Alibeaj mbledh grupin parlamentar për Presidentin, Berisha: Nuk ka tagër, Rama po fyen emigrantët!

Pas thirrjes së Enkelejd Alibeajt për mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, ka reaguar dhe Sali Berisha, i zgjedhur pak ditë më parë nga Rithemelimi në krye të PD.
Në një prononcim për media, Berisha ka deklaruar se Alibeaj nuk ka asnjë tagër për të thirrur mbledhjen e grupit parlamentar të PD. Sipas Berishës, çdo veprim i Alibeajt është sintonizim i një farse.
“Përveç autoritetit që i jep Edi Rama, Alibeaj nuk ka asnjë autoritet dhe tagër nga PD. Çdo veprim i tij është sintonizim i një farse të shpifur të zgjedhjes së Presidentit nga Edi Rama”, tha Berisha.
Më tej ai u ndal edhe te vota e emigrantëve duke dënuar pikëpamjen e Kryeministrit për konsiderimin e diasporës si zonë e veçantë elektorale. Berisha theksoi se emigrantët kanë të drejtë të ushtrojnë votën e tyre dhe kjo sipas tij mund të bëhet e mundur online. Berisha parajamëroi kryeministrin se do të hasë në rezistencë mbarëkombëtare.
“Dua të dënoj me ashpërsinë më të madhe pikëpamjen e Edi Ramës të konsiderimit të emigracionit dhe diasporës si një zonë e veçantë elektorale. E paralajmëroj të mos luajë me lirinë dhe të drejtën e miliona shqiptarëve që janë sot në të katër anët e botës. Ata do ushtrojnë të drejtën e votës së tyre për kandidatët e qyteteve apo zonat e tyre të origjinës. Teknologjia online e bën 100% të mundshme. Çdo përpjekje e tij e shprehur përmes veglës së tij Alibeaj për zonë të veçantë për emigracionin është fyerje e madhe që u bëhet emigrantëve dhe diasporës shqiptare. Do të hasë kjo në një rezistencë mbarëkombëtare”, u shpreh Berisha.
Në selinë e Partisë Demokratike janë duke u mbajtur dy mbledhje paralale, një e thirrur nga Enkelejd Alibeaj për procesin e zgjedhjes së Presidenti të ri, ku janë të pranishëm 20 deputetë, dhe një tjetër e thirrur nga Sali Berisha ku ka marrë pjesë Flamur Noka, Edi Paloka dhe Gent Strazimiri për të diskutuar lidhur me listën e kandidatëve për Kryesinë e re të PD-së, e cila do të votohet në 28 maj në orën 11.00 nga Këshilli Kombëtar.
/rtsh.al/