E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Kombit, 5 kompani në garë për mirëmbajtjen

28-02-2012 / Gazeta 55

Komisioni i Vlerësimit do të përfundojë vlerësimin e ofertave të paraqitura brenda datës 23 mars

Koncesioni i mirëmbajtjes së Milot – Morinë, përfundoi afati i shprehjes së interesit

Përfundon dje afati për paraqitjen e interesit nga kompanitë ndërkombëtare për marrjen me koncesion me afat të gjatë për rehabilitimin, mirëmbajtjen dhe operimin e autostradës Milot-Morinë, e cila lidh qytetet e Durrësit dhe Tiranës me Republikën e Kosovës. Sipas burimeve nga ministria e Punëve Publike dhe Transportit, që në momentet e para të hapjes së tenderit ndërkombëtar dhe publikimit të ftesës për pjesëmarrje në procedurën parakualifikuese në disa nga mediat me të njohura ndërkombëtare si “Herald Tribunë”, AFP, por edhe në mediat lokale të vendit dhe faqen e MPPT-së, kompani të shumta ndërkombëtare kanë paraqitur interes për pjesëmarrjen në tender. Burimet bënë të ditur se në kërkesë parashikohet që koncesionari, subjekt i një sërë standardesh performance, do të jetë përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës, duke përfshirë dhe mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës, 5.6 km të gjatë, me dy korsi, operimin e një stacioni për mbledhjen e tarifës, dublimin e një segmenti 26 km të gjatë të autostradës si dhe ndërtimin e disa strukturave shtesë. Ministria, në bashkëpunim me konsulentët e saj, ka bërë studimet e duhura për projektin, kopje të së cilit iu u vunë për më shumë se dy muaj në dispozicion ofertuesve. Ftesa për oferta u hap nga data 19 dhjetor dhe dje 27 shkurt, ishte afati i fundit i pranimit të dokumenteve parakualifikuese. Ofertuesit e mundshëm duhet të dorëzonin vetëm një ofertë. Pas dorëzimit të aplikimit parakualifikues, ofertuesit e mundshëm do t’i nënshtrohen detyrimeve të parashikuara në dokumentet parakualifikues. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë u inaugurua në qershor të vitit 2009 nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Kjo autostradë lidh Durrësin me vendkalimin kufitar me Kosovën, në Morinë, ndërsa kalon nëpër Milot, Rrëshen, Reps, Thirrë, Kalimash e Kukës. Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe në të arrihet shpejtësi nga 80–120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës, rruga ekzistuese që përshkohej për 6 deri 7 orë, është kthyer në një rrugë të shpejtë që mund të kalohet për vetëm 2,5 orë. Autostrada afron Kosovën me Shqipërinë dhe bregdetin e Adriatikut, duke u lidhur edhe me një projekt të ngjashëm në Kosovë, autostradën Merdare-Vërmicë, momentalisht në zhvillim e sipër.

Shprehja e interesit nga kompanitë
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit organizoi dje procedurat konkurruese për dorëzimin e ofertave (faza parakualifikim) për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion të shërbimit të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe operimit të autostradës Milot-Morinë, (Forma BOOT). Dokumentacioni i procedurës është përgatitur së bashku me konsulencën e dhënë nga Korporata Financiare Ndërkombëtare Financiare (IFC). Koncesionari do të jetë përgjegjës për: operimin dhe mirëmbajtjen e Autostradës; operimin dhe mirëmbajtjen e tunelit te Thirrës, funksionimin e një sistemi te hapur tarifash, mbledhjen e te ardhurave nga tarifat; punimet shtese për stabilizimin e skarpatave dhe masa mbrojtëse për te parandaluar mbylljen e rrugëve, për përmirësimin e sigurisë ne rruge, dhe për te reduktuar gradualisht kostot e operimit dhe mirëmbajtjes se Autostradës. Përveç kushteve te mësipërme, koncesionari, do te jete i detyruar te ndërmarrë punimet e mëposhtme për rehabilitimin dhe zgjerimin: ndërtimi i sheshit te pagesave, për një sistem “të hapur” tarifimi; instalimin e rrethimit përgjatë Autostradës; instalimin e ndriçimit ne te gjitha kryqëzimet; ndërtimin e tre kryqëzimeve ne segmentin e III-te  te autostradës; ndërtimin e kryqëzimit në Kalimash; dublimi i segmentit te I-re (Milot-Rrëshen) të autostradës dhe ndërtimin e një urës së re të Drinit dhe tunelit vijues në Kukës.
Gjatë kësaj procedure depozituan dokumentacion subjektet/bashkuesit ofertues si
Strabag & intertoll consortium; J&P-avax & Egis consortium; Hochtief ppp solutions gmbh; Autostrada brescia-verona-vicenza-padova spa; Vinci concessions sas – Aktor consessions SP. Procedura e hapjes së ofertave dokumentacionit për parakualifikim u krye në prani të mediave, në një proces të qetë dhe transparent. Dokumentacioni do të vlerësohen bazuar në kriteret e përzgjedhur të përcaktuar në dokumentacion standard të kësaj procedure për fazën parakualifikim. Njoftojmë, se në përputhje me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006, “Për Koncesionet’, të ndryshuar, VKM Nr.874, datë 14.12.2011 dhe VKM nr. 27, datë 19.1.2007, “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies se koncesioneve’’, Komisioni i Vlerësimit do të përfundojë vlerësimin e ofertave të paraqitura brenda datës 23 mars 2012 dhe autoriteti do të ndjekë procedurat e parashikuara konform ligjit në fuqi. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›