E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama në bashkinë e Tiranës, 15 për qind më shumë nëpunës se Kancelarja e Gjermanisë”

Komitetit i Planifikimit të Strategjive diskuton dhe miraton treguesit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2010-2012, ndërkohë që paralajmëron një politikë kombëtare edhe për zvogëlimin e administratave në njësitë e qeverisjes vendore

“Për mua është e dhimbshme kur kam vetëdije se mbi 30 apo 40 përqind e rrugicave të Tiranës janë në baltë, siç kanë qenë 300 vjet më parë, në një kohë kur ne kemi komuna të tëra që nuk kanë rrugicë të paasfaltuar, ndërsa porosit që, në mënyrë absolute, qëllimi më i parë është që qytetet të jenë në lartësinë e tyre dhe zonat rurale të ngjajnë me lagjet e qyteteve. Por, natyrisht, kur i merr paratë dhe i shndërron në rroga, ato nuk mbeten për të asfaltuar rrugët, nuk mbeten për gjelbërim, nuk mbeten për shkolla, nuk mbeten për kopshte dhe nuk mbeten për qytetarin, në një kohë kur shërbimet po i dixhitalizojmë”

TIRANE – Bashkia e Tiranës ka të punësuar 15 për qind më shumë nëpunës se sa ka Kancelaria e Gjermanisë. Përmes shifrave krahasues, Kryeministrit Sali Berisha ka bërë dje midis të tjerave në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, se bashkia e Tiranës, ka të punësuar rreth 12 - 14 herë më shumë punonjës se sa respektivisht dy bashkitë e tjera socialiste, ajo e Vlorës dhe e Durrësit.
Gjatë kësaj mbledhje të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, ku u diskutua dhe u miratua kuadri i treguesve makroekonomik dhe fiskal të rishikuar për periudhën 2010-2012, Kryeministri Berisha kërkoi nga qeveritë vendore që të rishikojnë organikën e tyre, pasi në disa raste ajo është e mbingarkuar. Kryeministri Berisha i ftoi qeveritarët vendorë që, në respekt të plotë të votës së sovranit, i cili ka votuar për qeveri të vogël, të adaptohen me standardin qendror të qeverisjes.
“Qeveritë vendore, dyfishimit dhe trefishimit të fondeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, kopshte, sistemime, etj., për fatin më të keq i janë përgjigjur me dyfishimin e numrit të punonjësve. Sot, këto qeveri vendore konsumojnë 35 për qind të fondeve të tyre si fond pagash”, u shpreh Kryeministri Berisha, duke shtuar se “nuk mund të ketë më shumë se 20 për qind të buxhetit shpenzime për rrogat”
Më tej, Kryeministri u shpreh se “komuna ndër më të mëdhatë e vendit kanë nga 20 dhe 21 punonjës, ndërsa komuna të tjera janë me nga 102 dhe nga 150 punonjës. Një bashki e kategorisë së parë ka shumë më pak punonjës sesa një tjetër bashki që mezi cilësohet e kategorisë së parë. Ajo që është jashtëzakonisht e papranueshme është fakti se bashkia e Tiranës ka të punësuar 14 herë më shumë se sa në bashkinë e Durrësit, ka rreth 3200 punonjës”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Fryrja e administratës nga njësitë vendore
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha solli edhe një herë në vëmendje, premtimin kryesor, të para katër vjetëve, për një qeveri të vogël.
“Një nga premtimet tona më kryesore ka qenë qeveria e vogël dhe ky premtim pa pasur dy qëllime kryesore. Qëllimi i parë ka qenë që të ulë barrën e rëndë të administratës mbi supet e brishta të taksapaguesve shqiptarë. Me përpjekje shumë serioze, me një administrim rigoroz, me shkurtime që arritën deri në 32 për qind të administratës qendrore, shkurtime të dhimbshme, por të domosdoshme, në zbatim të premtimit për një qeverisje të vogël, ne ia dolëm të shkurtojmë një numër shumë të madh punonjësish. Ne ia dolëm të rrisim me 68 për qind rrogën mesatare të administratës shtetërore, por i’a dolëm edhe të mbajmë limitin e qeverisë së vogël.  Ne shpenzojmë 20 për qind të buxhetit për rroga”, u shpreh dje Kryeministri Berisha.
