Partizani shikon më larg se Skënderbeun
Pas një shkëputjeje pesëjavore, sot do të fillojë pjesa e dytë e sezonit futbollistik 2007-2008. Partizani e nis nga Korça dhe ansambli i kuq është përgatitur për këtë ndeshje dhe, përveç fitores, nuk shikon rezultat tjetër. Sipas lojtarëve dhe drejtuesve të skuadrës, marrja e tripikëshit në fushën e Korçës nuk është shenjë nënvleftësimi për kundërshtarin, por thjesht zbatim i detyrave të tyre. Ndër skuadrat që pretendojnë të fitojnë titullin për këtë sezon, kalendari i javës së 18-të favorizon Partizanin, pasi ka një kundërshtar më të lehtë. Ndërsa Dinamo, Besa, Tirana dhe Elbasani përballen me njëra-tjetrën, prandaj të kuqtë nuk duan që ta humbasin rastin, duke fituar në Korçë si dhe të përfitojnë nga ndonjë gabim i rivalëve, kryesisht Dinamos. Para disa ditësh, në prognozën e tij për këtë javë, trajneri Hasan Lika u shpreh se fillimisht Partizani duhet të bëjë detyrat e tij në Korçë, pastaj të përfitojë nga gabimet e pretendentëve për titull. Djemtë e trajnerit Lika ndihen të gatshëm për sfidën e sotme me Skënderbeun dhe, përveç tripikëshit, të kuqtë shikojnë më larg, pasi kërkojnë të përsëritin startin e sezonit, ku arritën pesë fitore radhazi. "Pas përfundimit të minifazës përgatitore të janarit, skuadra ka një gjendje të mirë dhe, duke parë këtë gjë, mund të themi me plot gojën se Partizani është gati për pjesën e dytë të sezonit. Ecuria e skuadrës në 17 javët e para ka qenë e kënaqshme, por nëse do të eliminonim disa gabime të vogla, do të kishim grumbulluar më shumë se 31 pikë. Prandaj është momenti që me fillimin e pjesës së dytë të sezonit skuadra të mos përsëritë të metat e evidentuara më parë, por duhet të kopjojmë startin e kampionatit. Kampionatin e rifillojmë nga Korça dhe Partizani përveç tripikëshit nuk duhet të marrë rezultat tjetër. Skënderbeun e kemi vlerësuar si kundërshtar të radhës dhe jo si skuadër që mbyll tabelën e klasifikimit. Një fitore me korçarët do të thotë shumë për momentin, pasi së pari ruajmë vendin e dytë dhe ndihemi më të motivuar për ndeshjet e radhës,"- kanë deklaruar disa nga futbollistët e Partizanit (Osmani, Gjyla, Hallaçi, Tafaj, Abilaliaj, Devolli). Pra, sipas deklaratave të lojtarëve të kuq, kuptohet se pas përfundimit të takimit të sotëm me Skënderbeun, Partizani do të kapë kuotën e 34 pikëve.