E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Itali, marrëveshje për energjinë



Ruli dhe Scajola firmosin për sistemet elektrike e gazin

Ministri Ruli: Nga vlera, këto projekte më të mëdhatë në sistem

Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjetikës. Kjo marrëveshje do të ndikojë në integrimin e sistemeve të energjisë dhe gazit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Claudio Scajola, kanë nënshkruar dje marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në lidhje me integrimin e sistemeve elektrike dhe të gazit natyror. Kjo marrëveshje synon të promovojë ndërlidhjen dhe integrimin e sistemeve energjetike dhe realizimin e një harmonizimi të disiplinave përkatëse nëpërmjet zhvillimit të projekteve me interes të përbashkët dhe një koordinimi më të madh të nismave mes të dyja vendeve. Me qëllim zbatimin e objektivave të kësaj marrëveshjeje në lidhje me sektorin e energjisë elektrike, dy palët kanë rënë dakord që ndër të tjera të kompletojnë procedurat për dhënien e autorizimeve të nevojshme për zhvillimin e projekteve, që konsiderohen me interes efektiv, duke përshpejtuar procedurat përkatëse administrative; të promovojnë bashkëpunimin ndërmjet administratorëve respektivë të rrjeteve elektrike të transmetimit dhe koordinimin e aktiviteteve të tyre për sa i takon zhvillimit të shkëmbimeve ndërkombëtare të energjisë elektrike. Gjatë fjalës që kanë mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, dy ministrat kanë shprehur mbështetjen e tyre për projektet e interkonjeksionit elektrik që janë: projekti i integruar i quajtur “Energy Complex” nga shoqëria “Enel” s.p.a., i cili parashikon ndërtimin e një linje interkonjeksioni prej 500 MW ndërmjet rrjetit transmetues shqiptar dhe rrjetit transmetues italian dhe që është i lidhur me ndërtimin e një centrali me qymyr të importuar; realizimi në Shqipëri nga ana e grupit “Moncada” i një linje interkonjeksioni ndërmjet rrjetit shqiptar dhe rrjetit italian; realizimi në Shqipëri nga ana e grupit “Marseglia” i një linje interkonjeksioni me rrjetin italian; realizimi në Shqipëri nga ana e grupit “ASG Power” i një centrali elektrik të ushqyer me gaz natyror. Për sa i takon zhvillimit dhe integrimit të sektorit të gazit natyror, marrëveshja parashikon krijimin e një komiteti të përbashkët këshillimor, që përveçse do të veprojë si organ koordinimi dhe informimi ndërmjet palëve, do të marrë në konsideratë pasojat që realizimi në Shqipëri i infrastrukturave për furnizim me gaz, të integruara si në nivel rajonal ballkanik, ashtu dhe në nivel evropian nëpërmjet lidhjes me Italinë, do të sillnin mbi zhvillimin e tregut elektrik në rajonin ballkanik dhe në veçanti në Shqipëri.

Skajola vlerësoi klimën e Shqipërisë për investitorët e huaj

Ministri italian, Skajola, u ndal në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe shprehën interesimin e përbashkët për thellimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm. Ministri Skajola vlerësoi disa prej zhvillimeve të ekonomisë shqiptare sipas standardeve të tregut të lirë, gjë që ilustrohet edhe nga prania e madhe e mjaft sipërmarrësve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj në vendin tonë, të cilët kanë investuar dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në prodhimin e çimentos, tekstileve, mekanikës dhe shprehu besimin në ecurinë pozitive të mëtejshme ekonomike të vendit, duke u bazuar në resurset ekonomike, natyrore dhe njerëzore që Shqipëria disponon.

Ruli: Nga vlera, këto projekte më të mëdhatë në sistem

Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli, vlerësoi dje se historiku i bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë e Italisë ka njohur vetëm rritje, në mënyrë të veçantë me protokollet dhe marrëveshjet e fundit, të cilat synojnë jo më ndërhyrje emergjence, por zhvillimin e fuqizimin e infrastrukturave elektrike të vendit, veçanërisht në sistemin e transmetimit dhe integrimin e tij me sistemet fqinje. “Projektet që do të prezantohen nga kontraktorët italianë, të cilët përfaqësojnë sipërmarrje të mëdha të këtij vendi, si LTL 400 kV Elbasan-Tiranë, nënstacioni 400/220/110 kV ose Tirana 2, si dhe Qendra e Re Dispecer, kanë një rëndësi të karakterit strategjik për fuqizimin e sistemit tonë elektrik dhe lidhjen e tij me rrjetet evropiane”, - ka theksuar në fjalën e tij ministri Ruli. Ai nënvizoi se për nga vlera e tyre, këto projekte përbëjnë një nga investimet më të mëdha e më serioze në sistem, për nga shkalla e ndërhyrjes, kompleksitetit, kapaciteteve e teknologjisë së investuar, ato përfaqësojnë zgjidhje e zhvillime që do të rrisin në mënyrë të ndjeshme shkallën e kompatibilitetit të sistemit tonë me ato evropiane, kurse për nga shkalla e funksionit dhe sigurisë së furnizimit këto projekte janë jetike për rritjen e kapaciteteve të shkëmbimit dhe diversifikimit të burimeve tona.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›