E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli: “Hakmarrja”, 442 vjet burg

 

Armand Bajrami

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda “vulos” tre dënime të përjetshme dhe një total prej 142 vjetësh burg për 10 personat e akuzuar nga Prokuroria si anëtarë të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”. Togat e zeza të Apelit të Krimeve të Rënda lanë në fuqi pasditen e së martës vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë për 8 prej të pandehurve, duke ndryshuar vendimin e faktit vetëm për dy prej të akuzuarve. Sipas vendimit, Orik Shyti, Altin Arapi dhe Gentian Caka nuk i “shpëtuan” burgimit të përjetshëm. Apeli i Krimeve të Rënda la në fuqi vendimet për të pandehurit e tjerë, masa që shkojnë deri në çerek shekulli për secilin. Të gjithë të pandehurit u dënuan në mungesë, pasi shumica prej tyre gëzojnë statusin e “azilantit politik” në shtetet e Zvicrës, Belgjikës dhe Holandës. Sipas Prokurorisë, anëtarët e kësaj organizate janë autorë të dhjetëra veprave të rënda penale, përfshi vrasje dhe grabitje, vepra të kryera në vitet 1992-1996.
VENDIMI
Verdikti përfundimtar që i deklaroi fajtorë dhe dënoi me burg të akuzuarit si pjesëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi” u shpall rreth orës 17:00 të së martës. Me kafazin e sallës së gjyqit të boshatisur, pasi asnjë nga të pandehurit nuk është në masë “arresti me burg”, gjykata lexoi para palëve dispozitivin e vendimit. Sipas këtij vendimi, pas shqyrtimit të dosjes në Shkallën e Dytë të gjyqësorit, togat e zeza vendosën dënimin me “burgim të përjetshëm” për të pandehurit Orik Shyti, Altin Arapi dhe Gentian Caka. Për të pandehurit Nikolin Novruzaj, Leart Shyti dhe Kreshnik Spahiu gjykata vendosi dënimin me nga 24 vjet heqje lirie. Për të pandehurin Roland Shyti togat e zeza vendosën 25 vjet burg dhe për Dritan Haten, 23 vjet. Të vetmit të pandehur të cilëve iu ndryshua masa e burgimit, nga dënimi i dhënë në Shkallën e Parë ishin Pasho Novruzaj dhe Gëzim Gjoni. Novruzaj u dënua me 17 vjet burg, nga 22 vjet që kishte vendosur Shkalla e Parë, ndërsa Gëzim Gjoni u dënua me 5 vjet, ndërsa ishte dënuar me 10 të tillë nga Krimet e Rënda. Pesë prej të pandehurve ndodhen aktualisht nën statusin e azilantëve politikë në vende jashtë Shqipërisë. Altin Arapi ndodhet si azilant në Belgjikë, Orik Shyti e Kreshnik Spahiu azilantë në Zvicër, ndërsa dy të pandehurit Nikolin e Pasho Novruzaj ndodhen në azil politik në Holandë.
KRIMET
Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se ka provuar 23 vepra të rënda penale, autorë të së cilave sipas saj kanë qenë anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”. Organi i akuzës i bën përgjegjës 10 të pandehurit për akte terroriste, rrëmbim personi, vrasje, plagosje, vjedhje, grabitje si dhe falsifikim të dokumenteve. Si ngjarjet më të bujshme kriminale të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” janë vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi në 26.07.1996, vendosja e eksplozivit në supermarketin e “VEFA”-s në Tiranë në 26.02.1996, ku u vranë 4 persona, ndërsa u plagosën 17 të tjerë. Sipas Prokurorisë, veprimtaria kriminale e kësaj organizate vazhdoi me grabitjen e dhjetëra filiale bankash, si dhe biznesesh të mëdha private në Tiranë.

Apeli, dënimet e “Hakmarrjes”

Orik Shyti         burgim i përjetshëm
Altin Arapi        burgim i përjetshëm
Gentian Caka         burgim i përjetshëm
Nikolin Novruzaj        24 vjet burg
Roland Shyti        25 vjet burg
Leart Shyti         24 vjet burg
Kreshnik Spahiu        24 vjet burg
Pasho Novruzaj         17 vjet burg    
Gëzim Gjoni         5 vjet burg     
Dilaver Hati        23 vjet burg

Orik e Leart Shyti: Gjykata vendim fshehtas, do ankohemi në Strasburg
TIRANE -Një ditë pas shpalljes së vendimit për “Hakmarrjen” nga Apeli i Krimeve të Rënda, kanë reaguar dy vëllezërit Orik dhe Leart Shyti me anë të një deklarate për shtyp. Sipas tyre, vendimi është shpallur në orën 17:00 pa praninë e asnjërit prej avokatëve, të cilët ligjërisht ishin njoftuar se vendimi do shpallej në orën 15:00. “Nuk e njohim përmbajtjen e vendimit, por thuhet se gjykata është shprehur se ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallë së Parë. Kuptohet se çfarë përmbajtje ka një vendim që nuk lexohet as në praninë e rojës së gjykatës, por njohja e tij është e nevojshme për të bërë ankesën në Gjykatën e Lartë. Duket se do ndiqet ajo taktikë që ndoqi Fakti. Do duhet të kalojë shumë kohë për t’u njohur me përmbajtjen e vendimit”. Duke pretenduar se janë dënuar politikisht, dy vëllezërit Shyti pohojnë më tej: “Vendimi, jo vetëm për ne, por edhe për shumëkënd që e di se pushteti personal i Sali Berishës është i pakufishëm, nuk ishte i papritur. Prej kohësh e kemi bërë të njohur bindjen tonë se vendimi do jepej kur të donte ai. Lojën e nisur me vonesat për të penguar apelimin e vendimit të Faktit e vijoi me militantin që ‘i ra shorti’ për të kryesuar gjykimin e ‘Hakmarrjes’”. Më tej vëllezërit Shyti thonë se më datë 23 qershor 2009, ndërsa pritej që gjykata të jepte vendim për kërkesat e mbrojtjes për marrjen e disa provave, për të cilat nuk ishte shprehur më parë, ajo e quajti të përfunduar shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për të dhënë vendimin përfundimtar. “Dhurata nuk iu bë në ditën që Berisha e kishte porositur, thjesht sepse kryesuesi nuk e siguroi dot shumicën. Faktet nuk vlejnë. Rrofshin shpifjet!”, pohojnë vëllezërit Shyti duke përfunduar: “Eshtë krejt e kotë t’i kujtosh popullit se Sali Berisha s’pyet për ligjet, Kushtetutën, institucionet e pavarura, standardet etj. Po deklarojmë edhe njëherë se Sali Berisha nuk e ka të vështirë të na dënojë, vështirë e ka të na pengojë të ankohemi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Prandaj përpiqet të na vonojë”.                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›