Elis Bakaj kërkon hakmarrje ndaj Lahtit
Elis Bakaj, sulmuesi i Dinamos, kërkon “hakmarrjen” ndaj Lahtit për të bërë një përmbysje të madhe, ashtu si më 1989 ndaj Çernomoretsit të Burgasit. Do një skuadër me mentalitet sulmues, e cila të arrijë te rezultati i premtuar, ndërsa nuk e mendon golin e Lahtit në portën dinamovite. “Ne nuk kemi se çfarë të humbasim, do të luajmë për të shënuar sa më shpejt”, ka thënë Bakaj për “Panorama Sport”, ndërsa i vjen keq për atë humbje aksidentale në Lahti, sepse, sipas tij, Dinamo nuk e ka merituar humbjen në shifra të tilla. Por Bakaj, edhe duke patur përvojën e grumbulluar jo vetëm te Partizani, por dhe në kombëtaren U-21 dhe atë të madhe, duket se është i vendosur për t’u hakmarrë. “Nesër është dita jonë dhe ne do ta bëjmë përmbysjen e madhe, atë që presin të gjithë tifozët dinamovitë”.