Shënime nga Beogradi
Të Djelën në mesditë u nisa nga Prishtina në një mikrobuz të rehatshëm, në drejtim të Beogradit. Në kufi me Serbinë, nën anën Serbe, më thanë që nuk mund të hyj në Serbi. Kosova nuk njihet si kufi administrativ. Më shpjeguan që duhet të kthehesha pas në Prishtinë. Nga aty të merrja autobuzin për në Shkup. Nga Shkupi të merrja autobuzin për në Beograd. Me pak fjalë, që të mbërrija në Beograd, duhet të kaloja një ditë e kusur mbi kufij dhe autubuzë. U dorëzova, para vullnetit të kufijve, dhe vendosa të ndiqja itenerarin...
***
Në autobuzin e linjës Prishtinë-Shkup zura muhabet me kosovarë që studionin në Universitetin e Shkupit. Kishin kaluar fundjavën në shtëpitë e tyre dhe ktheheshin atje tani. I pyeta përse nuk studiojnë në Kosovë. M’u përgjigjën që degët që ata studionin nuk ekzistonin ose ishin ende në fazë fillestare në Universitetin e Prishtinës. Disa prej tyre kishin edhe nënshtetësinë maqedonase, për shkak të njërit prej prindërve. Dy studionin informatikë dhe dy të tjerët bënin specializimin në mjekësi. Më thonë gjithashtu që kanë një pagë vjetore për studimet, e cila për të dhënat ballkanike m’u duke goxha e lartë. I pyes se çfarë do bëjnë pas studimeve. Feriti thotë se mendon të hapë studio okulare në Prishtinë. Albani, që studjon informatikë, po nuk gjeti punë mendon të emigrojë në Gjermani. Urani nuk ka vendosur ende...
***
Në stacionin ndërkombëtar të autobuzave në Shkup ka kallaballëk. Pres biletën për në Beograd. Tetë orë është udhëtimi, natën. Deri sa të vijë autobuzi, duhet të presë tre orë. E vetmja gjë për t’u shënuar në pritjen time, është fytyra e egërsuar e ‘dezhurnit’ të WC kur harrova t’a paguaj. Eshtë fytyra më e egërsuar që kam parë deri sot në WC. Orët i shtyva në një nga kafeteritë e stacionit, duke pirë espresso pa numër. Përballë një frigoriferi gjigant Coca-Cola, në majë të së cilit ndodhen dy flamuj: ai maqedonas dhe i B.E-së. Autobuzi arrin. Nisemi...
***
Autobuzi është i vjetër por i rehatshëm. Kufijtë me Serbinë i kalojmë pa problem. I çliruar, më në fund, nga ankthi i kufijve, mendoj të marr një sy gjumë. Në qytetin Nish më zgjojnë zërat e pasagjerëve që nguten të braktisin autobuzin. Nuk kuptoj çfarë po ndodh. I afrohem shoferit që pi me përkushtim të madh cigaren. Serbishtja ime e mjerë është zhdukur krejt, për arsye të pagjumsisë. Pyes shoferin në anglisht çfarë po ndodh. Më tregon jashtë me gisht. Përsëri nuk kuptoj. Atëherë afrohet njëri prej pasagjerëve, që duket se i erdhi keq për mua. Më shpjegon në anglisht që duhet të ndërrojmë autobuzin. Më ka rastisur deri sot të ndërroj trena, por është hera e parë që më qëllon të ndërroj autobuz në mes të itinerarit. Jo më saktë, është hera e dytë. Kam ndërruar edhe një herë tjetër autobuz kur udhëtoja nga Hollanda për në Gjermani. Pasagjeri më nxit të ngutem. Autobusi niset për pesë minuta. Rend që të arrij, nën peshën e rëndë të valixhes. Hyj me sprint në autuboz. Eshtë më i vjetër se i pari, i pistë dhe i ngrohtë. Mbi të gjitha është plot. Shoh disa policë në reshtat e parë, ndoshta studentë të shkollës së policisë. Duke qenë se vuaj nga policofobia i kaloj pa i pyetur. Pastaj pyes dikë në anglisht në se ky është autubozi i saktë. Dikush më bën shenjë me kokë që ‘po’. Ndërsa përparoj, për të gjetur një vend bosh, dëgjoj prapa meje një pëshpërimë ‘Janki’... ‘Më mirë të kujtojë se jam Amerikan, se sa Shqiptar’ them me vehte. Më në fund gjej një vend bosh. Pasagjeri në krah është shumë bujar dhe i gatshëm të më ndihmoj, t’i gjej një vend çantës ku kam laptop-in. E pyes sa na mbetet deri në Beograd. ‘Katër orë’ përgjigjet. Nxjerr iPod dhe vë Peal Jam deri sa të arrijmë...
