E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj për ekstradimet: Fajin e kanë të huajt

Ministri Alibeaj ka fajësuar sistemet e huaja të drejtësisë për mosekstradimin e një sërë "VIP"-ash të krimit shqiptar. Në një konferencë për shtyp, ai ka deklaruar se kjo është përgjegjësi e vendeve ku kryhen arrestimet dhe jo e drejtësisë shqiptare. Këtë deklaratë, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e ka bërë gjatë konferencës për shtyp për analizën e vitit 2008 për Përmbarimin. Madje, për këtë çështje, ai i ka konsideruar të pavend akuzat e Presidentit Topi, në lidhje me Shërbimin Përmbarimor.
Ditën e djeshme, ministri paraqiti një analizë pozitive të punës së Përmbarimit shqiptar për vitin 2008, në të cilën theksohet se 90% të të gjitha çështjeve kanë marrë një zgjidhje ligjore. Por, ai është pyetur nga gazetarët në lidhje me ekstradimet, sidomos për çështjen e ish-presidentit të firmës piramidale, "Populli". Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke folur për ekstradimet e ka vënë përgjegjësinë mbi sistemet e drejtësisë në vendet ku arrestohen të kërkuarit shqiptarë. Duke iu referuar edhe rastit më të fundit të mosarritjes së ekstradimit të një prej më të kërkuarve, Bashkim Drizës, ish-presidenti i firmës piramidale "Populli", Alibeaj shpjegoi se dokumentacioni ishte përpiluar brenda afatit. Ai ka shtuar, ashtu siç është përpiluar dokumentacioni edhe në rastet e tjera kur nuk janë realizuar ekstradimet e të kërkuarve shqiptarë, se kjo është përgjegjësi e vendeve ku ata janë arrestuar.
Më tej, ai i ka konsideruar të pavend akuzat e Presidentit Topi, i cili në fund të vitit që lamë pas, akuzoi zyrën e Përmbarimit për paaftësi, zvarritje dhe vonesa të qëllimshme në ekzekutimin e vendimeve. Vetë ministri Alibeaj kishte pranuar një pjesë të kritikave të adresuara për Përmbarimin edhe nga institucionet ndërkombëtare, duke paralajmëruar ndëshkime për përmbaruesit. Madje Alibeaj kishte paralajmëruar edhe ndëshkime penale dhe gjoba për punonjësit e këtij shërbimi. Madje, i pyetur nga mediat në lidhje me nxjerrjen kaq vonë të shifrave të Përmbarimit, ai tha se "nuk është çështje tempizimi gjetja e kohës për të divolvuar shifra dhe statistika". Sigurisht që Shërbimi Përmbarimor është institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe ministria është institucioni përgjegjës për të parë se sa strikt dhe korrekt me ligjin është kjo zyrë. Në lidhje me tërheqjen e vëmendjes nga Presidenti Topi, ministri Alibeaj u shpreh se kjo nuk ka ndodhur për shkak të daljeve publike, por për shkak të ligjit. Shërbimi Përmbarimor ka detyrim ekskluziv që sa herë një qytetar të paraqitet para sportelit për të kërkuar ekzekutimin e një titulli ekzekutiv, të ndërmarrë në mënyrë strikte vendimin.
Ndërsa për analizën, Alibeaj tha se mbi 90% e titujve janë ekzekutuar nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor gjatë vitit 2008. Sipas tij, gjatë vitit 2008, zyrat e përmbarimit kanë të regjistruara në total 18 512 kërkesa, ose praktika për ekzekutim. Nga ky numër total kërkesash, zyrat e përmbarimit kanë në ekzekutim e sipër brenda afateve procedurale 6864 çështje. Më tej, ai shpjegoi se 5806 çështje janë ekzekutuar totalisht, 2470 çështje janë ekzekutuar, duke marrë një vendim pushimi dhe 1050 çështje janë të pezulluara me vendim të gjykatave. Në total, 9386 çështje u është dhënë zgjidhje ligjore. Nga përllogaritja rezulton se 90% të çështjeve përmbarimore të regjistruara për ekzekutim në zyrat e përmbarimore iu është dhënë zgjidhje ligjore. "Këto shifra janë tepër optimiste dhe tepër optimale për kushtet dhe procedurat e ekzekutimit të titujve ekzekutiv, denjësisht të krahasueshme edhe me mesataret e ekzekutimit të titujve ekzekutivë të vendeve të BE-së", tha Alibeaj.

Realizimet në periudhën janar-dhjetor 2008 të Përmbarimit
18512 çështje janë regjistruar për ekzekutim
6864 çështje në ekzekutim brenda afateve procedurale
9386 çështje që u është dhënë zgjidhje ligjore
5806 çështje janë ekzekutuar totalisht
2470 çështje janë pushuar
1050 çështje të pezulluara me vendim gjykate
302 çështje të refuzuara
767 çështje të transferuara
60 çështje janë pushuar për shkak të shfuqizimit të Urdhrit Ekzekutiv
1193 çështje në ekzekutim i kanë kaluar afatet e ekzekutimit
90% e çështjeve u është dhënë zgjidhje ligjore

Ekstradimet

Refuzimi për
familjen Haklaj

Një prej familjeve që drejtësia shqiptare ka kërkuar ekstradimin e anëtarëve të saj, është ajo e Haklajve. Hamdi dhe Zylfije Haklaj ndodhen aktualisht në Suedi, në gjendje arresti, por drejtësisë shqiptare ende nuk i është dhënë dritë jeshile për ekstradimin e tyre. Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se ka përgatitur të gjitha dosjet në kohë, por ekstradimi është refuzuar. Sipas mediave, Gjykata në Suedi ka refuzuar ekstradimin, për shkak të rrezikshmërisë që paraqitet për jetën e Haklajve.

Izet Haxhia, i
kapur në Turqi

Që nga 5 qershori i vitit të kaluar, Gjykata turke gjykoi që të shtyjë vendimin për ekstradim të Izet Haxhisë. Ai i ngrys ditët në burgun e Aydinit. Sipas mediave turke, Haxhia dëshiron të kthehet në Shqipëri vetëm pasi Gjykata e Strasburgut të japë një vendim mbi procesin "Hajdari". Dëshira tij duket se përkon pikërisht me rihapjen e këtij procesi për ta rigjykuar edhe një herë pozicionin e tij në ngjarjen që u cilësua si vrasja e shekullit.

Aldo Bare, kapo i
Bandës së Lushnjës

Një tjetër person që është refuzuar deri më sot të ekstradohet është ai i Bandës famëkeqe të Lushnjës. Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, deklaroi në Gjykatën turke, atje ku është arrestuar, se në Shqipëri do e gjykonin politikisht dhe shprehu kërkesën e mosekstradimit të tij. Për këtë, ai vuri në dispozicion edhe filmime me fytyrën e tij, që ishin përdorur në fushata elektorale. Pas vlerësimit të këtyre fakteve, gjykata vendosi shtyrjen e vendimit për ekstradim.

Bashkim Driza, i
firmës "Populli"

I shumëkërkuari tjetër shqiptar ishte edhe Bashkim Driza, ish-president i firmës piramidale "Populli". Ministria e Drejtësisë kërkoi ekstradimin e tij, por edhe ky veprim nuk u realizua, pasi vetëm pak ditë më parë, ai u arratis nga vendi, ku qëndronte në gjendje arresti. Fillimisht, lajmi u konfirmua nga mediat në Uruguai, ku ai kishte braktisur banesën, pavarësisht se kundrejt garancisë, ishte i detyruar të mos dilte jashtë qytetit. Arrestimi i tij u konsiderua si një ndër më të suksesshmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›