E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa të besueshme janë anketat?

 

Anketat më të fundit të opinionit tregojnë se kandidati presidencial demokrat, Barack Obama, kryeson ndaj rivalit të tij republikan, John McCain. Pyetja që po shtrohet gjithnjë e më dendur është se sa mirë i pasqyrojnë anketat sjelljet e votuesve. Kjo pyetje merr rëndësi të veçantë këtë vit, kur kemi një zgjedhje të paprecedentë në historinë politike amerikane.

McCain-i krijoi kryetituj fundjavën e shkuar, duke deklaruar se anketat e opinionit nuk janë të besueshme.

McCain-i mund të ketë të drejtë. Anketat e opinionit bënë mjaft parashikime të gabuara gjatë kësaj fushate, e cila ka qenë plot me të papritura dhe kthesa të paparashikuara. Ditën e zgjedhjeve, më 4 nëntor, një numër faktorësh mund të ndikojnë që t'i nxjerrin të gabuara anketat e opinionit.

Kandidatura e Barack Obamës është e paprecedentë, pasi asnjëherë më parë nuk ka pasur kandidat presidencial me ngjyrë nga dy partitë më të mëdha.

Analistët politikë, gazetarët, sociologët kanë debatuar me të madhe gjatë kësaj fushate rreth rolit që do luajë raca në votimin e 4 nëntorit 2008.

Flitet shpesh për efektin ‘Bradley’, që lidhet me ish-bashkiakun e Los Anxhelosit, i cili në vitin 1982 humbi zgjedhjet për guvernator të Kalifornisë. Anketat i jepnin Bradleyt përparësi të dukshme ndaj kandidatit republikan. Por, Bradley, që ishte afro-amerikan, i humbi zgjedhjet dhe u pa se votuesit e bardhë i kishin dhënë shumë më pak vota se ç'kishin parashikuar anketat.

Pyetja shtrohet: A mund të përsëritet i ashtuquajturi fenomeni ‘Bradley’ në zgjedhjet e javës së ardhshme?

Ka tregues që thonë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Obama, i biri i një afrikani dhe i një gruaje të bardhë, mund të jetë kandidati i parë që i tejkalon dallimet e shkaktuara nga ngjyra e lëkurës.

Një tjetër çështje është edhe i ashtuquajturi "problemi mysliman".Obama është i krishterë, po një nga emrat e tij është Husein, që vjen nga arabishtja e që është i njëjtë me atë të diktatorit irakian, Sadam Husein.

Emri i tij i parë Obama, i vënë nga i ati, rimon me Osama, terroristi më i kërkuar nga SHBA-të, Osama Bin Laden. Ka pasur një fushatë insinuatash që përpiqeshin të lidhnin Obamën me grupe terroriste. Vetë Obama ka bërë humor me përpjekje të tilla.

"Në frymën e zbulimeve do të ketë disa befasi në tetor. Së pari, emri im i dytë nuk është ai që mendoni ju, por është Steve. Emri im i plotë është Barack Steve Obama", - tha senatori demokrat, duke bërë humor me akuzat. Me gjithë përpjekjet e Obamës për të bërë humor me këtë çështje, në tubimet e McCain-it ka pasur nga ata që e kanë quajtur Obamën "tradhtar", madje duke shkuar dhe më larg e duke thënë: "Vriteni"!

Një tjetër problem që po i shoqëron edhe këto zgjedhje amerikane janë parregullsitë e makinave të votimit.

McCain-i dhe Obama kanë punësuar një ushtri prej mijëra avokatësh që do të jenë të gatshëm ditën e votimit, nëse çështje ligjore apo parregullsi dalin në shesh. Dhe, siç tha një anketues opinioni, është tepër optimiste të mendosh se 130 milionë njerëz do të votojnë pa shkuar asgjë gabim.

*Analist i radios amerikane “Europa e Lirë”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›