Topi: Shoferë, kujdes në rrugë
Mos mendoni vetëm ditën e tragjedive të mëdha, shteti ka strukturat e veta, por çdo qytetar duhet të sillet në mënyrë shumë të qytetëruar. Të mendojnë për vete e fëmijët. Apeli i qartë ndaj të gjithë drejtuesve të automjeteve erdhi dje nga Presidenti Topi, vetëm pak minuta pasi kishte vizituar brenda në ambientet e Spitalit Ushtarak të plagosurit e aksidentit tragjik të ndodhur të shtunën pasdite në aksin Rrëshen – Fushë-Arës. Presidenti Topi nënvizoi që ky mesazh të jetë mbi të gjitha për drejtuesit e automjeteve që janë në shërbim të qytetarëve, (shoferë të transportit urban) tani në kulmin e sezonit veror. “Sidomos drejtuesit e automjeteve të kenë kujdes. Jemi në kulmin e sezonit të turizmit. Jeta dhurohet vetëm një herë. Duhet të rritet ndjeshëm standardi i edukatës së qarkullimit rrugor. Duhet të bashkëpunojmë me forcat e rendit, me ligjin. Nuk duhet parë polici rrugor si personi që vendos gjobën, por si personi që i shërben ligjit e qytetarëve”, tha Topi.
#