E Enjte, 5 Nëntor 2026

PS: Kemi legjitimitetin për zgjedhjen e Presidentit, por do donim të zgjidhej me 84 vota

Partia Socialiste deklaroi sot se ka legjitimitetin për të zgjedhur presidentin e ri të vendit me shumicë të thjeshtë, por këmbëgul sërish se do të parapëlqente si zgjidhje më optimale politike, zgjedhjen e një presidenti me 84 vota, në bashkëpunim me opozitën.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se socialistët do ti vazhdojnë negociatat me opozitën për arritjen e këtij objektivi, duke vënë theksin në raundin e tretë, ku i është lënë hapësira opozitës për të sjellë kandidaturat për kreun e ri të shtetit.

Balla theksoi në një prononcim për mediat se kushti i PS-së është një i vetëm që “kandidatët e opozitës të jenë krejtësisht të ndryshëm nga Ilir Meta”. Shqipëria, sipas tij, meriton një President Republike që të jetë realisht mbi palët.

“U kemi thënë propozoni ju. Nuk kemi marrë ende një propozim shkresor nga ana e PD-së. Pjesëmarrja në proces është përgjegjësi kushtetuese. Asnjë nga palët nuk po merr pjesë në proces për shkak të palës tjetër. Shqipëria meriton një president Republike mbi palët. Kam komunikuar me dy grupet e tjera parlamentare të opozitës, me të cilat do të vijojmë edhe në javën në vijim të komunikojmë. Negociatat mes tyre do të vazhdojnë. Ne nuk do të propozojmë emër deri të dielën në orën 16:00, me shpresën që PD do ta ushtrojë këtë të drejtë. E ka shumë gabim kur thotë se ne nuk e kemi legjitimitetin. Ne i kemi votat, por do donim që të zgjidhej me 84 vota. Nëse nuk do të ushtrohet kjo e drejtë nga opozita, ne do të ushtrojmë të drejtën tone” – tha Balla.

/rtsh.al/

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›