E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Spahiu ka shpërdoruar financat e KLD, të ndiqet penalisht

28-02-2012 / Gazeta 55

Komisioni hetimor parlamentar miraton me unanimitet raportin për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, Kuvendi do e votojë të enjten 

Pas 5 javë hetimet intensive, për veprimtarinë e zv/kryetarit të KLD-së, komisioni parlamentar i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të ndjekë penalisht Kreshnik Spahiun, për shpërdorim detyre. Në raportin prej 11 faqesh, konstatohet se Spahiu ka devijuar me dashje nga funksioni kushtetues i zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njëherazi i anëtar i saj dhe e ka zëvendësuar me veprimtari politike. Kryetari i komisionit të posaçëm hetimor parlamentar, Enkelejd Alibeaj u shpreh dje se Spahiu ka abuzuar me detyrën në vendimmarrjet në KLD dhe ka zvarritur çështje të rëndësishme për mirë-organizmin e sistemit gjyqësor. Një nga pikat më të nxehta të raportit ishte akuza ndaj Spahiut për abuzime me fondet publike. Sipas hetimit rezulton se Spahiu ka kryer 15 udhëtime jashtë shtetit me shpenzimet e institucionit, për interesa politike personale, dhe për më tepër pa njoftuar organet eprore. Nisur nga kjo Alibeaj kërkoi që raporti t’i dërgohet KLSH-së që Spahiu të kthejë mbrapsht shumat financiare që i ka përfituar pa të drejtë. “Në terma ligjore procedura e shqyrtimit të kësaj dorëheqje, nuk mund të ketë filluar. I propozoj Kuvendit të Shqipërisë, të vendosë, ndërprerjen e menjëhershme të qëndrimit në detyrë të anëtarit të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi, zotit Kreshnik Spahiu. Dërgimin e raportit përfundimtar Prokurorit të Përgjithshëm me qëllim, që të vlerësojë gjetjet e këtij raporti për ushtrimin e ndjekjes penale. KLSH-së për të mundësuar kthimin e shumave financiare të përvetësuara pa të drejtë nga zoti Kreshnik Spahiu”- u shpreh Alibeaj. Deputetët akuzojnë Spahiun dhe për mashtrim nisur nga fushata anti- census si dhe tentativë për të acaruar marrëdhëniet diplomatike me Greqinë, për çështjen e kombësisë. Akuzë, që rëndon mbi të, është dhe përvetësimi i fondeve të KLD-së për të sponsorizuar udhëtimet e tij, shumica gjatë orarit zyrtar të punës.
“Në funksion të këtyre udhëtimeve nga buxheti i shtetit i vënë në dispozicion të KLD-së, janë shpenzuar në kundërshtim me ligjin 65 ë shpenzimeve vjetore për udhëtim e dieta. Udhëtimet jashtë shtetit, të përballuara me shpenzimet buxhetore, paraqesin parregullsi dokumentacioni dhe tregojnë abuzim financiar me buxhetin e institucionit”- tha Alibeaj.
Pavarësisht dorëheqjes së Kreshnik Spahiut në 10 shkurt dhe miratimit të kerkeses në KLD, 3 ditë më vonë komisioni parlamentar vendosi ti propozojë kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e tij nga detyra. Në këtë sens, Alibeaj tha se dorëheqja duhet të ishte dorëzuar në parlament, i cili është edhe organi që e ka propozuar, ndërsa moszëvendësimi i tij nga një tjetër anëtar e lë Spahiun në detyrë. Kërkesa për shkarkimin e Kreshnik Spahiut pritet të hidhet në votim në seancën plenare të datës 1 mars.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›