E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi, letër Topit: “Kushtet e PD-së për anëtarët e Gjykatës së Lartë”

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së i përgjigjet letrës së Presidentit të Republikës. “Kandidatët duhet të deklarojnë pasurinë dhe të mos kenë background politik”

Eljona Ballhysa

Partia Demokratike ka dërguar dje në Presidencë listën me kriteret që duhet të përmbushin anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i është përgjigjur letrës së një dite më parë të presidentit Bamir Topi me një tjetër letër. Një rrugë e tillë komunikimi midis presidentit dhe partive politike tregon qartë se kreu i shtetit po kërkon të shmangë në maksimum ndikimin e tyre në përcaktimin e emrave. Topi po kërkon që të ruajë dhe një nga kompetencat e tij për të cilën po bëhet përpjekje nga maxhoranca për t’ia “rrëmbyer”, dhe që është pikërisht ekskluziviteti në propozimin e emrave për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Letra
Në letrën e tij drejtuar Presidentit të Republikës, kreu i deputetëve të PD-së, Patozi, ka përcaktuar si kritere depolitizimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Sipas Patozit, kandidatët për anëtarë të Gjykatës së lartë nuk duhet të ketë qenë më parë pjesë e proceseve politike në vend. Po kështu Patozi ka kërkuar që kandidatët të mos kenë favorizuar elementë kriminalë gjatë ushtrimit të profesionit të tyre si gjyqtarë. Kreu i deputetëve të PD-së ka përcaktuar në letrën drejtuar Topit, se kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të bëjnë transparente pasuritë e tyre duke plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë. Demokratët, nëpërmjet letrës së Patozit, kërkojnë gjithashtu që kandidatët të mos kenë dhënë gjatë gjithë karrierës së tyre vendime në konflikt interesi. “Ne besojmë, - vijon më tej letra, - se respektimi i këtyre kritereve do të justifikojë besimin e institucioneve që përzgjedhin dhe miratojnë për meritën e secilit nga kandidatët”. Burime nga Presidenca kanë bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të mblidhet grupi i punës i ekspertëve ligjorë, i ngritur nga Presidenti i Republikës. Ky grup pune do të marrë në shqyrtim letrën me kriteret e kërkuara nga PD-ja për përzgjedhjen e kandidatëve, e cila do të shkrihet në një tjetër listë me kritere që do të vendosin dhe ekspertët e grupit të punës. Më tej ky grup pune do të marrë në shqyrtim dhe dokumentacionin që kanë paraqitur 105 kandidatët, të cilët kanë aplikuar për vendet vakante në Gjykatën e Lartë.
Kërkesa
Vetëm një ditë më parë, kreu i shtetit, Bamir Topi, u dërgoi një letër partive politike, të cilave u kërkonte që të paraqesin deri ditën e hënë, më 30 qershor 2008, pranë grupit të punës, për asistencë ligjore, mendime dhe sugjerime rreth standardeve dhe kritereve që mund të konsiderohen në përzgjedhjen e kandidaturave të anëtarëve të Gjykatës Lartë.
Pritet që deri në datën 30 qershor pranë institucionit të Presidencës të paraqiten dhe letrat e partive të tjera politike me kriteret për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të 16 qershorit, rrëzoi me shumicë votash dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e pesë anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që ky organ i Gjyqësorit aktualisht figuron me shtatë vende vakante, përfshi këtu dhe postin e kryetarit.

Kriteret e PD-së:

Të mos ketë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike.
Të mos kenë favorizuar apo ndihmuar gjatë hetimit dhe gjykimit individë ose anëtarë të organizatave kriminale.
Të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikt interesi.
Të kenë bërë transparencë dhe ta kenë të justifikuar pasurinë e tyre.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›