E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 10 vjet bllokimi, plan rregullues për Tiranën brenda 10 muajsh

09-09-2011 / Gazeta 55

Nisin konsultimet e kryebashkiakut të Tiranës me grupin e punës, për hartimin e Planit të ri Urbanistik të kryeqytetit. Bllokimi 10 vjeçar, që kishte sjellë nomenklaturën e karteleve, do marrë fund me miratimin - me konsesusin më të gjerë - të Planit Urbanistik, i cili do nxjerrë nga kolapsi industrinë e ndërtimit, duke i dhënë shtysë edhe hapjes së vendeve të reja të punës

Tirana do të ketë së shpejti një plan të ri rregullues, i hartuar nga bashkia e Tiranës në bashkëpunim me botën akademike, shoqërinë civile dhe vetë opinionet dhe sugjerimet e qytetarëve të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nisi dje punën për hartimin e Planit të ri Urbanistik për kryeqytetin.
Në takimin e parë këshillimor, ishin të pranishëm përfaqësues të njohur të botës universitare në fushën e inxhinierisë dhe arkitekturës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe emra të njohur të artit dhe kulturës. Ndryshe nga modelet shpesh herë jo të suksesshme të zgjedhura më parë, këtë herë bashkia e Tiranës ka vendosur që Planin e ri Rregullues të Kryeqytetit ta hartojë në bashkëpunim me botën akademike. Kryebashkiaku Basha tha se ky proces transparent do të largojë frymën klienteliste që ka sunduar dhe ka trysnuar deri tani procesin e planifikimit urban në kryeqytet. “Synimi kryesor i kësaj qasjeje është që duke ndërtuar ekipe me një pjesëmarrje sa më të gjerë ne ta nxjerrim procesin e planifikimit urban nga rrjeta klienteliste që i ka zënë frymën zhvillimi territorial Bashkisë Tiranë dhe ka bllokuar sektorin e ndërtimit për vite me radhë. Procesi i hartimit të planit duhet të jetë i hapur ndaj opinioneve, sugjerimeve, pse jo, edhe kritikave. Dhe kjo gjë mund të arrihet vetëm nëse ne sigurojmë transparencën e duhur të procesit. Vetëm një proces transparent do të largojë frymën klienteliste që ka sunduar dhe ka trysnuar deri tani procesin e planifikimit urban në kryeqytet”, u shpreh kryetari i bashkisë Lulzim Basha.
Sipas kryebashkiakut, plani i ri urban i Tiranës është një domosdoshmëri për zhvillimin territorial të qytetit dhe më gjerë. Ai vuri në dukje se Tirana ka përjetuar rritje dramatike demografike dhe zhvillimi kaotik urban i saj sidomos në 10 vitet e fundit ka sjellë efekte tejet negative në mjedis, infrastrukturë, trafik, pse jo dhe në një frenim të rritjes ekonomike të qytetit. “Sot jemi dëshmitarë të një konflikti artificial mes qytetit dhe qytetarëve, dhe pothuajse çdo ditë qytetarët bien në grackat që ka qyteti. Mungesa 10 vjeçare e një plani urban ka hequr dhe mundësinë e vetme për të udhëhequr sadopak zhvillimin territorial. Në synojmë që ai plan i munguar në 10 vitet e fundit të realizohet në jo më shumë se 10 muaj. Pra synojmë që gjatë Majit të vitit që vjen ne të kemi një produkt të gatshëm për zhvillimin urban të qytetit. Synimi kryesor i këtij plani është rikthimi i një balance midis interesit privat dhe interesit publik, duke u përpjekur që të rifitojmë përmes formulave të ekonomisë së tregut hapësirat publike, shërbimet cilësore publike dhe vetë interesin e publikut të gjerë të kryeqytetit”, tha Basha.
Ai solli në vëmendje se refreni i fushatës së tij elektorale ka qenë vëmendja ndaj zërit të qytetarëve dhe për këtë Basha u zotua se do ta respektojë me përpikëri, duke vjelë mendimet e qytetarëve, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.
“Gjatë fushatës elektorale refreni i fushatës sonë ka qenë vëmendja ndaj zërit të qytetarëve. Madje ne sollëm dhe instrumente si Town Hall-et dhe morëm pjesë aktivisht kur u ftuam në forume si Iniciativa e Tiranës, pikërisht për të dëgjuar zërin qytetar. Jam këtu sot për të dhënë provat e duhura se këto instrumente të pjesëmarrjes qytetare ne do t’i kthejmë në instrumente pune dhe jo të ngelin thjesht në kuadër të një fushate elektorale. Kam vullnetin e nevojshëm për të vazhduar të dëgjoj me kujdes zërin e qytetarëve në çdo hap të zhvillimit të qytetit tonë. Edhe vetë ky takim, dhe vetë ky Grup Pune është provë e qartë e seriozitetit me të cilin ne marrim nevojën për të dëgjuar zërin qytetar”, theksoi kryebashkiaku Basha.
Ai shprehu bindjen se plani i ri urban do të gjenerojë një konsensus sa më të gjerë në opinionin publik, madje plani do të ndërtohet në një frymë bashkëpunimi dhe koordinimi edhe me komunat dhe bashkitë rreth Tiranës. “Pse jo, nesër përmes këtij plani të arrijmë në administrimin e përbashkët të disa çështjeve që kërkojnë bashkëpunim me komunat dhe bashkitë përreth. Një gjë e tillë mund të sigurohet vetëm në bazë të një procesi serioz konsultimi publik. Në këtë frymë ky Grup Strategjik që po ndërtojmë sot është një instrument real për artikulimin e çështjeve me rëndësi për shoqërinë e kryeqytetit. Ne kemi promovuar debat serioz dhe profesional mbi tema si; transporti publik, trafiku, mjedisi, strehimi, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës. Synojmë që këtë debat ta mbajmë, me po aq seriozitet, aktiv, në mënyrë që të prodhojmë bashkërisht opsionet për zhvillim dhe adresim të këtyre çështjeve. Ne kemi promovuar debat mbi çështje dhe sfida të zhvillimit lokal, jemi përpjekur që të dëgjojmë me kujdes shqetësimet rrugë më rruge, lagje më lagje pranë çdo komuniteti dhe synojmë që ta mbajmë dhe ta zhvillojmë këtë kontakt duke ofruar një platformë konkrete bashkëpunimi në procesin e planifikimit urban. Ne kemi dëgjuar me shumë kujdes shqetësimet e kontributorëve kryesorë të ekonomisë së qytetit, biznesit, investitorëve, motorit të zhvillimit ekonomik të kryeqytetit dhe kontributorit kryesor në hapjen e vendeve të punës. Synojmë që të ndërtojmë një partneritet me sektorin dhe të shembim modelin e ‘pengmarrjes’ së biznesit. Ne e konsiderojmë sektorin e biznesit si motorin kryesor ekonomik por do të mbrojmë njëkohësisht interesin publik duke krijuar klimën e nevojshme për të rritur cilësinë e jetës dhe punës në kryeqytet. Tirana është një qytet kompleks. Ne kemi qenë pranë grupeve të ndryshme shoqërore dhe synojmë që ta kthejmë në aset për zhvillimin e kryeqytetit, sinergjinë midis qytetarisë autoktone me energjinë e urbanizimit, grupeve në nevoje me përgjegjësinë sociale të zhvillimit ekonomik, urtësinë e moshës së tretë me energjinë dhe dinamikën e universitarëve”, tha Basha.
Të pranishmit vlerësuan faktin se ishin thirrur për të dhënë mendimin dhe ekspertizën e tyre dhe u shprehën të gatshëm për të kontribuar për planin e ri urbanistik.
Përfaqësuesit e universiteteve dhe të shoqërisë civile u shprehën për nevojën e madhe që ka Tirana për të pasur një Plan Urbanistik. Ky grup konsultativ do të mblidhet në mënyrë periodike për të diskutuar dhe debatuar rreth planit urbanistik që synohet të hartohet Brenda majit të vitit të ardhshëm.

