E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj, opozitës: Mos fusni në vorbullën politike prokurorinë

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i bëri thirrje dje në Kuvend opozitës dhe deputetëve të saj, që të mos fusin në vorbullën politike institucionin e pavarur të prokurorisë. Alibeaj, duke folur në foltoren e Kuvendit, tha më tej se argumentet e opozitës për sa i përket të gjithë gamës së ngjarjeve të fundit, janë shterpë dhe mjerane. Ai më tej tha se opozita po vepron në mënyrë të paskrupullt me institucionet e pavarura. “Në mënyrë më të paskrupullt, duke abuzuar me mundësinë që ky Parlament ju ka dhënë për të folur në publik, keni futur në vorbullën politike edhe një institucion të pavarur, me funksione të pavarura siç është ai i ndjekjes penale”, - tha Alibeaj, i cili tha më tej se kjo situatë duhet të marrë fund për shkak se dëmtohen institucionet e pavarura. Ministri i Drejtësisë komentoi më tej akuzat e opozitës, të cilat sipas tij, nuk kanë asnjë argument të mbështetur në fakte të qarta juridike, po që bëhen, sipas tij, vetëm për qëllime të pastra politike, të cilat kanë si synim përfitime të ulëta politike. Ai shtoi se ky pozicion mjeran i opozitës do të bëjë që ajo të qëndrojë akoma më shumë si opozitë. “Shterpësia e argumentit tuaj politik për të shpalosur në rast se keni një alternativë qeverisëse, ju ka bërë të jeni të mjerë”, - tha më tej Alibeaj. Në deklaratën e tij përpara Kuvendit, Alibeaj tha se opozita nuk ka qenë korrekte dhe sipas tij, kjo është një fatkeqësi. “Fatkeqësia është juaja që për një kohë të gjatë ju do të qëndroni në këtë pozicion mjeran. Një opozitë, nëse është serioze, të paktën do të duhet të kuptojë dhe duhet të autofrenojë veten, në mënyrën më korrekte, në mënyrën më të qenësishme për të mos futur në vorbullën politike këtë institucion të pavarur, i cili është i të gjithëve, nuk është vetëm juaji”, - deklaroi përpara deputetëve ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›