E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetë skulptura për parkun e Korçës Parkut të Korçës iu shtuan

 

Parkut të Korçës iu shtuan edhe tetë skulptura. Përfundoi dje simpoziumi ndërkombëtar “Skulptura e Parkut - Korça 2009”. Tetë skulptorët pjesëmarrës në Simpoziumin e dytë Ndërkombëtar, këtë vit erdhën nga Britania e Madhe, Italia, Egjipti, Zelanda e Re, Gjermania, Japonia dhe Shqipëria. Për dhjetë ditë rresht ata  realizuan në natyrë tek Parku “Rinia”, vepra kryesisht abstrakte në blloqe gurësh të bardhë, të sjellë nga zona e Skraparit me dimensione të paracaktuara nga artistët. Skulptori nga Britania e Madhe, Mattee Simmonds, ka realizuar në gur një qytet fantazmë, që evokon një botë magjike të lidhur me traditën artistike të qytetërimeve antike. Guliano Giussani nga Italia solli në gur një harmoni estetike mes formës dhe shpirtit, duke gërshetuar format archetipike të Mesdheut me strukturat me origjinë aziatike. Nagi Fareed nga Egjipti realizoi një formacion gjeometrik me yje, duke kombinuar gurin i cili është simbol i përjetësisë me çelikun si metaforë e kohëve moderne. Paora Te Ranguiaia nga Zelanda e Re, krijoi një skulpturë me forma tipike të historive e miteve legjendare të popullit të Maorëve. Jorg Plickat nga Gjermania realizoi një krijim vertikal i cili prezanton një lloj skulpture –arkitekturë, që evokon lartësitë e katedraleve gotike, por duke e lehtësuar me mjaft finesë peshën e gurit përmes formave gjeometrike. Yoshin Ogata nga Japonia në krijimin e tij trajtoi temën e  ujit, si elementi më jetësor i ekzistencës njerëzore. Genti Tavanxhiu nga Shqipëria skaliti skulpturën e titulluar “Nyja e dashurisë”.                                     J.Gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›