Alibeaj kundër shumicës së KLD-së
Armand Bajrami
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, doli dje kundër gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të cilët me shumicë votash zgjodhën kryetarin e ri të Gjykatës së Tiranës. Zgjedhja e kryegjyqtarit të Tiranës u kthye në objekt debatesh pas votimit të Artan Zenelit, me shumicë votash, ndërsa kontestimet e Ministrit të Drejtësisë erdhën pikërisht pas vendimit të shumicës së anëtarëve të KLD-së. Këshilli konfirmoi se me shumicë votash gjyqtari Artan Zeneli u emërua Kryetar i Gjykatës së Tiranës. Votimi i anëtarëve të KLD-së është bërë në mbledhjen e djeshme ndërsa Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, e konsideroi procesin e përzgjedhjes së kreut të gjykatës fals dhe jo-transparent. Në mbledhjen e djeshme, i pranishëm ishte edhe kreu i KLD-së, njëkohësisht Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Mbledhja zgjati rreth 4 orë, në të cilat u diskutuan pikat e rendit të ditës dhe më pas u vendos për kandidaturat për kreun e Gjykatës së Tiranës.
KRYEGJYQTARI
“Në përfundim të një diskutimi të gjerë dhe me debate juridike, Këshilli me shumicë të votave të anëtarëve, vendosi emërimin e Artan Zenelit, në detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit”, njoftoi zyra e shtypit e KLD-së. Burimet zyrtare nga Këshilli, në një precedent transparence të panjohur më parë për këtë institucion, deklaruan edhe votat e krerëve të KLD-së pas akuzave të bëra nga Ministri i Drejtësisë Alibeaj. “Për hir të transparencës në procesin e vendimmarrjes, deklarojmë se vota e Presidentit Topi, në funksionin e Kreut të KLD-së, shkoi për kandidatin Kastriot Selita, vota e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, shkoi për kandidaten Manjola Bejleri ndërsa anëtari i KLD, Neshat Thana, votoi për kandidatin Petrit Çomo”, tha zyra e shtypit e KLD-së. Sipas saj, “Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nuk votoi për asnjë kandidat, pasi mbajti qëndrimin se nuk janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore për emërimin e Kryetarit të Gjykatës”. Gjyqtari Artan Zeneli, u riemërua në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës me propozim të KLD-së dhe dekret nr.6207, datë 12.06.2009, të Presidentit të Republikës. Në mbledhjen e djeshme anëtarët e KLD-së diskutuan edhe për rëndësinë që ka afirmimi i magjistratëve në gjykatat e vendit.
ALIBEAJ
Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së KLD-së, Ministri i Drejtësisë Alibeaj doli në konferencë shtypi duke pretenduar për parregullsi në zgjedhjen e kreut të Gjykatës së Tiranës. Sipas ministrit Alibeaj, procesi i përzgjedhjes së kryegjyqtarit të Tiranës ishte tërësisht fals dhe jo transparent. Ministri akuzoi se vendimi i Këshillit ishte i paramenduar dhe i paracaktuar në një kohë kur kryetari dhe nënkryetari i KLD-së deklaruan publikisht se votat e tyre nuk kishin qenë për kandidatin fitues. “Sot edhe pse kishte një kërkesë konkrete për pjesëmarrjen e medias në një nga çështjet më të rëndësishme, siç ishte zgjedhja e Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së parë në Tiranë, kjo nuk u miratua. Nuk u pranua për shkak se procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Tiranës ishte një proces tërësisht fals, një proces i cili kishte një vendim tërësisht të paramenduar dhe paracaktuar”, pretendoi Alibeaj. Ministri u shpreh se procesi ishte jo ligjor, pasi sipas tij, ligji për Organizimin e Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor kërkon së paku që gjyqtari kandidat, duhet të jetë anëtar i gjykatës prej një periudhe jo më pak se 4 vjet. “Kandidatura e cila u përzgjodh si kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është emëruar si gjyqtar jo më pak se një javë më parë”, u shpreh Alibeaj. Ministri e vlerësoi procesin si mesazhin më të keq që i çohet zbatimit të reformave ligjore dhe të reformave të sistemit gjyqësor. “Është rasti më energjik i nëpërkëmbjes së ligjit, i nëpërkëmbjes së shtetit. Është rasti i cili ka caktuar sot njollën më të errët të sistemit gjyqësor dhe të institucioneve të tij”, përfundoi Alibeaj. Ai megjithatë nuk deklaroi nëse ka kundërshtuar që në fillim kandidaturën e Artan Zenelit për shkaqet e përmendura prej tij ditën e djeshme, vetëm pas votimit të shumicës së KLD-së që emëroi me numrin më të madh të votave kreun e Gjykatës së Tiranës.