E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galileo dhe teleskopi që na dha gjithësinë

Këtë vit ka shumë përvjetorë
për sa u përket
njerëzve të lidhur me
shkencën. Një pjesë e
madhe e dinë se viti 2009 është
200-vjetori i lindjes së Çarls
Darvinit, "babait" të Teorisë
Evolutive dhe 150-vjetori i publikimit
të parë të librit të tij të
famshëm, "Origjina e llojeve".
Ndërkohë, pakkush e di se
pikërisht këtë muaj mbushen
plot 400 vjet nga një zbulim
që na ka bërë më të afërt me
botën e largët të yjeve. Është
një ngjarje që ka ndryshuar
shumë mendimin dhe njohuritë
njerëzore, si dhe mënyrën se si
ne e shohim veten. Pikërisht
400 vjet më parë, në 25 gusht të
vitit 1609, astronomi dhe filozofi
italian, Galileo Galilei, u tregoi
tregtarëve të Venedikut shpikjen
e tij më të fundit dhe një ndër
më interesantet: teleskopin.
Ky mjet do t‘i sillte Galileos jo
vetëm pavdekshmëri në lëmin
e shkencës, por edhe shumë
shqetësime. Modeli i parë ishte
një nga ata që mund të gjendet
edhe sot e kësaj dite në dyqanet
e posaçme të veglave optike. Ai
ishte një gyp i hollë, me gjatësi
mesatare, i vendosur në një
dykëmbësh druri, duke formuar
një kënd 30-gradësh me
sipërfaqen e tokës. Fillimisht
nuk ishte shumë i fuqishëm,
por modelet e mëvonshme të
shpikura nga vetë Galileu sollën
ndryshime rrënjësore në jetën e
njeriut dhe fatkeqësisht i hapën
shumë telashe vetë shpikësit.
Galileo bëri zbulime që binin
kryekëput në kundërshti me
dogmat e kishës në atë kohë dhe
për këtë e pati shumë të vështirë
ekzistencën. Teleskopët më të
mirë ishin ata me tetë thjerrëza
dhe të aftë që të depërtonin në
thellësi të qiellit e t‘i "grabisnin"
atij disa të fshehta që deri më
atëherë ai i mbante për vete.
Kështu, sipas zbulimeve të bëra
nga vetë Galileo me teleskopin e
tij, Hëna, ndryshe nga sa mendohej
deri në atë kohë, nuk ishte
tërësisht e sheshtë. Një tjetër
planet, Jupiteri, kishte gjithashtu
Hëna që silleshin përqark
tij, madje shumë më tepër nga
sa mendohej para zbulimit të
Galileos. Për sa i përket Venusit,
ai ishte një planet që kishte
faza si të Hënës. Ky fenomen i
fundit ishte parashikuar edhe
nga vetë Nikola Koperniku kur,
rreth një shekull para zbulimit
të Galileut, ai propozoi nocionin
e një sistemi planetar, që kishte
Diellin në qendrën e tij dhe
planetët që i vinin rrotull në orbita
të mirëpërcaktuara. Kjo bëri
që nga sistemi, i cili mendohej
se kishte në qendër Tokën, të
kalohej në atë që ka në qendër
Diellin dhe rreth tij planetët.
Zbulimet e Galileo Galileit ishin,
sikundër mund të merret me
mend, jo të mirëpritura nga Kisha
Katolike. Mandej, për gjithë
zbulimet dhe bindjet e tij, Galileut
iu bë jeta shumë e vështirë
nga inkuizicioni dhe vitet e
fundit të jetës ai i kaloi në arrest
shtëpie, në mungesë të lirisë.
Zbulimet e tij rrëzonin dogmat
e kishës, ashtu sikundër Darvini
më vonë përmbysi me teorinë e
tij evolutive të species dogma të
tjera. Para disa kohësh, Vatikani
ka kërkuar falje për sjelljen ndaj
këtij njeriu mendjendritur që i
dhuroi njerëzimit, me koston e
vështirësive personale, vizionin
e një bote të re, që nuk është e
vetmuar në mesin e gjithësisë,
por një nga pjesëzat e saj të
panumërta. Galilei ishte jo
vetëm një fizikan, por edhe
filozof. Ai lindi më 15 shkurt
të vitit 1964, në afërsi të Pizës
dhe ishte biri i një muzikanti.
Nisi të studiojë mjekësi në
Universitetin e Pizës, por më
pas i la studimet përgjysmë,
për t‘iu kushtuar filozofisë dhe
matematikës. Në vitin 1589 u
bë profesor i Matematikës në
Piza dhe më pas shkoi edhe në
Padova, ku qëndroi deri në vitin
1610. Gjatë kësaj kohe kreu një
sërë eksperimentesh, përfshi
ato për shpejtësinë me të cilën
bien objekte të ndryshme, eksperimente
për mekanikën, apo
pingulet. Në vitin 1609, Galileo
dëgjoi për shpikjen e teleskopit
në Holandë. Pa parë një mjet të
tillë me sy, ai ndërtoi një version
më të mirë se ai që ishte shpikur
në Vendet e Ulëta dhe me të bëri
shumë zbulime astronomike.
Në vitin 1614 ai u akuzua për
herezi, për mbështetjen që i
dha teorisë së Kopernikut për
sistemin heliocentrik, pra atë që
në qendër vinte diellin. Kjo ide
ishte shumë revolucionare në
një kohë kur kisha vinte Tokën
në qendër të gjithësisë. Në vitin
1616 atij iu ndalua nga kisha
që të përhapte teori të tilla. Në
vitin 1632 u dënua për herezi
pas botimit të librit "Dialogë në
lidhje me dy sisteme të mëdha
të botës". Më pas u detyrua që
publikisht të hiqte dorë nga
mbështetja që i dha teorisë së
Kopernikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›