E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alkatrazi tropikal

"Nëse nuk keni asgjë për të bërë", shkruhet mbi murin e burgut, "atëherë mos ejani këtu". Një këshillë e cila duhet të ishte shumë e vlefshme gjatë viteve 1883-1989, kur burgu i San Lukas ishte sinonim i mizorisë dhe izolimit. Një vend ku të burgosurit ishin të detyruar të punonin nën diellin përvëlues. Me këmbët e lidhura me zinxhirë thyenin gurë dhe mblidhnin kripë, duke ëndërruar arratisjen.

Ishin vitet kur unë dëshiroja të vija këtu. Burgjet e vjetra gjithmonë më kanë tunduar. Kur vizitova qelitë, fillova të imagjinoja se si do të mund t‘i rezistoja një eksperience të tillë. Ndërsa shihja me ëndje strukturën e ish burgut të vjetër thura një plan arratisjeje. Ideja për t‘ja mbathur nga një ishull është edhe më tunduese. Por duke e gjykuar nga popullariteti i Alkatrazit dhe ish burgjet e tjera, nuk jam i vetmi që kam mbetur gojëhapur.

Mes tërheqjeve turistike të këtij lloji, San Lukas, është një nga të fundit. Në 2001-in, ishulli u quajt monument me interes historik. Ky ishte një lajm shumë i rëndësishëm për burgun e vjetër, për tetë vendet arkeologjike prekolumbiane dhe për kafshët që jetojnë në ishull, sidomos majmunët, armadilët dhe papagallët.

Në periudhën e mbylljes së burgut dhe inaugurimit të parkut kombëtar, në dhjetor të 2008-ës, ishte pothuajse e pamundur të vizitoje San Lukasin. Pak para hapjes zyrtare, zbarkova në këtë vend ku për një shekull kanë ardhur të burgosur të cilët duhej të kryenin dënimin e tyre në burgun e Alkatrazit. Pasi mora me qira një barkë të vogël në Puntarenas, një qytet i Kosta Rikës me pamje nga Oqeani Paqësor, arrita në San Lukas për 20 minuta. Të vetmet njerëz në ishull ishim unë, shoku im Hoze dhe dy rojet e parkut. Për të qenë më i qartë ishim të vetmet qenie të gjalla. Thonë se San Luksi banohet prej fantazmave që jetojnë në kishën e burgut, të pushtuar nga lakuriqët e natës dhe në zyrat e kateve të mësipërme. Shpirtrat jetojnë edhe në mensën e vjetër dhe qelitë me lagështirë, ku ndihet ende prania e të burgosurve që presin të përmbushin dënimin e tyre.

Fantazmat kanë lënë mesazhe të ndryshme mbi mure: futbollistë që shënojnë golin e fitores; një thikë që pikon gjak; një jaguar që vrapon me shpejtësi skëterrë drejt dritares së vogël të një qelie; një mace të qeshur e cila thotë: "Sonria al canaso" (buzëqeshi dënimit që duhet të kryesh). Përveç këtyre mesazheve të çuditshme, mbi mure vërehen edhe vizatime pornografike, nga shkarravitjet e thjeshta të pjesëve intime të trupit, te skenat më reale me shumë protagonistë. Mbi murin e errët të një prej qelive është vizatuar një grua e madhe me taka shumë të larta. Ka veshur një palë rroba banje të kuqërremta të ngjyrosur me gjak.

Izolim i nëndheshëm

Qelitë drejtkëndore, pak më të mëdha se një studio, mbanin brenda tetë persona. Dikur të burgosurit flinin në dysheme, ndërsa më vonë qelitë u pajisën me shtretër hekuri me dyshekë të hollë. Dhomat ishin të ngushta, kishin pak dritare, ndërkohë që ventilimi nuk ekzistonte. "Ej!", bërtiti Hose ndërsa po dilte prej një qelie. "Eja të shikosh se çfarë gjeta".

Dielli i mëngjesit ndriçonte oborrin e burgut. Gjethet e rënda nga pemët kishin mbuluar dyshemenë e oborrit. Mund të thithja aromën e oqeanit dhe të dëgjoja dallgët që përplaseshin në breg. Kushedi sa lehtësuese duhet të ketë qenë për të burgosurit të qëndronin këtu poshtë për pak minuta.

Hose, një ish cicëron që sot punon për entin e turizmit të Kosta Rikës, është shoku i duhur për një udhëtim ideal. Kur u takuam dy vite më parë në një hotel në xhungël zbuluam se ndanim të njëjtin kuriozitet për këtë ishull. Kurioziteti im kish filluar duke lexuar një libër të Jose Leon Sanchez, një i ish i burgosur, që për 19 vjet thërritej "I burgosuri 1713".