Dimensionet e Planit të ri Urbanistik të Tiranës

Dimensioni strategjik
Do të parashtrojë për diskutim opsionet strategjike të zhvillimit të qytetit. Këto opsione do të diskutohen gjerësisht me opinionin publik të kryeqytetit. Investimet strategjike, zhvillimi ekonomik dhe diversiteti i modelit ekonomik te Tiranës, buxhetimi publik, etj, do të jenë tema reale për të debatuar me opinionin publik në mënyrë që zgjedhjet e bëra të gjenerojnë një konsensus të shoqërisë së kryeqytetit.

Dimensioni fizik rregullator
Plani rregullues do të jetë guri i themelit për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit. Vlerësimi i drejtë i pronave, zhvillimi i moderuar urban, sigurimi i hapësirave të nevojshme publike dhe ndërtimi i lagjeve me një cilësi të konsiderueshme jetese do të mishërohen në opsionet e hedhura në tryeze nga Plani Rregullues. Ky plan do të jetë një instrument i drejtë për investitorët dhe ndërtuesit për të zhvilluar qytetin dhe jo më një instrument spekulimi me këtë industri.

Dimensioni infrastrukturor
Zhvillimi urban i Tiranës nuk do të kishte kuptim pa investimet e duhura në infrastrukturë dhe pa planifikimin e duhur infrastrukturor. Ka ardhur koha që Tirana të jetë ambicioze edhe  në investimet infrastrukturore. Infrastruktura si unaza e madhe apo tramvaji do të mishërojnë edhe në planin e infrastrukturave risitë dhe ambiciet bashkëkohorë të qytetit tonë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›