E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Topi mund të zgjidhë ngërçin. Omari: Kushtetutesja e bllokuar

Në kulmin e përplasjeve presidencë –maxhorancë për mandatin e skaduar të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deputeti Enkeled Alibeaj deklaron se qëndrimi në detyrë i Vladimir Kristos është i jashtë ligjshëm. Sipas ish ministrit të Drejtësisë nuk ka asnjë bazë ligjore që të justifikojë mbajtjen e kryesisë së Kushtetueses nga Kristo përtej 3 qershorit.

"Nuk thotë ligji asnjë parashikim që nëse nuk zgjidhet, nuk procedohet me zgjedhjet e një anëtari të ri, të mund të vazhdojë kryetari në detyrë. Praktikisht, me kalimin e këtij mandati nuk ka më kryetar të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm formalisht, por dhe substancialisht", thote Enkeled Alibeaj.

Po ashtu konstitucionalisti Luan Omari, shprehet se pa kryetar juridik puna në Kushtetuese mund të quhet e bllokuar… "Ne fakt bllokohet, pa kryetar. Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, parashikon që kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet zëvendësuar, nuk parashikon se ai qëndron në detyrë derisa të zëvendësohet", thote konstitucionalisti Luan Omari.

Ndonëse presidenca i ka lënë për në shtator emërimet e reja në këtë gjykatë, sipas Alibeajt, presidenti nuk ka asnjë pengesë ligjore për ta zgjedhur kryetarin që tani nga 9 –shja aktuale.

"Pa asnjë lloj dyshimi kryetari i ri mund të zgjidhet nga secili prej nëntë anëtarëve sepse ligji thotë, mandati kryetarit është brenda mandatit të anëtarit. Sigurisht mund të ndërpritet më parë mandati si anëtar, që do të thotë automatikisht dhe i atij si kryetar, por që nuk ka asnjë lloj vakumi apo pamundësie për të zgjedhur me probabilitetin më të madh midis nëntë anëtarëve. Gjithmonë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka nëntë anëtarë, me mandat të skaduar ose jo, ata vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë dhe kjo është zgjidhja ligjore", thotë Alibeaj.

Propozimi për të kryesuar Kushtetuesen i është bërë 3 prej anëtarëve aktualë të kësaj gjykate nga Presidenti. Por të tre përfshirë dhe ish kryetarin Kristo e kanë refuzuar nga një kërkesë të tillë.

Elona Gjylmi < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›