Balliu: Largimet nga PD, një film që e kemi parë se përfundon me dështim

Shkrimtari dhe botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu, gjatë një interviste për ABC News fokusohet tek gjendja politike në vend, duke u ndalur jo vetëm tek situata e fundit, pas situatës së emergjencës natyrore, por edhe tek portreti i vërtetë i Edi Ramës, si profili i një njeriu që po ia kushton jetën bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE
Publicisti dhe njëherazi botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu analizon zhvillimet politike në vend, duke u ndalur posaçërisht në kursin e reformave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Akuzat e ditëve të fundit të lidershipit socialist, Edi Rama se mazhoranca ka bllokuar reformën parlamentare dhe atë zgjedhore, në analizën e z.Balliu rezulton “zbulimi i portretit të Edi Ramës”, ai i krizës dhe bllokimit. Sipas tij, arsyeja e këtij qëndrimi refraktar anti-reformë dhe anti-integrim, është mungesa e konceptit demokratik të drejtuesit të opozitës. Për z.Balliu, marrëveshja e 14 nëntorit mazhorancë-opozitë, ishte produkt i presionit të ndërkombëtarëve mbi Edi Ramën, i cili i bllokoi Shqipërisë statusin kandidat 2 vite radhazi. “Unë mendoj se kjo tregoi edhe njëherë se kryetari i PS edhe kur e nënshkroi marrëveshjen nuk e kishte këtë pjesë të opsionit të vet të zgjidhjes së këtyre problemeve qoftë të Shqipërisë, parlamentit apo dhe të partisë së vet. Ajo ishte si pasojë e presionit të ndërkombëtarëve dhe e qëndresës që bëri qeveria në arritjen e reformave deri në kohën kur u nënshkrua marrëveshja. Kjo nuk ishte një opsion apo frymëzim i drejtpërdrejtë i tij, por një zgjidhje e detyruar. Tani ai ka dalë në portretin e tij, atë të bllokimit. Arsyeja është mungesa e konceptit demokratik dhe të rolit të opozitës në një shtet pluralist. Ai do të jetë kryetari i bashkisë, do të jetë kryeministri, do të jetë presidenti. Ai përpiqet me çdo kusht që të mbrojë pozitën e tij të bllokimit. Të mos harrojmë që në PS kishte një grup deputetësh që kërkonin që të bënin atë që bëri ky në marrëveshje. Islami, Harasani dhe Malaj i kërkuan këto 2 vite më parë. Pjesë e natyrshme e tij nuk ishte ajo marrëveshje, pasi natyra e tij është bllokimi. Ai i sheh me dhimbje të madhe miratimin e atyre ligjeve me 3/5. tani që po afron momenti për dhënien e statusit të vendit kandi8dat, ai e shikon me dhimbje të madhe, pasi i jepet kredibilitet mazhorancës dhe qeverisë “Berisha”. Ndaj, kërkon ta shndërrojë këtë moment në një “dështim” të qeverisë. Mendon që këtë ta shesë më pas me propagandën e vet.
Ka një problem këtu. Evropa e shikon që udhëheqësi i opozitës dhe opozita nuk merr pjesë në procesin e reformave si dhe nuk i përgjigjet trojkës së ambasadorëve të SHBA, BE dhe OSBE, e projekton suksesin e statusit si sukses të qeverisë, mos marrjen e statusit si dështim të qeverisë, me qëllim radikalizmin e situatës politike. Ky (Edi Rama) ia ka arritur që ta shndërrojë PS-në në bashki, pasi aty ka sjellë persona pa histori në PS. Aty nuk ka kush të bëjë një opozitë ndaj tij. Aty ka rënë fryma krijuese. Projekti i tij përshkruhet nga një ndjenjë konfliktualiteti i vjetër i politikës shqiptare” - u shpreh z.Balliu. Ai theksoi se opinioni ndërkombëtar dhe diplomacia evropiane gjithnjë kanë tentuar t’i imponojnë opozitës detyrimet e saj kombëtare, ndërsa theksoi se një trysni e tillë do vazhdojë edhe në të ardhmen, përsa kohë Edi Rama ka si qëllim të radikalizojë situatën. “Durimi i qeverisë shqiptare dhe përpjekjet e diplomacisë evropiane nuk do të reshtin. Kjo do të jetë një fushë beteje. Z.Rama kërkon ta radikalizojë situatën. Ka disa probleme të brendshme në parti dhe këtë kërkon t’i shkojë fijes me çdo kusht drejt bllokimit dhe humbjes së mundësisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por njëherazi presioni mbi të do të rritet, por nuk shoh presion nga radhët e Partisë Socialiste”- tha ai. Z.Balliu komentoi dhe vendimin e deputetit Gazmend Oketa, i cili pak ditë më parë njoftoi largimin e fundit nga grupi parlamentar i PD-së. Publicisti Fahri Balliu tha se “këto lëvizje janë filma të parë njëherë”, ndërsa rezultati ka qenë rikthimi në PD. Por, sipas tij, në rastin konkret si Bamir Topi ashtu edhe Gazmend Oketa, s’duhet të pranohen më në radhët e Partisë Demokratike. “Ky është një film që e kemi parë njëherë. Këtë e kanë vënë Genc Pollo, Dash Shehi etj,. Këtë lloj filmi jo në Kanë, por as në Kavajë nuk ta pranon kush. “Nuk e ushtroj dot vijën tënde kryeministrore në atë ministrinë ku jam, kur njeriu nga një qytetar anonim vjen dhe bëhet ministër dhe në fillim i duken normale, ndërsa më pas i duken anormale”, këtu kemi të bëjmë me një problem karakteri. Nuk është fjala vetëm për Oketën, por për secilin që zgjedh të drejtën e largimit. Presidenti Topi nëse nuk do të ishte nënkryetar i PD, as nuk do ishte anëtar i ndonjë partie tjetër. Ne duhet t’i lutemi Kryeministrit që kur këta të kthehen, të mos i pranojë më!”- theksoi Balliu. Sipas tij, partia e re që pritet të themelohet apo qoftë edhe Aleanca Kuq e Zi, s’do ndikojë elektoralisht Partinë Demokratike në 2013-ën.