***
E dija që hoteli ku do rrija ishte në qendër të Beogradit. E kishte prenotuar për mua një mikja ime serbe, Katarina. ‘Hotel Union’ quhet, një hotel shumë simpatik, dhe gjendet në rrugën ‘Kosovska’, pra në “Kosovë”. ‘Kudo që shkoj në këtë udhëtim, fantazma e Kosovë më ndjek’ them me vehte. ‘Apo ndoshta ndjek Serbinë?’. Arrita në hotel rreth orës pesë të mëngjesit. Me një dëshirë të madhe të bie të fle si dru apo kufomë. Recepsionisti nuk u gëzua edhe aq shumë kur më pa. Po ndiqte me pasion të madh një film amerikan me shumë plumba, gango dhe karate. Pas shpinës së tij, një foto e madhe, tregonte ushtarë dhe civilë serbë duke festuar në Luftën e Parë Botërore. Bëri check in emrin tim dhe numrin e dhomës. Pastaj më informoi që nuk mund të hyja në dhomë tani. ‘Më vjen keq’ më thotë ‘por në orën 06.30 fillon dita e re e punës. Atëherë mund të hyni në dhomë’ dhe u kthye tek filmi amerikan plot plumba, gango dhe karate. Po mos të isha partizan fanatik i mendimit racional, do kisha menduar se një komplot i stërholluar ishte sajuar me qëllim asgjesimin tim fizik...
***
Që mos të dukesha si refugjat që pret të hapet mensa e bamirësisë, vendosa të dal. Të kërkoj ndonjë kafene të hapur. Lashë valixhen në hotel dhe fillova endjen nëpër Beograd. Temperatura jashtë, nëntë gradë nën zero. Ishte e shkruajtur t’a zbuloja Beogradin në sabah dhe në acar. Arrij në rrugën Skandarlja. Pra, ‘Në Shkodër’. Kafene dhe restorante të bukur por mbyllur gjithçka. Ngjitem rrugës ‘Despoti Stefan’. Deri sa gjej përballë meje trotuarin e mrekullueshëm ‘Kneza Mihajla’. Shoh emrat e bankave majtas e djathtas. Banka të famshme botërore. Më kujtohen fjalët e një gazetari në Shkup: ‘akoma edhe sot Serbia është ‘tigri ekonomik’ i Ballkanit’. Pastaj reklama të telefonisë celulare, dyqane me marka të shtrenjta. Beogradi është një qytet vërtet joshës. Nuk mund t’a kuptoj se si ai francezi Korbusje, pati shkruar që është qyteti më i shëmtuar në pozicionin më të bukur. Beogradi është një qytet i pasur. Ish kryeqytet i një mini-perandorie, asaj Jugosllave, të mirat e të cilës Serbët i shijuan goxha. Beogradi është qytet shumë i shtrenjtë. Papunësia në Serbi arrin 30%, rrogat mujore nuk i kalojnë 400 eurot. E megjithatë çmimet më kujtojnë Romën dhe Athinën.
***
Para ndërtesës elegante, të stilit Austriak të Muzeut Kombëtar, kqyr statujën e Obrenoviçit. Hipur mbi kal, me sytë pothujse të mbyllur nga bora. Nga historia di se Obrenoviçin e vranë kundërshtarët e tij nga dinastia e Karajorgjëve. Më parë, dinastia e Obrenoviçëve vrau dikë nga Karajorgjët. Serbët thonë se udhëheqësit e tyre e kanë traditë asgjesimin e njëri tjetrit. Nga Karagjeorga e deri tek Zoran Xhinxhiç. Shoh para meje ‘Kafenë e Carëve të Rusisë’, nga më luksozet e të frekuentuarat në Beograd. Një polic më sheh me dyshim, ndërsa endem fillikat. Ndalem para një tabelë që shkruan ‘Sexy, Cool, Chic’. Kështu u pëlqen banorëve të Beogradit t’a paraqesin qytetin e tyre... Shoh orën dhe vendos të kthehem në hotel. Nisem drejt rrugës ‘Kosovska’. Në një cep, mbi mur, një parrullë: ‘Jo kolonializmit të B.E’së. Mbi parrull simboli i drapërit dhe çekanit. Parrulla i takon një organizate staliniste. Erë anti-Europë e anti-Perëndim fryn në Beograd. Dhe nëse kandidati i nacionalistëve Tomislav Nikoliç fiton nesër, era mund të bëhet ‘stuhi’. Stalinistë e nacionalistë, me simbole të ndryshme seicili (të parët me drapër e çekan, të dytët me flamuj të Mesjetës dhe kryqin), përputhen absolutisht në urrejtjen ndaj Perëndimit dhe në feeling pro Putinit.
Duket se Serbia po përpiqet të marrë vendin e Shqipërisë së Enver Hoxhës në Ballkan, - them me vehte. Arrij në hotel. Recepsionisti më thotë që gjithçka është në rregull tani. Marr çelësin, hipi në ashensor dhe këmbët më dridhen nga mendimi se pas pak do shoh krevatin. Vetëm se kam frikë, pas një endje kaq të gjatë, mos më viziton, befas, në gjumw, ndonjë skenë nga Beteja e Kosovës...