E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi i Gabës, Topi debat me Beçajn: Ju ose ne kemi zbatuar gabim ligjin

 

TIRANE - Prishja e 7 vendimeve të fundit të KLD-së nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë ka sjellë dje gjatë mbledhjes së KLD-së reagimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ndaj Kryetares së Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj. Burime nga mbledhja që u zhvillua me dyer të mbyllura pohojnë, se Presidenti ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës së Lartë, e cila ka rrëzuar me shumicë votash vendimet, të cilat KLD-ja në mjaft raste i kishte shpallur jo me shumicë të thjeshtë votash po me një numër të konsiderueshëm anëtarësh. Presidenti mësohet se ka ngritur shqetësimin pas rrëzimit nga Kolegjet e Bashkuara të vendimeve për shkarkimin e tre gjyqtarëve ushtarakë, që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit në Apelin e Durrësit; Naum Pejo, Ylli Minka dhe Shaqir Gradica, si dhe tre gjykatësve të Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi. Këta tre të fundit u shkarkuan për shkelje të shumta, përfshi edhe shpalljen e vendimit në një datë kur njëri prej gjykatësve ndodhej në Maqedoni. Ndërsa gjatë ushtrimit të detyrës si kryetare e Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba, është gjetur edhe me një sërë shkeljesh të rënda përsa i përket administrimit të institucionit, procedurave të shortit dhe mbajtjes së dokumentacionit. Për më tepër edhe një qytetar nga Vlora e akuzoi publikisht Gabën për ndërhyrjen në çështjen e tij, duke e dënuar pafajësisht në dy shkallët e para të gjyqësorit. Po kështu, Presidenti Topi, i cili mban për shkak të detyrës postin e kreut të KLD-së, pohoi se Gjykata e Lartë e ka prishur edhe vendimin e KLD-së për largimin nga puna të gjykatëses Mirela Mishgjoni. “Ose KLD-ja ka vepruar gabim me shkarkimin e këtyre gjykatësve, duke pranuar kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, ose Gjykata e Lartë ka zbatuar gabim ligjin, kur ka rrëzuar këta vendime”, mësohet të ketë pohuar Presidenti Topi. Pas kësaj kreu i shtetit ka pohuar se Këshilli do të njihej me vendimet e zbardhura të Kolegjeve të Bashkuara për të vendosur nëse do t’i ankimonte në Gjykatën Kushtetuese apo do t’i ekzekutonte duke rikthyer sërish në punë 7 gjykatësit e shkarkuar. Po kështu edhe anëtarët e tjerë të KLD-së, janë shprehur se janë dakord me kreun e shtetit dhe se institucioni i tyre nuk mund të shprehet pa u njohur me vendimet.                          f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›