Aliçkaj riboton groteskun me “ndërkombëtarët”
Kur doli romani i Ylljet Aliçkajt gjithkush do ta kishte të vështirë të imagjinonte se si një njeri që ka punuar me ndërkombëtarët të merrte guxim për t’i “denoncuar” ata. Jo politikisht, por në një anë sociale përballë këtij vendi të varfër, e plot probleme siç është Shqipëria. Mjeti më i arritur për ta realizuar këtë Aliçkaj është gjetja e modelit orelluan, duke ngritur groteskun e zi në romanin “Rrëfenjë me ndërkombëtarët”. Ironia është artikulimi i parë, detajet, portretet, ngjarjet, sofizmi, realiteti dhe ireali japin përballë lexuesit pamjen e dytë të “zemërmirëve”, mëshiruesve tanë. Arsyeja pse ky autor ribotohet, shtëpia ekskluzive botuese “Toena”, na e parashtron si një gjest aktual për vendin tonë, kur imazhi i Shqipërisë në botë është në një nam jo fort të dëshirueshëm dhe nga diskutohet dita-ditës.
Botuesit na bëjnë me dije se ky roman është hedhur në treg i ripunuar dhe se ditën e diel shoqata kulturore “Les albanais de France” në Paris do të organizojnë në Qendrën e Artit dhe Kulturës në Montmartre një takim letrar me shkrimtarin, si dhe do të ketë një debat rreth romanit. Kujtojmë që Aliçkaj është në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Francë. “I jepet përsëri në dorë lexuesit, ky roman jo vetëm për faktin e pritjes me interes që iu bë nga lexuesi shqiptar, shitjes së tij të menjëhershme, apo të çmimeve letrare, por dhe si rezultat i tingëllimit gjithnjë e më aktual i problematikës së mprehtë që trajton ky libër”. Romani «Një rrëfenjë me ndërkombëtarë» trajton një subjekt provokues e cinik në të njëjtën kohë, një libër që blasfemon arrogancën “elitare” të një pjese të opinionit ndërkombëtar, një libër mbi kulturën e nënshtrimit, e mbizotërimit, një roman zyrash, ngjyrë gri, i përshkruar me mjaft humor, sarkazëm therëse, dhe cinizëm ironizues.
Kritika e ka quajtur librin një univers grotesk e cinik, një libër i zi nën dritën e diellit të një vendi të vogël evropian, ndërsa autorin një sfungjer që thith rreth vetes gjithçka groteske që ofron vetë jeta.
“Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” është roman artistik, i ngacmuar nga imazhi alarmant që mbizotëron sot në një pjesë të opinionit ndërkombëtar për Shqipërinë e shqiptarët, i cili bëhet shkak zhgënjimesh e deziluzionesh jo vetëm në planin individual dhe jo rrallë pengesë në planin politik e atë institucional. Romani hedh dilemën se mos vallë mirënjohja e thellë dhe toleranca e tepruar e shqiptarëve ndaj kontributit jetësor për zhvillimin e Shqipërisë postdiktatoriale, u keqkuptua nga një pjesë e opinionit të huajt?
Dhe nga ana tjetër, a ka një masë që të vlerësojë diferencat kulturore për të kaluar për pasojë në pabarazitë dhe diskriminimet, kur pranohet që çdo kulturë që bart vlera nënkupton edhe hierarkinë e tyre?
Sipas autorit nami i Shqipërisë dhe i shqiptarëve po ndotet ca më shumë seç e meritojmë dhe më tepër sesa një deficiti demokratik kjo është më së shumti pasojë e një deficiti komunikues. Njohja e problematikës shqiptare, nuk mund të bëhet e sforcuar apo me improvizime emocionale për të kërkuar mundimshëm simpatira ndërkombëtare.
Romani «Një rrëfenjë me ndërkombëtarë» përfaqësoi Shqipërinë ne Çmimin Letrar "Ballkanika" (romani më i mirë i vendeve të Ballkanit) për vitin 2007 dhe u vlerësua si një prej pretendentëve kryesorë për çmimin e parë.