MASH, 130 bursa studimi vitin e ardhshëm
Lehtësohet dhënia e vizave për studentë
Ministri Beja: Vitin tjetër, 130 muaj-bursa për studentët
Lehtësi më të mëdha për studentët që aplikojnë për studime jashtë vendit dhe shtim të numrit të përfituesve të bursave studimore. Duke nisur nga viti tjetër akademik, 2009-2010, vendi ynë përfiton nga këto vendime, duke orientuar studentë dhe pedagogë drejt programeve CEEPUS. Konfirmimi ka ardhur nga ministri i Arsimit, Fatos Beja, i ndodhur në Bukuresht të Rumanisë, në takimin me Komitetin e Përbashkët të Ministrave të Arsimit të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Zyra e shtypit e kësaj Ministrie bëri të ditur se ky takim u zhvillua në kuadër të programit CEEPUS, një program bashkëpunimi ndëruniversitar i rrjeteve të universiteteve të vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore, i cili nxit lëvizjen e studentëve dhe pedagogëve ndërmjet universiteteve të këtyre vendeve.
CEEPUS
Ministria e Arsimit dhe Shkencës sqaron se ministri Beja, i pranishëm në këtë takim, foli për realizimet e deritanishme të institucioneve tona të arsimit të lartë në kuadër të projektit, për kuadrin e ri ligjor në fushën e arsimit të lartë, i cili do ta nxitë më tej pjesëmarrjen e vendit tonë në këtë projekt. Ministri ka kërkuar nga vendet anëtare të programit CEEPUS që të lehtësohet dhënia e vizave për studentët pjesëmarrës në këtë projekt.
Këtë vit akademik, në programin CEEPUS janë përfshirë Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës dhe Universiteti "Ismail Qemali" i Vlorës. Në të ardhmen pritet që numri i universiteteve pjesëmarrëse të rritet më tej.
Në Bukuresht, ministri Beja pati takime dypalëshe me ministrat e arsimit të vendeve të tjera të Evropës Juglindore, ku u bisedua për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis vendit tonë dhe vendeve të tjera në fushën e arsimit dhe të shkencës. Një takim të veçantë ministri Beja pati me ministren e Arsimit dhe Kërkimit të Rumanisë, znj. Ekaterina Andronesku, me të cilën u ra dakord të punohet për realizimin e protokollit të bashkëpunimit ndërmjet ministrive të arsimit dhe të shkencës të dy vendeve. Shqipëria merr pjesë për të tretin vit në këtë program.
Bursat
Rreth 39 pedagogë dhe studentë shqiptarë kanë shkuar vitin e kaluar në universitetet e këtyre vendeve dhe 15 pedagogë dhe studentë të universiteteve të tyre kanë ardhur në universitetet tona. Në vijim, parashikohen edhe 75 lëvizje të tjera brenda këtij viti akademik.
Lëvizjet brenda rrjeteve universitare maten me muaj-bursa, të cilat mbulojnë shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në vendet përkatëse. Pedagogët shkojnë për të dhënë mësim, ndërsa studentët kryejnë një ose disa module dhe marrin kreditet përkatëse, të cilat njihen nga universitetet e rrjeteve ndëruniversitare.