Gjunkshi: “Paqeruajtësit tanë në misione, për aq kohë sa edhe aleatët amerikanë”
Shqipëria siguron SHBA-në për praninë në Afganistan - Shefi i Shtabit të të Përgjithshëm të FA, Xhemal Gjunkshi bisedë telefonike me Kryetarin e Shefave të Shtabeve të SHBA, Gjeneral Martin Dempsey
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi zhvilloi dje një bisedë telefonike me Kryetarin e Shefave të Shtabeve të SHBA, Gjeneral Martin Dempsey. Pas përshëndetjeve të rastit, Gjeneral Dempsey shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e kapiten Feti Vogli, në adresë të familjes Vogli dhe të FA Shqiptare. “Ne jemi bashkë dhe ju do të keni mbështetjen tonë të plotë”- ka theksuar Gjeneral Dempsey. Duke vlerësuar veprën e kapiten Feti Voglit, ai shprehu mbështetjen e fuqishme që SHBA garantojnë për Shqipërinë, si një aleate e denjë dhe e sigurt në misionet e NATO-s dhe në luftën kundër terrorizmit. Gjeneralmajor Gjunkshi vlerësoi me konsideratat më të larta interesimin e Gjeneral Dempsey dhe, në të njëjtën kohë, i shprehu atij ngushëllimet më të thella për humbjet e ushtarakëve amerikanë në ngjarjet e fundit në Kabul. Gjeneralmajor Gjunkshi e siguroi gjithashtu homologun e tij amerikan se fjalët e përzemërta të Gjeneral Dempsey do t’ia përcillte familjes së dëshmorit Feti Vogli. Më pas, gjeneralmajor Gjunkshi e informoi Gjeneral Dempsey edhe për kontaktet që ai ka pasur këto ditë me autoritetet ushtarake më të larta të NATO-s, por edhe me Gjeneral Allen, komandantin e ISAF dhe për vlerësimet e tyre. Gjeneralmajor Gjunkshi e siguroi Gjeneral Dempsey se rënia heroike e kapiten Voglit nuk e ka lëkundur aspak vendosmërinë e vendit tonë dhe të Forcave të Armatosura Shqiptare në pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse për aq kohë sa edhe aleatët amerikanë. Në të njëjtën kohë të dy shefat e shtabeve gjetën rastin të shprehin edhe një herë kënaqësinë për takimin që pritet të zhvillohet së afërmi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, në SHBA. Biseda me Kryetarin e Shefave të Shtabeve të SHBA ishte në serinë e kontakteve, letërkëmbimeve dhe bisedave që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Gjunkshi ka pasur me homologët e vendeve të NATO-s dhe me një numër të konsiderueshëm autoritetesh politike, diplomatike dhe ushtarake.