E Diel, 1 Nëntor 2026

Alimani, Elezi dhe Budina, për herë të parë, një film artistik

Bordi artistik i projekteve të filmit artistik dhe dokumentar përzgjedh tri projekte që do të financohen nga Qendra Kombëtare Kinematografike. “Amnistia”, “Bota” dhe “Udhëkryq” rrëfejnë pak a shumë një Shqipëri të tranzicionit. Regjisorët, për herë të parë, do të provojnë të bëjnë një film me metrazh të gjatë

I mbledhur të hënën, Këshilli Miratues i Projekteve të Filmit Artistik dhe Dokumentar ka përzgjedhur regjisorët që do të mbështeten nga Qendra Kombëtare Kinematografike për realizimin e filmit të tyre të parë me metrazh të gjatë. Fitues janë shpallur tri projekte nga shtatë në konkurrim. I kryesuar nga Teodor Laço dhe me anëtarë Esat Mysliun, Bujar Lakon, Agron Tufën dhe Durim Nezirin, bordi ka shqyrtuar projektet “Amnistia” të Bujar Alimanit, “Hotel Turizmi” të Ermir Ketës, “Udhëkryqi” të Robert Budinës, “Etërit tanë” të Ilir Harxhit, “Teleferik” të Erion Kames, “Bota” të Iris Elezit dhe “Kodi i trëndafilit” të Fahri Hysajt. Fitues janë shpallur Bujar Alimani, Robert Budina dhe Iris Elezi. Filmi “Amnistia” i Alimanit, i mbështetur nga QKK-ja me shifrën rreth 203 mijë euro, rezultoi fitues i projektit të parë shqiptar në “Eurimages”, tetë muaj pas anëtarësimit të QKK-së në të, ku siguroi një mbështetje financiare prej 120 mijë eurosh. Bujar Alimani, i cili jeton dhe punon në Greqi, ka realizuar më parë filma me metrazh të shkurtër, si “Gaz” apo “Busulla” me të cilët ka konkurruar dhe ka fituar çmime edhe në festivale ndërkombëtare. Skenari, të cilin e ka shkruar po vet ai, trajton një temë sociale, në të cilën gërshetohen gradualisht edhe linjat e një marrëdhënieje midis dy njerëzve, që jetojnë në Shqipëri, një burri e një gruaje. Mes Pogradecit e Tiranës, dy personazhet (do të interpretohen nga aktorët shqiptarë që jetojnë në Greqi, Karafil Shena dhe Ornela Kapidani) janë karaktere që përpiqen, kundër rrjedhës së përgjithshme të gjërave, të krijojnë planetin e tyre me dashuri, erotikë, konflikte, dhimbje. Projekti i dytë fitues është zgjedhur “Bota” i Iris Elezit, me skenar të saj dhe Thomas Logorecit, i mbështetur nga qendra me rreth 174 mijë euro. Tre personazhet, një djalë dhe dy motrat e tij, regjisorja i vendos në kohët e sotme, të përcaktuara qartë nga e shkuara. Regjisorja Elezi shpjegon se ajo çka është perceptuar në Shqipëri si periudhë tranzicioni është vetëm një përkufizim dembel për të përshkruar gjithë kompleksitetet që njerëzit e këtij vendi kanë trashëguar. “është pikërisht ky kompleksitet që unë shpresoj të përcjell me fjalët dhe gjestet e karaktereve të mi: bijë dhe bija të rritur në robërinë e brendshme gati gjysmëshekullore të Shqipërisë. Konfrontimet e përditshme dhe traumat e vazhdueshme të këtyre individëve nuk gjenden vetëm në Shqipëri, por në pjesën tjetër të Ballkanit e po ashtu të Europës Lindore. Në filmin tim synoj të ndërtoj një portret të gjallë dhe të ndershëm të popullit shqiptar, një popull që ende duket në tranzicion të vazhdueshëm të shpirtit pavarësisht se jemi në shekullin XXI”, ka saktësuar më parë regjisorja për projektin e filmit të saj “Bora”, i cili ka konkurruar për të gjetur mbështetje dhe në strukturat ndërkombëtare të filmit. E diplomuar në New York University për Film & TV Production, Elezi ka realizuar disa filma artistikë të shkurtër dhe dokumentarë si "Gjethja e fundit", "Vetëvrasja", "Rilindja" etj. “Udhëkryqi” është projekti i tretë fitues i regjisorit Robert Budina, me skenar të tij në bashkëpunim me Karine Blanch, i cili do të mbështetet me rreth 192 mijë euro. Filmi rrëfen një histori emigracioni, por jo vetëm kaq... Aty rrëfehet historia e Saimirit 27-vjeçar dhe vëllait të tij të vogël, Vinit, 20 vjeç. Ata janë dy shqiptarë që përpiqen secili me mënyrën e tij për t’u integruar dhe përshtatur me jetesën e re në një qytet në veri të Greqisë. Më i madhi, Saimiri, është i fejuar me një vajzë greke dhe punon si mekanik në ofiçinën e vjehrrit të tij. Ai bën të pamundurën që Vini të fitojë pavarësinë dhe respektin për veten me punë të ndershme, por nuk do t’ia dalë. Sfondi i filmit trajton probleme të prekshme si prostitucioni apo mafia. Kasti i aktorëve i parashikuar përfshin shqiptarë e të huaj si Asia Argento, Billy Zane, Arta Dobroshi, Allyson Paradis, Eric Cantona etj. Për të tri projektet bordi ka dhënë sugjerime, të cilat duhet të merren parasysh. Në njoftimin për shtyp të QKK-së thuhet se financimi do të lëvrohet pasi të ketë përfunduar montazhi financiar i bashkëprodhimit të projekteve dhe paraqitja e skenarit të ripunuar. Kryetari i bordit, shkrimtari Teodor Laço, shprehet se sugjerimet që ata kanë dhënë, duke besuar se do të çonin në përmirësimin e skenarit nuk përbëjnë kusht përjashtues. Nga përvoja e viteve të shkuar, skenarët, që në shumicën e rasteve shkruhen nga vet regjisorët kanë shfaqur probleme serioze të cilësisë. Për këtë vit, Laço thekson se mes projekteve ka pasur skenarë të mirë, duke pasur parasysh se ky është filmi i parë i metrazhit të gjatë për këta regjisorë. Në fakt, ata janë emra të njohur në fushën e filmit, por pritet të shihet rezultati që do të kenë në metrazhin e gjatë në këtë fazë eksperimentuese për ta.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›