Topalli takon edhe homologun spanjoll, Hoze Bono Martinez
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj disaditore në Spanjë, ka takuar edhe homologun e saj, Hoze Bono Martinez, i cili u shpreh se “Shqipëria ka një perspektivë të shkëlqyer”. Gjatë këtij takimi, Topalli mori vlerësimet e kryeparlamentarit spanjoll për reformat në Shqipëri. “Më vjen mirë që Shqipëria i ka të gjitha shanset për t’u anëtarësuar në NATO. Kam dëgjuar dhe lexuar shumë për historinë tuaj të vështirë, periudhën e tranzicionit dhe progresin e jashtëzakonshëm që po hap një perspektivë të shndritshme. Si kryetar i Kongresit të Deputetëve, jam shumë i kënaqur që gjatë vizitës tuaj Komisioni i Jashtëm votoi në unanimitet Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Spanja ju mbështet në sfidat tuaja integruese. Dy vendet tona kanë vuajtur në histori diktaturash të vështira, por edhe një periudhë tranzicioni të përshkuar me maturi”, - tha Martinez. Gjatë ditës së dytë të vizitës me axhendë të ngjeshur në Spanjë, kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kongresit të Deputetëve, Josep Antoni Duran Lleida. “Ratifikimi i Protokollit të NATO-s ishte dhurata më e bukur që mund të na bënit”, - tha në këtë takim Topalli.