Nis festivali i orkestrave në Sarandë
SARANDE: Mbrëmjen e së martës ngriti siparin Festivali i katërt i Orkestrave Frymore. Edhe këtë vit, Saranda ka qenë mikpritëse e instrumentistëve, në një festival të orkestrave frymore. Për të katërtin vit radhazi skena e ngritur në një segment të shëtitores buzë detit të Sarandës, ka ftuar orkestrat e para. Edicioni i katërt është çelur nga formacioni i orkestrës frymore të bashkisë së qytetit të Korçës, e cila është drejtuar nga dirigjenti i njohur Pandi Bello. Repertorit tipik të marsheve të veprave klasike botërore, trupa e Korçës i ka shtuar edhe repertor klasik shqiptar, sikurse ishin dy vepra të Pjetër Dungut. Por ajo që u ndoq me ëndje nga publiku sarandjot ishte koncerti që dha “Folk Fanfara” e Tiranës, e drejtuar nga Xhemal Murraj. 13 instrumentistë bënë trupën më simpatike jo vetëm të natës së parë, por ndoshta edhe të krejt festivalit. Të afërta e të dashura për publikun tingëlluan potpuritë me muzikë të Shqipërisë së Mesme e ato nga muzika ballkanike, si: turke, greke, maqedonase, bullgare, rumune etj. Sh. D