E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALBPETROL-ARMO, pushohen dy mijë punonjës, si do të trajtohen financiarisht

Privatizimi i kompanive të naftës si ARMO dhe ALBPETROL do të lërë afërsisht dy mijë të papunë, të cilët qeveria do t’i trajtojë financiarisht. Punonjësit e ARMO-s dhe ALBPETROL-it të Patosit, që dalin të papunë si pasojë e ristrukturimit, përveç trajtimeve që parashikohen nga Kodi i Punës përfitojnë për një periudhë njëvjeçare pagesë me pagë bruto mesatare mujore individuale, pagë bazë plus vjetërsi pune. Në përfundim të kësaj periudhe, punonjësit kanë të drejtë të aplikojnë për të ardhurën nga papunësia. Periudha, gjatë së cilës këta persona do të marrin pagesën e përcaktuar më sipër, njihet periudhë sigurimi, për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, të invaliditetit dhe atij familjar, kundrejt pagesës së kontributit në fondin e sigurimit të detyrueshëm shoqëror nga kompanitë. Periudha e mësipërme e pagesës të shënohet në librezën e punës. Nga ky vendim përfitojnë të gjithë punonjësit aktualë të ARMO-s dhe ALBPETROL-it që kanë qenë të punësuar në këto shoqëri për një periudhë jo më pak se dy vjet pa ndërprerje. Të drejtën e trajtimit, në përputhje me këtë vendim, e përfitojnë ata punonjës që nuk zhvillojnë veprimtari ekonomike në formën e punësimit apo të vetëpunësimit. Në rast të kundërt u ndërpritet kompensimi që përfitojnë sipas këtij vendimi. Afërsisht do të shpenzohen 376 milionë lekë për 606 punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi i kompanisë ARMO dhe 372 milionë lekë do të shpenzohen për 1100 punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi i kompanisë ALBPETROL. Këto shpenzime për kompensimin e punonjësve do të përballohen përkatësisht nga vetë fondet e këtyre shoqërive. Pagesat e punonjësve do të bëhen nga zyrat e punësimit në rrethet përkatëse.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›