Rama s’do bëhet kurrë kryeministër

Politika e shefit të opozitës po përqendrohet tek kufizimi i prerogativave që kushtetuta i jep kryeministrit, pasi ai ka kuptuar se s’do ta marrë kurrë votën e shumicës së shqiptarëve për të qeverisur. Shefi i Ekzekutivit, Sali Berisha e denoncon kreun e PS si fajtor për ngecjen e komisioneve për reformat dhe si një politikan që synon të përfitojë nga fatkeqësitë natyrore si dhe nga pengimi i statusit të kandidatit për në BE
Berisha: Shprehjen “Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët”, Konica e ka patur për tipa si Rama
Kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj dje akuzave të kryesocialistit Edi Rama lidhur me ecurinë e punës për reformën zgjedhore dhe atë të rregullores së parlamentit. Për shefin e ekzekutivit, Rama mashtroi shqiptarët më 20 shkurt, duke rreshtuar një seri akuzash ndaj mazhorancës se po bllokon reformat, deklaratë kjo, pikërisht në ditën e lirisë, ndërsa sipas kryeministrit, kjo përkthehet si një mesazh kërcënimi, për aspiratën evropiane të Shqipërisë. Sipas Berishës, propozimet e Ramës për reformën parlamentare, janë një tentativë qartësisht anti-kushtetuese, pasi si në asnjë vend tjetër demokratik, kërkon t’i kufizojë kohën Kryeministrit. Duke shkuar më tej, shefi i mazhorancës shtoi se, “Rama duke kuptuar qartë se shqiptarët nuk kanë ndërmend ta bëjnë ndonjëherë Kryeministër, gjen si zgjidhje t’i shkurtojë kohën Kryeministrit. “Në 20 shkurt apo rreth 20 shkurtit, zoti Edi Rama, në një paradoks, por edhe i trishtuar nga kujtimi i asaj dite, mashtroi shqiptarët dhe rreshtoi një seri akuzash ndaj Partisë Demokratike se ka bllokuar reformën elektorale dhe atë të rregullores së Parlamentit. E bëri në kujtim të 20 shkurtit, të busteve të gjalla dhe të vdekura të rrëzuara, apo e bëri në prag të shqyrtimit që i bën këto ditë Këshilli i Ministrave të BE-së, problemeve të zgjerimit, këtë më mirë se kushdo tjetër e di ai vetë. Por e vërteta është se me urdhër të tij direkt, reforma e rregullores së Parlamentit u bllokua që në mbledhjen e parë. Unë dua t’i informoj qytetarët se ju, sigurisht, e dini se gjatë verës dhe vjeshtës që kaloi, në serialin e ultimatumeve të zotit Rama figuronte, një kusht ultimativ ishte gjithashtu që në rregulloren e Parlamentit t’i kufizohej kryeministrit të vendit, koha e fjalës në 10 minuta. Ndërkohë që Kushtetuta e çdo vendi demokratik, kryeministrit i njeh të drejtën e fjalës, si kryetar i mazhorancës, në çdo kohë që ai do të flasë. Këtë të drejtë e ka sanksionuar shumica paraardhëse në rregulloren e parlamentit. Zoti Rama, duke perceptuar qartë se shqiptarët nuk kanë ndërmend ta bëjnë ndonjëherë kryeministër, atëherë mendon se zgjidhja është t’i shkurtojë kohën kryeministrit. Kjo është qesharake! Ai nen i Kushtetutës është vendosur nga mazhoranca socialiste dhe nuk është prekur as në reformë. Nuk është kjo rruga, që z. Rama të mund të përballet me alternativat e kësaj shumice! Nuk është mëkat i Kushtetutës që i jep kryeministrit, si çdo Kushtetutë tjetër, fjalën, kur ai do të flasë në parlament, nuk është mëkati i shqiptarëve që e kanë nxjerrë tërësisht në pension politik përsa i përket detyrës së kryeministrit, është problemi i zotit Rama, është kryekëput problem i tij personal”- u shpreh Berisha. Kryeministri u ndal dhe në një pikë tjetër të kësaj reforme, atë të 60 minutëshit. Sipas tij, zhvendosja e diskutimit të lirë në fund të seancës, u vlerësua nga raportet ndërkombëtare si akt pozitiv. “Së dyti, me porosi të tij, po për rregulloren e Parlamentit, sollën të gjitha propozimet që nuk ishin pranuar para nënshkrimit të marrëveshjes dhe që vetë socialistët pranuan të heqin dorë prej tyre, kur firmosën marrëveshjen. Pranuan para se të firmosnin. Zotërinjtë kërkonin me çdo kusht që 60 minutëshi, të ishte në fillim të seancës, në mënyrë që të bllokonin Parlamentin. Por kjo nuk mund të përsëritet më! Parlamenti është për të miratuar ligje dhe jo për t’u bllokuar. Vetë raportet ndërkombëtare e kanë vlerësuar si një akt pozitiv. Ai kërkoi si në një rast unik në botë, që dekretet të votohen fshehtas. Ndërkohë që ato janë akte ligjore dhe nuk mund të votohen, nuk ndodh kurrë, fshehtas. Unë e kuptoj, por të kërkojë votim nominal, siç është një mocion, që mbetet brenda një spektri dhe mund të pranohet, por të përmbysësh normat, të cilat nuk iu pranuan para se të firmosnin marrëveshjen - asnjë nga këto nuk u pranua dhe ata ranë dakord që komisioni të punojë tërësisht duke dystuar, duke prurë në përputhje të plotë çdo nen të rregullores së parlamentit me rregulloren e Parlamentit Europian. E kundërshtuan këtë për muaj dhe pastaj u detyruan ta pranojnë, e firmosën, e votuan dhe tani thotë se janë bllokuar reformat, sepse do me çdo kusht të thuhet se në Shqipëri nuk po ecin reformat”- theksoi kryeministri.