E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradimet ose "loja" me kungulleshka



Dje, ministri i Drejtësisë shqiptare, Alibeaj me të "drejtë" fajësoi dikasteret homologe në botë për dështimin e ekstradimeve të eksponentëve të shumëkërkuar shqiptarë që janë kapur jashtë vendit. Por harroi të fajësojë edhe shtetin tonë. Si rast flagrant i fundit përdoret arratisja për herë të dytë nga arresti shtëpiak i bosit të piramidës financiare famëkeqe "Populli", Bashkim Driza. Ministri i Drejtësisë në thelb ngriti një problem madhor: jemi dificentë për sa u përket marrëveshjeve të këtij lloji. Dhe faji është gjithëpërfshirës. Me Uruguain ku u kap Driza, ne nuk kemi një marrëveshje të tillë. Drejtësia e vendit latin që e kapi dhe pranoi të na i sillte vetëm si "një shkëmbim", nuk kishte ç‘të bënte më shumë. Një oficer i Interpolit shqiptar edhe mund ta kishin dërguar aty. Por çështja është: përse shteti ynë nuk lëviz për të nënshkruar këto lloj marrëveshjesh kur dihet se supermafiozët shqiptarë të prangosur në shtete të ndryshme, jo vetëm që s‘po ekstradohen, por edhe po lozin fort me karta politike.
Për një kohë të gjatë për çështjen e ekstradimeve të dështuara, ka pasur një "luftë" mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme sidomos në kohën që ajo drejtohej nga Theodhori Sollaku. Secila palë e hidhte topin në fushë të tjetrit... Vetëm pak kohë pas uljes së Ina Ramës në kolltukun e postit të rëndësishëm një nga "punët" e para që urdhëroi ishte verifikimi i dosjeve të emrave VIP, për të cilët kishte dështuar ekstradimi nga vendet ku u kapën. Kështu, në atë kohë, një grup juristësh nga akuza qendrore mori në dorë dosjet e prokurorisë për Aldo Baren, Enver Dondollakun, Izet Haxhinë dhe pjesëtarët e të ashtuquajturës organizata "Hakmarrje për Drejtësi". Ky ekip i ngritur enkas për këtë çështje do të dilte me një raport, i cili do t‘i lihej mbi tavolinë shefes së madhe. Nëse nga ky investigim do rezultonte se hartimi i dosjeve është kryer në kundërshtim me ligjin, atëherë Prokuroria e Përgjithshme do të merrte masa ndëshkimore për stafin e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Dhe faktikisht, kjo "punë u krye. Por askush nuk foli se kush ishin fajtorët. Lufta mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë ka qenë e fokusuar vetëm në një gjë: Kush e ka fajin për dështimin sistematik të ekstradimit të kapove të krimit drejt Shqipërisë: paaftësia ose implikimi i organit të akuzës(siç ka deklaruar shpesh edhe kreu i PD-së Berisha) apo neglizhenca dhe dificensa e Ministrisë së Drejtësisë. Dosjet për personat e arrestuar jashtë Shqipërisë u krahasuan me dokumentet e servirura nga Ministria e Drejtësisë, e cila për këtë çështje ka bërë akuza sistematike sidomos në kohën e Sollakut. Rezultati? Të dyja palët janë deri në fyt me paaftësi, neglizhencë dhe pse jo edhe të inkriminuara në segmente të caktuara.

Shansin "politik" që ua japin vetë
Shumica e personave "VIP", të cilët renditen mes njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, si kartën numër një dhe më të fortë që kanë përdorur përpara gjykatave të vendeve ku janë arrestuar, ka qenë "politika". Dhe duket se deri tani ia kanë arritur qëllimit dhe këtë falë papërgjegjshmërisë së klasës politike që flet dhe zë emra në gojë nga çdo podium që i del përpara. Duke dashur të denigrojnë kundërshtarët politikë në ligjëratat e tyre fusin edhe krerët e krimit, duke harruar se kështu u japin "imunitet" në vendet me demokraci të zhvilluar. Edhe pse kanë kaluar disa vjet nga arrestimi i Aldo Bares, Izet Haxhisë, Dondollakut, Haklajt dhe dhjetëra të arrestuarve të tjerë, jo vetëm që asnjë prej tyre nuk është ekstraduar, por gati të gjithë janë në procese gjyqësore për marrjen e azilit politik.
Kështu, Ministria suedeze e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin e Hamdi Haklajt, për shkak se kthimi i tij në atdhe i vë në rrezik jetën. Të njëjtën "alibi" kanë përdorur edhe Orik Shyti, Altin Arapi apo Aldo Bare. Ata kanë përdorur me mjeshtëri disa prej akuzave publike që Kryeministri Berisha apo Partia Demokratike kanë bërë duke përdorur emrat e tyre si përzierje krimo-politike. Por nga ana tjetër edhe dosjet e akuzës kanë shkuar te homologët "copë-copë", madje ka raste që afatet kanë skaduar edhe si pasojë e "vonesave" në përkthim. Të gjithë deklarojnë sistematikisht se nuk duan të vijnë në Shqipëri. Kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, nëpërmjet dëshmisë para autoriteteve turke, ka deklaruar se nuk dëshiron të ekstradohet, pasi atje (në Shqipëri) akuzohet politikisht dhe në momentin që do të mbërrijë do ta ekzekutojnë. Dhe deri tani, këto pretendime kanë rezultuar si taktikë e suksesshme e avokatëve të tyre. Ne "i duam", por asnjëherë s‘kemi çuar ndonjë përfaqësues nëpër gjyqet e "VIP-ave" të krimit shqiptar për të mbrojtur drejtësinë tonë. Vendi ynë ka edhe një problem tjetër madhor me ekstradimet. Nuk kemi marrëveshje as me vende fqinje si Italia, ku krimi është ndërthurur mes dy vendeve aq shumë sa nuk ka më dallim kombësie. Mirë bëjmë që bëjmë lobingje në gjithë botën për hyrjen në NATO, Bashkimin Evropian apo për pavarësinë e Kosovës, nëse bëjmë. Por mirë do ishte të dërgonim një diplomat edhe në Uruguai për të nënshkruar një marrëveshje ekstradimi me këtë vend që të paktën bosi i "Popullit" të bënte ca vite burg këtu në Shqipëri qoftë edhe sa për të ngushëlluar ata qindra mijëra kreditorë të mashtruar që lanë pasuritë e jetës aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›