Alibeaj kërkon shpërblim shtesë për punonjësit e naftës, kundërshton Ruli
Ministria e Ekonomisë, përgjegjëse për privatizimin e kompanive të naftës, ka kërkuar edhe mendimet e ministrive të tjera në lidhje me shpërblimin që do të përfitojnë punonjësit që do të pushohen nga puna si rezultat i privatizimit dhe ristrukturimit të kompanive. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar që në përputhje me objektivin që synohet me këtë vendim duhet të rishikohet pika tre e projekvendimit, me qëllim përcaktimin e kritereve, të cilat sigurojnë një trajtim të barabartë të punonjësve që dalin të papunë si pasojë e rikonstruktimit. Alibeaj ka kërkuar që punonjësit që kanë kontribuar për një periudhë më të gjatë kohore në këto kompani të naftës të përfitojnë shpërblime të tjera mbi pagesën e parashikuar nga Ministria e Ekonomisë. Sipas Alibeajt, kjo gjen zgjidhje nga ligji në fuqi që rregullon rastet kur punëmarrësi mund të përfitojë shpërblim për vjetërsi. Ministria e Drejtësisë shprehet se vetëm në këtë rast do të kishte kuptim vendosja e kritereve të tilla, siç është kohëzgjatja e marrëdhënieve të punës. Kjo kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë nuk është përkrahur nga Ministria e Ekonomisë. Përsa i përket këtij sugjerimi, që në projektvendimin e qeverisë të parashikohet shpërblim shtesë përveç atij të parashikuar duke u nisur nga kontributi i secilit punonjës për periudha të gjata në këto kompani, është cilësuar i parealizueshëm pasi efektet financiare të pasqyruara në akt janë të limituara dhe nuk mund të shtohen. Ndonëse ministri Alibeaj shprehej se shpërblimi shtesë për këta punonjës është i përcaktuar edhe me ligj, ministri Genc Ruli është shprehur se nuk ka fonde për shpërblime shtesë.
28 Shkurt 2008