E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shtetëzojmë Porto Romanon, të mësojmë të v[ërtetën

Një nga akuzat e vazhdueshme të opozitës ka qenë se shtetasi Damir Fazlliç ka blerë tokë në Porto Romano për shkak se atje do të ndërtohet park energjetik, dhe sipas deputetëve të majtë, kjo ka qenë një abuzim me pushtetin. Kësaj akuze të opozitës i është përgjigjur Kryeministri Sali Berisha dje në Kuvend, por me një ofertë, që sipas tij, “do të zbardhë të vërtetën”. Ai u kërkoi deputetëve të opozitës të sjellin në Kuvend një projektligj për shtetëzimin e gjithë kësaj zone, në mënyrë që kush ka prona në këtë pjesë, ta humbasë për interesin shtetëror. Kjo surprizë e dhënë nga Kryeministri Berisha ka gjetur të papërgatitur deputetët e opozitës, të cilët nuk e prisnin një ofertë të tillë. Reagimi i parë i opozitës erdhi nëpërmjet të bërtiturave në sallë dhe e cilësuan këtë ofertë si një farsë. Por për Kryeministrin Berisha opozita nuk kërkon të pranojë këtë ofertë për një shkak tjetër. Sipas tij, mjaft deputetë të saj janë të kapur nga kriminelë, të cilët, mes tyre, kanë prona në këtë zonë prej vitesh. Berisha lëshoi akuza të ashpra ndaj deputetëve të majtë, të cilëve u deklaroi se në rast sjellin projektligjin në Kuvend, me kushtet e tyre, ai do të jepte fjalën e nderit se do ta miratonte. Kjo nismë, sipas Berishës, do të nxirrte të vërtetën në publik. “Keni ngritur shpifje dhe trillime se Fazlliçi ka blerë tokë tek njollat e termocentraleve. Unë kam një propozim konkret. Sillini një orë më parë në rast se jua mban, sillni ligjin e shtetëzimit, dhe ju jap fjalën e nderit se do të shtetëzoj çdo centimetër tokë në atë zonë. Unë jam kundër shtetëzimeve, por ju bëjeni në rast se jua mban. Mos u keqpërdoroni si kone. Në rast se ju lënë, sepse jeni ju të përzier aty. Bjereni ligjin që t’jua faktoj këtu. Unë si Kryeministër deklaroj se në shpirt dhe në thelb jam kundër çdo shtetëzimi, por do ta bëj një herë atë dhe jo më tjetër. Me kërkesë të opozitës shqiptare do të shtetëzoj çdo centimetër tokë në Porto Romano. Drejtësia do të bëhet”, - deklaroi Berisha në Kuvend. Por Kryeministri i vendit nuk u ndal me kaq. Ai lëshoi akuza të ashpra ndaj mjaft deputetëve në vend, duke rikujtuar disa nga dosjet më të bujshme të krimit në vend, që sipas Kryeministrit, kanë brenda edhe emra deputetësh që sillen rrotull në sallën e Kuvendit. “Të kapur kokë e këmbë, sipas raporteve ndërkombëtare të klaneve mbi drogën, as shërbimeve që u janë bërë Dondollakut nga korrierët e tij këtu në Parlament, pas agresivitetit dhe lidhjeve me Kadrovskin dhe vizitës në shtëpi siç deklaron ai vetë, pas një sërë aktesh të kapur këmbë e kokë, pas dhjetëra lejeve të dhëna Delijorgjit vetëm tri ditë para arrestimit, pas pushimit në Kretë dhe vende të tjera, të kryera me paratë e tij, pas vrasjeve me jastëkë në hotelet e Spanjës, pas plumbave në qelinë e burgut 313 në Tiranë”, - akuzoi Berisha në një frazë të vetme. Por ai shtoi: “Unë nuk merrem me këto, do të merren shqiptarët dhe verdiktin do ta japë sovrani”. Veprimet e opozitës Berisha i ka cilësuar si makabre. Sipas tij, kjo opozitë e kapur nga krimi përdhos edhe të vdekurit duke thyer një nga kodet më të shenjta të traditës shqiptare, kodin e vdekjes. “Vazhdon opozita e boshit dhe mashtrimeve, opozita e kapur këmbë e krye nga klane të cilat kanë marrë goditje dhe janë të pashpresë. Por lidhur me të gjitha këto, do të jetë sovrani ai që do të japë verdiktin”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›