Realizimi i buxhetit gjatë 2007-ës, debat në Kuvend
Parlamenti kaloi dje mes debatesh realizimin e buxhetit gjatë vitit 2007. Kontrolli Lartë i Shtetit dërgoi në Kuvend Buxhetin Faktik. Deputetët e të dy krahëve debatuan për realizimin e investimeve dhe shpenzimeve në tërësi. Deputetët e djathtë dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, u shprehën se viti 2007 ishte një pikë kthese për buxhetet në tërësi, duke i hapur rrugën një perspektive të re në ekonominë shqiptare. “Dy tregues të rëndësishëm, ai i rritjes ekonomike 6% në vitin 2007, nga 5.5% që ishte në 2005-ën dhe vlerësimi në terma nominalë i Produktit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2007 në rreth 980 miliardë lekë, me një rritje prej 9.7% në krahasim me vitin 2006 të bëjnë optimistë për faktin se vendi ynë ka ritmin e rritjes së PBB-së më të lartë nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Rritja prej 9% nga 2006-a në 2007-ën e Produktit të Brendshëm Bruto për Frymë ose në vlerë absolute 310 mijë lekë, pra 3875 dollarë, na shtyn në pohimin e një konstatimi tjetër”, - u shpreh deputeti i mazhorancës, Bujar Leskaj. Nga ana tjetër, ish-ministri i Financave dhe deputeti socialist, Arben Malaj, u shpreh se buxheti i vitit 2007 ishte një dështim. Sipas tij, në këtë buxhet ka pasur mosrealizime të cilat do të sjellin impakte negative për ekonominë shqiptare në vitet në vijim. “Në buxhetin e vitit 2007 konstatohen mosrealizime në shumë zëra dhe këto janë kompensuar nga tejkalimet e atyre të ardhurave që kanë cenuar ndjeshëm fuqinë blerëse të pagave, pensioneve dhe të ardhurave. Kjo strukturë të ardhurash mund të krijojë vështirësi në vitet pasardhëse, duke mbajtur parasysh edhe abuzivitetin e administratës fiskale. Ky shqetësim u deklarua publikisht edhe nga misioni i FMN-së”, - tha Malaj. Pretendimin e deputetit Malaj e hodhi poshtë ministri i Financave, Bode, i cili tha se ekonomia shqiptare tashmë po kap konsolidimin e plotë. Ai tha se rritja ekonomike në kushtet e një inflacioni të kontrolluar, ka sjellë efektet e një ekonomie e cila do të garantojë mirëqenien edhe uljen e mëtejshme të varfërisë.