Në kundërshtim me këtë, Kryeministri kujtoi se këtij vullneti dhe ritmi të qeverisë nuk iu përgjigj pushtetit vendor, i cili në të kundërt, ndërsa ju rritën fondet për investime nga buxheti i shtetit, shtoi ap qebe nevoja disa fish administratën e ti lokale.
“Çfarë ndodh në një kah tjetër? Kahe tërësisht të kundërt ka marrë administrata e qeverive vendore. Dyfishimit dhe trefishimit të fondeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, kopshte, sistemime, qeveritë vendore, për fatin më të keq, i janë përgjigjur me dyfishimin e numrit të punonjësve. Sot, këto qeveri vendore konsumojnë 35 për qind të fondeve të tyre si fond pagash. Nuk dua të bëj politikë, sepse ky parim nuk është shkelur në mënyrë të njëanshme vetëm nga qeveritarët vendorë të partisë opozitare, por, në raste të përsëritura, është shkelur edhe nga qeveritarë vendorë të Partisë Demokratike”, vijoi më tej Kryeministri.
Për Kryeministrin Sali Berisha, rasti më tipik dhe më i papranueshëm, është rasti i administratës së bashkisë së Tiranës, i cili për nga numri ia kalon edhe Kancelarisë gjermane, si dhe disafish, bashkive të mëdha socialiste, sikurse janë ato të Vlorës apo të Durrësit. “Ajo që është jashtëzakonisht e papranueshme është fakti se bashkia e Tiranës ka të punësuar 14 herë më shumë se sa në bashkinë e Durrësit, rreth 3200 punonjës. Ajo ka të punësuar rreth 12 herë më shumë se sa bashkia e Vlorës. Kryetari i bashkisë së Tiranës në headquarter-in  e tij, ka shumë më tepër punonjës sesa Kancelarja gjermane. Nuk është ky sensi. Ky sens është dramatik. Qeveria gjermane (Bundeskanzler) ka 15 përqind më pak punonjës sesa bashkia e Tiranës, se headquarter-i i zotit Rama. Kjo nuk mund të tolerohet. Shqiptarëve u është premtuar një qeveri e vogël. Unë dua t’ju garantoj ju se kam qenë dhe do të jem promotor i rritjes së rrogave të punonjësve të qeverive vendore. Nuk dua të bëj asnjë dallim me inkurajimin e rritjes së pagave midis punonjësve të administratës qendrore me punonjësit e administratës vendore, por kriterin do e respektojmë. Kjo nuk do të thotë të rrisësh fondin e pagave duke dyfishuar  numrin e punonjësve.  Kjo është, absolutisht, e papranueshme. Kjo krijon një barrë të rëndë mbi shpatullat e brishta të qytetarëve shqiptarë dhe nuk munde të bindësh kurrë njeri se Tirana qenka 14 herë sa Durrësi”, u shpreh Berisha, për rastin e bashkësisë së Tiranës.
Në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, Berisha solli edhe raste të tjera abuzimesh me fryrje administrate, nga njësi të tjera vendore, të opozitës e të mazhorancës.
Duke e cilësuar “kapitull të mbyllur”, këtë mënyrë të shpërdorimit të fondeve publike të taksapaguesve shqiptarë, Kryeministri kujtoi gjithashtu se, “për mua është e dhimbshme kur kam vetëdije se mbi 30 apo 40 për qind e rrugicave të Tiranës janë në baltë, siç kanë qenë 300 vjet më parë, në një kohë kur ne kemi komuna të tëra që nuk kanë rrugicë të paasfaltuar, ndërsa porosit që, në mënyrë absolute, qëllimi më i parë është që qytetet të jenë në lartësinë e tyre dhe zonat rurale të ngjajnë me lagjet e qyteteve. Por, natyrisht, kur i merr paratë dhe i shndërron në rroga, ato nuk mbeten për të asfaltuar rrugët, nuk mbeten për gjelbërim, nuk mbeten për shkolla, nuk mbeten për kopshte dhe nuk mbeten për qytetarin, në një kohë kur shërbimet po i dixhitalizojmë. Ndaj dhe për të mbyllur këtë kapitull të hidhur do të krijohet Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Paratë e buxhetit do të kalojnë në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, por nuk them se nuk do të japim një sasi të pakushtëzuar parash, e cila do të jetë absolutisht minimale, për t’u përdorur për rroga dhe për qelepir”, vijoi më tej Kryeministri Berisha.