Leon Sanchez hyri në burg në vitin 1950, kur nuk dinte as të shkruante mirë dhe doli pas 20 vjetësh kur tashmë ishte bërë një shkrimtar i famshëm. Këtu kishte përfunduar veprën e tij të parë, duke ndjekur udhëzimet e revistës amerikane "Popular Mechanics". Publikoi një sërë librash, por vepra më e famshme mbetet romani i bazuar mbi eksperiencën e tij në burg: "La isla de los hombres solos" ("Ishulli i burrave të vetmuar").

Hose kishte gjetur një prej logove të përshkruara në libër. "Bëhet fjalë për qelinë e nëndheshme të izolimit", më shpejgoi duke u ulur në gjunjë pranë një qepeni. "Disa të burgosur kalonin muaj të të tërë aty brena dhe kishin të drejtë të merrnin ajër vetëm 15 minuta në ditë". Kur hapëm qepenin, nuhatëm një aromë të tmerrshme, një përzierje të tokës me lagështirë dhe metalit të gërryer.

Papritmas u ndjeva i gllabëruar nga pesha e burgut: "Bëjmë pak pushim, dalim nga këtu", i thashë Hosesë. Plazhi "El coco" me rërë të bardhë, i cili ndodhej pak metra larg burgut, rrethohej nga disa pemë të larta. Në pyll shiheshin mbetjet e disa barakave prej druri. Në vitin 1958 burgu ishte transformuar një fermë-burg. Të dënuarit me një sjelle të mirë mund të qëndronin disa orë jashtë për të peshkuar, për t‘u kujdesur për kopshtet, ose për t‘u shitur vizitorëve objekte prej argjendi. "Babai im bleu një peshk të vogël prej druri. E ruan ende", më tha Hoze.

Burgu i përshkruar nga Leon Sanchez para vitit 1958 ishte një vend shumë ndryshe: "Ndieja mbi lëkurën time zjarrin e çelikut, muajt e gjatë larg dritës, duart e mia të lidhura me zinxhirë dhe neverinë për gjendjen time e të qenit njeri. Në burg e kuptova se njeriu mund të katandiset si një qen, ose më pak se një qen", shkruante ai. Por Leon Sanchez e kishte përshkruar në mënyrë të mrekullueshme edhe bukurinë e ishullit, që po ta krahasoje me tmerrin e burgut ishte edhe më prekëse. "Nuk ka gjë më të bukur se San Lukasi në verë", shkruante sërish shkrimtari.

Për vite me radhë kafshët dhe bimësia e këtij ishulli janë shfrytëzuar në mënyrë të pakujdesshme, por tani natyra po i rimerr forcat. Në 2005-në përgjegjësit e parkut sollën në ishull arkën e Noes dhe shumë papagallë, drerë, iguana dhe armadilë. Kafshët e tjera nuk kishin nevojë për ndihmë. Në ishull jetojnë 120 majmunë, 40 lloje zogjsh, mes tyre pelikanë, huta dhe fregata, 17 lloj zvarranikësh, dhe 8 lloje lakuriqë nate. Këto kafshë përdorin britmat e tyre të fuqishme për të kontrolluar territorin.

Në burg kemi parë punonjësit e "Raleigh international" një shoqatë britanike që organizon ekspedita në të gjithë botën. Vullnetarët vijnë çdo tre javë, kujdesen për rrugët dhe mbledhin plehrat. Në plazh gjetëm një kukull me një krah të thyer, gjë e cila na kujtoi se edhe ishujt e pabanuar marrin kësisoj dhuratash nga rrymat e oqeaneve.

Leon Sanchez tregoi historinë e një të burgosuri i cili u përpoq të arratisej pikërisht nga ky plazh. Për të zbatuar planin e tij i burgosur kish lidhur në kokë një pelikan të ngordhur. Një prej rojeve, mizor me njerëzit, por shumë i dashur me kafshët, i kishte ndaluar të gjithë t‘i bënin keq pelikanëve. Mesa duket roja kishte qenë shumë i zoti të dallonte shpendët e gjallë nga ato të ngordhurit dhe kishte vendosur t‘i qëllonte të arratisurit.

Pa leje

Ikja jonë nga San Lukas nuk ishte kaq dramatike. Para se të ktheheshin në qytetin tonë, përshëndetëm drejtorin e parkut. E kishim takuar dhe më parë kur Hose i kishte paraqitur lejet tona. Ndërsa i shpjegoja drejtorit se sa i lumtur isha qe kisha parë këtë mrekulli të natyrës, një familje nga Kosta Rika, na u ngjit pas. Nuk e kishim të qartë se si kishin ardhur deri këtu, por ishte e qartë se nuk kishin leje. I kërkuan drejtorit të vizitonin ishullin. "Sigurisht", iu përgjigj ai duke qeshur, "por vetëm kini kujdes që fëmijët të mos mbeten mbyllur në qeli". Mirëserdhët në Kosta Rika, aty ku lejet zyrtare janë gjithmonë të nevojshme, përveç atëherë kur paraqiteni diku papritur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›