Punonjësit në privat dhe shtet, paga jo më pak se 16 mijë lekë
Administrata, paga më e ulët bëhet 24 mijë lekë. Rritja i prek të gjithë, veçanërisht 6 700 punonjës në shtet
Erald Kapri
Qeveria vendosi rritjen e pagës minimale me 2 mijë lekë të reja duke e çuar në nivelin e 16 mijë lekëve në muaj. Kjo do të thotë që çdo i punësuar, qoftë në shtet, qoftë në privat, nuk mund të paguhet poshtë kësaj shume. Rritja e programuar nga qeveria është e barabartë me 15 për qind, por duke pasur parasysh taksën e sheshtë rritja reale nuk është më e madhe se 10 për qind. Njëkohësisht, qeveria ka vendosur që paga bazë minimale mujore të jepet për 174 orë punë në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Kuptohet që orari shtesë paguhet më shumë në rast se punonjësi pranon të punojë me orar të zgjeruar. Paga bazë minimale orare të jetë 92 lekë të reja. Tashmë çdo vendim që qeveria do të ndërmarrë për rritje page do të llogaritet mbi këtë shtesë pasi ky vendim i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2008. Sipas të dhënave, në sektorin buxhetor paguhen me pagë minimale 6 700 punonjës ose rreth 6 për qind e punonjësve buxhetorë dhe rritja e pagës minimale në masën e 16 mijë lekëve për këtë kategori ka filluar që më 1 korrik 2007, ndërkohë që me miratimin e vendimit të sotëm për sektorin privat rritja fillon nga 1 janari 2008. “Paga minimale nuk përbën një diktat ndaj tregut, por përbën një detyrim madhor në çdo vend të botës, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të standardeve më liberale. Nocioni i kësaj page është i pashmangshëm. Kudo në Europë dhe vendet e lira ka një çmim për orën e punës, i cili varion sipas vendeve, por ekziston dhe është transparent në çdo vend. Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për pronarët, por edhe për punonjësit. Nga njëra anë duhet t’i krijojmë barrën më të lehtë fiskale pronarëve, por nga ana tjetër të vendosim standardet botërore, të cilat nuk i krijojmë ne por i respektojmë”, - u shpreh kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë.
Rritja
Vendimi i ditës së djeshme mbështetet në “Kodin e Punës” dhe ligjet përkatëse që detyron çdo operator ekonomik që punonjësit nuk mund t’i paguajë më poshtë se 16 mijë lekë, pra me 92 lekë ora për maksimum pune 174 orë në muaj. Ministria e Punës, e cila bëri propozimin, e ka mbështetur propozimin e vet bazuar edhe në studimin e miratuar për pagat minimale sipas sektorëve të ekonomisë dhe sipas vendimit të miratuar dje është e detyrueshme zbatimi i pagës minimale nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, në masën 16 mijë lekë në muaj nga 14 000 lekë në muaj që ishte. Paga bazë minimale prej 16 mijë lekësh në muaj, sipas Ministrisë së Punës, është më e madhe se minimumi jetik për një të punësuar. Pra, me këtë rritje, edhe paga e punonjësve që punojnë në punët më të thjeshta dhe janë fillestarë në punë është mbi minimumin jetik për një të punësuar.
Përfituesit
Çdo i punësuar përfiton nga ky vendim i qeverisë, pavarësisht se në çfarë sektori punon, shtetëror apo privat. Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., të cilat shkojnë mesatarisht 60 për qind mbi pagën bazë për punonjësit mbështetës të institucioneve të varësisë dhe 43 për qind mbi pagën bazë për punonjësit mbështetës të institucioneve qendrore. Duke llogarritur këto shtesa, paga minimale në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 24 mijë lekë në muaj. Ministria e Punës ka llogaritur dhe parashikuar edhe pagën në një orë në masën 92 lekë, me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës. Sipas të dhënave, në sektorin buxhetor paguhen me pagë minimale 6 700 punonjës ose rreth 6 për qind e punonjësve buxhetorë dhe rritja e pagës minimale në masën e 16 mijë lekëve për këtë kategori ka filluar që më 1 korrik 2007, ndërkohë që me miratimin e vendimit të djeshëm për sektorin privat rritja fillon nga 1 janari 2008. Në sektorin publik dhe veçanërisht atë buxhetor caktimi i pagës minimale ka ndikim në sistemin e pagave. Por me vendosjen e sistemit të pagave sipas strukturës së shërbimit civil për të gjithë administratën publike është ulur ndjeshëm ndikimi që ka rritja e pagës minimale në nivelet e tjera të pagave, duke krijuar fleksibilitet më të madh në përcaktimin e pagës minimale.
28 Shkurt 2008