Oketa: Ambasadorët, lobim për anëtarësimin në NATO
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, kërkoi dje nga ambasadorët e akredituar në Tiranë një lobim aktiv pranë parlamenteve të vendeve të tyre për ratifikim sa më shpejtë të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Këtë deklaratë ministri Oketa e bëri gjatë workshop-it të organizuar në “Sheraton” nga Shtabi Qendror i NATO-s në vendin tonë me temë “Zgjerimi i Bashkëpunimit- Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO”. Të pranishëm në këtë seminar ishin ambasadorët e vendeve të NATO-s në Tiranë si dhe ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa. Përfaqësuesit e NATO-s, vunë në dukje arritjet dhe reformat në forcat e armatosura shqiptare duke vlerësuar kontributin e vendit tonë në misionet paqeruajtëse në Irak, Çad, Afganistan dhe Bosnje. Kurse Ministri Oketa vuri në dukje se “ kur ne filluam rrugën për në NATO, ne e dinim se do të ishte një maratonë, por sot ne jemi në hapat e fundit. Dua të shfrytëzoj momentin të falënderoj ambasadorët për mbështetjen dhe duke iu konfirmuar se Forcat e Armatosura Shqiptare kanë arritur një progres, duke kapur standardet e NATO-s". Në fjalën e tij Oketa njohu pjesëmarrësit me reformat e kryera në fushën e mbrojtjes, duke u ndalur sidomos në fazën në të cilën kanë hyrë tashmë Forcat e Armatosura Shqiptare, si dhe në bashkëpunimin e ngushtë me Aleancën. Ministri Oketa pohoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, i Kroacisë, shumë shpejt edhe i Maqedonisë, apo edhe ftesa për Serbinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën e në të ardhmen edhe për Kosovën, mund të konsiderohet si një sukses i plotë dhe i vërtetë i Aleancës në rajon, sepse sipas tij, “ky sukses na ka ndihmuar të besojmë që Ballkani ka një potencial të madh për paqen dhe stabilitetin, si dhe një bashkëpunim konstruktiv”. “Dhe përderisa ne ishim në gjendje që të aplikojmë një strategji të së ardhmes duke qenë të suksesshëm në konsolidimin e paqes për ne dhe për mbarë botën, kjo është mundësuar me mbështetjen e NATO-s dhe të shteteve anëtare të saj”, - tha z. Oketa. Punimet e konferencës së djeshme vazhduan me paraqitjen e dy prezantimeve. Në prezantimin e parë, që mbajti shefi i Zyrës së Këshilltarëve në Shtabin e NATO-s në Tiranë, kolonel Georgios Kokonoglou, u dha një informacion i plotë mbi historikun e Shtabit të NATO-s në Tiranë, për misionin, detyrat, strukturën, personelin dhe bashkëpunimin e tij në këto vite me Forcat e Armatosura Shqiptare. Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Mbrojtjes, kolonel Dilaver Hoxha, paraqiti brifingun për rrugën e Forcave të Armatosura Shqiptare drejt integrimit në NATO, duke u ndalur sidomos në procesin e ristrukturimit dhe reformimit të tyre, në strukturat kryesore të tyre si Forcën e Bashkuar, Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, Komandën Mbështetëse, në kontributin e dhënë në operacionet paqeruajtëse, në standardet e arritura prej tyre etj. Në fund të konferencës u bënë edhe vlerësime e diskutime nga disa përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë të pranishëm në këtë aktivitet.