“Këto lëvizje nuk do të ndikojnë elektoralisht në 2013-ën. Këta na tregojnë flamurin kuq e zi, të cilit duan t’i vënë një yll. Sigurisht që këta i mori në “qafë” Ilir Meta se kujtuan se, duke pasur një parti politike sado të vogël, mund të bëhesh faktor. Por, harrojnë këta se Ilir Meta kishte dy arsye për ta bërë këtë. Ishte dy herë Kryeministër dhe e dyta, vuri një motivim, si integrimi Evropian, ku e majta s’e kishte në platformë, kishte integrimin sovjetik. Çfarë motivi kanë këta? Ai ka 5 vjet President dhe s’ka zgjidhur asnjë problem prone të qytetarëve, përveç pronave të veta. Në dijeninë time, njëra nga këto të dyja do të ndahet në 2 pjesë (Aleanca Kuq e Zi)”.
Ndërkaq, organizimi nga PS i tryezave si ajo atë për drejtësisë, arsimin, sportin apo dhe ekonominë, për z.Balliu janë organizime të tipit të OJQ-ve dhe jo lëvizje për të prodhuar politikë. Tryezën për arsimin, të cilën Rama e mblodhi dje, publicisti Balliu e cilësoi si tentativë të kryesocialistit për të kompensuar mangësitë që ka në arsim. “Këto janë për të mbushur kohën e punës. Nuk është në gjendje për të prodhuar politikë dhe t’i japë lidershipit politik të PS një rol në zhvillimet social- ekonomike të vendit. Është mësuar të bëjë organizime të tipit OJQ-ve. Nëse flasim për probleme të arsimit, ai ka vetë probleme me arsimin në radhë të parë, pasi ka një shkollë gjysmake, 3 vjeçaren e Institutit të Arteve. Boshllëqet e vetes kërkon t’i kamuflojë me tryeza si këto ku nuk ka asgjë politike. Ky njeri është mësuar që të mos ketë asgjë politike. Edhe në zgjedhje hyri pa asgjë politike, pa program dhe pa platformë para qytetarëve. Që të jemi konkret, këto të arsimit janë tema të ezauruara, sepse ai nuk ka asnjë dijeni se çfarë ndodh në shkollat pedagogjike dhe universitetet e vendit. Kjo është për të kompensuar paaftësinë për të qenë lider. Pra, të gjitha përpjekjet e tij, janë tentativa për të kompensuar mungesën e rolit të tij si lidership”. Duke qëndruar te pasivitetit politik të Ramës, por që nga ana tjetër s’vonon të reagojë përmes rrjeteve sociale, z.Balliu tha se një tjetër mangësi e lidershipit socialist, është mos njohja e realitetit shqiptar. Sipas tij, edhe gjatë gjendjes së Emergjencës natyrore, z.Rama rrinte në Tëitter, ndërsa në daljen e vetme që bëri, shpërndau karta telefonike, duke porosituar njerëz të caktuar që të përhapin panik. “Ai, s’ka asgjë moderne, përveç ndezjes elektrike të kompjuterit. Është shenjë që ai tregon se, s’e ka të qartë se si funksionon jeta. Ai shkruan në Tëitter se s’ka dhe s’di ç’të bëjë tjetër. Edhe në momentin e fatkeqësisë natyrore, shkonte dhe u shpërndante karta telefonike njerëzve dhe i porosiste të telefononin se jemi të izoluar, për të përhapur panik”- tha z.Balliu. Sipas tij, qeveria përballoi me sukses një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa akuzoi opozitën se ngriti struktura paralele si ato të serbëve në Mitrovicë, për të destabilizuar situatën. “Qeveria sapo ka dalë nga një sukses, nga mposhtja e fatkeqësisë natyrore më të madhe që ka njohur ndonjëherë vendi. Shteti tregoi një shkallë të lartë mobilizimi dhe tregoi se ishte i përgatitur për të përballuar këtë dhe për të mbajtur lart moralin e njerëzve. Në të gjithë këtë përplasje, për të përballuar një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha, synimi ishte mbrojtja çdo jete njerëzore, në një kohë kur Evropa kishte me qindra të vdekur. Nga ana tjetër, Rama thurte plane në letër se bora do binte deri në qershor se shtabi i emergjencave dështoi etj,. Ne hasëm në një shtet paralel, strukturë të cilën ne e ndeshim në Mitrovicën e Veriut, për të sjellë destabilitet”.