Në mbledhjen e tij të djeshme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, Kryeministri ripërsërit garancinë dhe premtimin për “qytetarët, por dhe qeveritarët vendorë, të cilët janë treguar të përkorë në qëndrimet e tyre dhe kanë respektuar parimin e qeverisë së vogël, se vitin që vjen dhe vitet në vazhdim do të njohin shumëfishim të investimeve për qarqet, rajonet, komunat bashkitë dhe fshatrat e tyre. Në mënyrën më progresive do të rritet financimi për ndryshimin e jetës së tyre dhe do të konsolidohet partneriteti i nisur në katër vitet e shkuara, pa asnjë dallim partiak. Unë them se një kapitull i ri dhe jashtëzakonisht i dobishëm hapet me këtë. Edhe njëherë, qeveritë vendore duhet ta dinë se fondet tona për to do të shumëfishohen gjatë mandatit 2009-2013”, u shpreh midis të tjerave Kryeministri Berisha.

Treguesit makroekonomikë e fiskalë për vitet 2010-2012
Më tej mbledhja e Komitetit të Planifikimit Strategjik vazhdoi me diskutimin dhe miratimin e kuadrit të treguesve makroekonomik e fiskal të rishikuar për periudhën 2010-2012, si dhe një rishqyrtim i buxhetit të këtij viti.
Duke ripërsëritur faktin se Shqipëria nuk e përjetoi krizën ekonomike, Kryeministri Sali Berisha, mes shifrave krahasuese, bëri të ditur se treguesi më i mirë për këtë ishin shtimi i të ardhurave buxhetore, për vendin tonë, ndryshe nga shumë vende të tjera, përfshi edhe ato të rajonit.
“Shqipëria pati fatin e madh që, për shkak të parimeve të drejta politike që ka ndjekur, të mund të vazhdojë kursin e saj të zhvillimit pa e ndryshuar për shkak të krizës. Shqipëria nuk provoi krizën dhe kjo është e vërteta më e  rëndësishme. Për ta ilustruar këtë, vendet që u prekën nga kriza kanë pasur, krahasuar me vitin e kaluar, një rënie të të ardhurave buxhetore që shkon nga 8 - 24 për qind. Kroacia ka pasur një rënie prej 8 për qind, Serbia ka pasur një rënie më të madhe ekonomike, Maqedonia ka pasur gjithashtu rënie ekonomike, kanë pasur rënie ekonomike  edhe vendet e mëdha, vendet Baltike, etj. Cili ka qenë efekti i rënies së të ardhurave? Efekti i tyre ka qenë direkt në detyrimin këtyre qeverive për të ulur rrogat nga 8-16 për qind. Pagat i kanë ulur vendet Baltike, i ka ulur Irlanda, i ka ulur Kroacia,  i kanë ulur shumë vende, sepse të ardhurat e mbledhura nuk arrinin të paguanin rrogat e parashikuara”, u shpreh Berisha, duke shpjeguar edhe efektin e luhatjeve të të ardhurave buxhetore.
Për sa i përket situatës në Shqipëri, Berisha ripërsëriti gjithashtu edhe faktin tjetër domethënës, se vendi ynë ishte i vetmi që regjistroi rritje pagash, për këtë viti krize ekonomike për vendet e tjera në Evropë e Botë.
“Ne jemi i vetmi vend në Evropë dhe botë, që bëmë rritjen më të madhe të rrogave në këtë vit krize. Më thoni, a ka mbetur qytetar shqiptarë pa e marrë rrogën? U bihej sirenave për të mos rritur rrogat, por ne rrogat i rritëm. Ne nuk kishte pse të mos i rrisnim rrogat, vetëm se dikujt i interesonte që vendi i tij të zhytej në krizë. Shqipëria nuk ishte në krizë. Ne dispononim të ardhura. Çdo ditë sirenat bien se po bëhen prokurime pa fonde. Kjo është qesharake, se edhe Don Kishoti do i thoshte Sanços që po e tepron. Nuk mund të ketë prokurime pa fonde, sepse ka ligje dhe as nuk mund të fillohen punime pa financime. Kjo është e vërteta”, sqaroi Berisha, duke ironizuar edhe me pretendimet e përsëritura të opozitës.
