E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Isufajt i qëllova për mbrojtje”

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

“Ndaj Isufajve qëllova për vetëmbrojtje pas një sherri të momentit”. Angjelos Sado, 28-vjeçari nga Vlora, i akuzuar për plagosjen e familjarëve të “Ben Qimes” një javë më parë në Fier ka dhënë dëshminë e tij në sallën e gjyqit. Ai ka treguar para gjyqtarëve se nuk kishte asnjë konflikt të hershëm me ta, por grindja nisi për motive të dobëta gjatë kohës kur po qëndronin në lokal. Sado u shpall në kërkim pasi plagosi me armë 4 persona, dy prej të cilëve të afërm të Arben Isufit, i arrestuar si i dyshuar për një vrasje. Pas ngjarjes, policia e arrestoi atë në një fshat të Sarandës, bashkë me 4 të tjerë që po e ndihmonin të largohej në mënyrë ilegale drejt Greqisë. Përpara trupit gjykues Angjelos Sado u shpreh se, armën e ka përdorur për vetëmbrojtje dhe jo për të sulmuar shtetasit e plagosur. “Nuk kisha asgjë me familjen Isufaj. Gjithçka erdhi fare në mënyrë spontane. Ishim duke biseduar dhe konflikti lindi aty për aty. Nuk kisha shkuar me paramendim dhe nuk kishin asnjë arsye as ata (Isufajt) që të më bënin keq. Në moment pati një përplasje kur ishim duke pirë në lokal. U grinda me ta dhe nxora armën për t’u vetëmbrojtur”, mësohet se ka deklaruar i riu. Ndërkohë autori nuk ka dhënë hollësi se si nisi përplasja mes tyre. Megjithatë, kjo deklaratë nuk e ka shpëtuar Sadon nga masa e arrestit “burg pa afat”. Bashkë me 28-vjeçarin, policia ka vënë në pranga edhe shtetasit Skënder Selamaj 27 vjeç, Emirjon Prishka 22 vjeç, Lulëzim Toçi 22 vjeç dhe Jani Gremo 32 vjeç, të cilët dyshohen se kanë përkrahur dhe dhënë ndihmë autorit të dyshuar të plagosjeve. Dhe për ta, gjykata vendosi masën e sigurisë “burg pa afat”. Vetë Angjelos Sado ka kërkuar që deri në mbarim të hetimeve të ngjarjes të vendosej në dhomat e paraburgimit në Vlorë dhe jo në Rrogozhinë. Kjo kërkesë u pranua nga trupi gjykues duke u konsideruar brenda të gjitha normave dhe dispozitave në fuqi. Gjatë transportit të autorit, si dhe gjatë zhvillimit të vlerësimit të masës së arrestit Gjykata e Fierit ka qenë e rrethuar nga forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe shumë policë civilë të komisariatit të Fierit, duke e zhvilluar gjyqin nën masa të rrepta sigurie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›