E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: PD-ja të zgjidhë problemet e ish-të përndjekurve

PDK-ja mbështet kërkesat e drejta të ish-të përndjekurve politikë për dëmshpërblimin e viteve të burgut dhe të internimit. Kryetari demokristian, Nard Ndoka, shprehu dje shqetësimin që 3 vjet pas ardhjes në pushtet të PD-së, kategoria më e vuajtur e shoqërisë shqiptare vazhdon të protestojë për të drejtat e saj. Ndoka vuri në dukje se edhe pse po bëhen njëzet vjet nga përmbysja e diktaturës, Shqipëria ende nuk ka një distancim të qartë nga diktatura, nuk ka një dënim publik dhe ligjor të krimeve të komunizmit. “Për fat të keq, strukturat e krimit të diktaturës komuniste dhe eksponentë të rëndësishëm të saj, u infiltruan në proceset demokratike, duke e penguar dhe dëmtuar rëndë të ardhmen demokratike të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare”, - tha z. Ndoka. “Ne, - shtoi ai, - e ndiejmë se edhe gjatë këtyre viteve të tranzicionit, kur Shqipëria është përfshirë në procesin e zhvillimeve demokratike, në procesin e ndërtimit të shtetit të së drejtës, të bazuar mbi ligjin, pronën private, të drejtat dhe liritë e individit, përsëri individë që vijnë nga e shkuara e errët, kanë bërë të gjitha përpjekjet për t’u demonstruar shqiptarëve se demokracia është një sistem i korruptuar, një sistem i kriminalizuar, një sistem që nuk sjell zhvillim, po degjenerim të vlerave. “Këta eksponentë, ish-spiunë apo eksponentë të lartë të strukturave të diktaturës, kanë ndjekur të njëjtën politikë përjashtuese ndaj shtresës së ish-të përndjekurve politikë dhe ndaj të gjithë atyre politikanëve, intelektualëve dhe individëve që investuan energjitë e tyre për ndërtimin e një demokracie të shëndetshme, të një shteti normal, të një shoqërie që bazohet te vlerat kombëtare dhe evropiane”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Nard Ndoka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›