Për Kryeministrin Berisha, gjithsesi kriza globale ka pasur pasqyrimin saj në disa drejtime në Shqipëri. Kjo ka qenë prezent më shumë në një boshllëk që kanë lënë në planin e realizimit të të ardhurave nga doganat, për shkak të rënies së disa çmimeve, sikurse janë i karburanteve, grurit, hekurit etj., në tregun botëror.
“Këto bënë që me planin doganat të lënë një boshllëk prej 65 milionë dollarë, jo duke u krahasuar me vitin e kaluar, sepse krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat në Shqipëri janë 7 për qind më të larta, ndërkohë që tatimet janë në realizim mbi 100 për qind. Ka pasur një mosplotësim të planit nga qeveritë vendore, të cilat kanë lënë pa arkëtuar mbi 25 milionë dollarë nga taksat që ato duhet të mbledhin. Kështu që kjo ka rritur deficitin. Ka pasur një ndryshim të kursit duke u forcuar euro dhe ajo ndikon me 1 për qind në rritje të borxhit publik. Mirëpo, ne kemi një zotim që deficiti buxhetor të mos kalojë mbi 4.2 për qind dhe jemi të vetmit që po e mbajmë. Qeveri të tjera, të gjitha ato të cilat mundën të gjejnë financime, e mbi dyfishuan deficitin buxhetor, por pati edhe nga ato që nuk e lëvizën dot për faktin e vetëm që nuk gjetën financime dhe u detyruan pastaj të bëjnë reduktimet më të mëdha. Pra, ne jemi të vendosur t’i përmbahemi”, u shpreh me optimizëm Kryeministri Berisha.
Kryeministri u ndal edhe në shpjegimet për zërat që e shohin me dyshim rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Sipas tij, “rritja ekonomike e vitit 2008 është më e madhe se sa ajo që ishte parashikuar. Rritja ekonomie është 8 për qind dhe në këtë kontekst një rillogaritje e parametrave është e domosdoshme. Ky është viti më kulmor i investimeve publike në historinë e Shqipërisë. Ata që thonë se ky është një vit elektoral, mashtrojnë. Më vjen keq që unë detyrohem ta them, sepse 2008 nuk ka qenë një vit elektoral dhe kemi investuar 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm në infrastrukturë. Viti 2009 ishte vërtetë një vit elektoral, por sërish kemi investuar mbi 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm. Pra, nuk ka asgjë elektorale, por ka një vullnet të hekurt për të ndryshuar me shpejtësinë më të madhe të mundshme infrastrukturën e botës së tretë, edhe më tutje, të trashëguar në këtë vend. Dhe në fakt, ne po e ndryshojmë”.
Më tej, Kryeministri Berisha, duke u ndalur dhe në shenjat e mira për daljen nga kriza ekonomike edhe të vendeve të tjera të fuqishme, ripërsëriti synimin dhe premtimin për uljen e deficitit dhe të borxhit, deri ën vitin 2012.
“Ne synojmë që, siç do të diskutojmë për kuadrin makroekonomik, vitin e ardhshëm të ulim deficitin buxhetor dhe borxhin, dhe deri në vitin 2012 ne të kemi një deficit buxhetor rreth 3 për qind. Unë i garantoj qytetarët se ruajtja e parametrave makroekonomike, e stabilitetit makroekonomik, është qëllimi më parësor i kësaj qeverie dhe do ta realizojmë këtë. Fatmirësisht  Evropa po del tërësisht nga kriza. Lokomotiva e ekonomisë evropiane, ekonomia gjermane, doli nga recesioni. Ekonomia franceze ka dalë nga recesioni dhe ka shënuar rritje. Ekonomia japoneze ka dalë nga recensioni dhe ka shënuar rritje prej 3 për qind dhe ka përmirësim të qartë ekonomia amerikane. Pra, sirenat e trishtimit nuk kanë pse të bien më, sepse situata është vërtetë mjaft optimiste në kuadrin planetar”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›