë asgjë të re në lidhje me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Berisha u shpreh se qëndrimi i SHBA-ve ka qenë i qartë në lidhje me politikën e Shqipërisë dhe se publikimi i dokumenteve nuk përbën interes.
“Unë s’kisha interes për to. Për ata që dinë alfën e politikës, di që Qeveria e SHBA, çdo qëndrim e shpreh me deklarata, nota dhe mesazhe. Dhe qeveria e SHBA, si qeveria e më e madhe në botë, nuk ka asnjë lloj kompleksi të shpreh në mënyrë të kristaltë qëndrimin e saj. Qeveria e SHBA ka shprehur në mënyrë më të artë qëndrimin ndaj shqiptarëve, ishte kjo qeveri që u bë promotori i anëtarësimit në NATO”.
Berisha ka theksuar se qëndrimi i ish-ambasadorit Withers ka qenë personal.
“Ai mendoi se ne e paditëm në Kongresin e SHBA për hetimin e armëve”, tha Berisha për Withers.
Ai tha se këto dokumente nuk mund të bëhen pjesë e debateve serioze, duke i cilësuar si thashetheme, apo si panair i “plaçkave” të vjedhura.