E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alkooli, 40 për qind e meshkujve e konsumojnë çdo ditë

 

Brenda muajit Shërbimi i Alkoologjisë në qendrën spitalore universitare do të presë “pacientët” e parë. Këtë bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Në kushtet kur statistikat flasin se 40% e meshkujve, nga moshat 20-49 vjeç, janë konsumues të rregullt të pijeve alkoolike ky shërbim është domosdoshmëri. Por një tjetër problem ngrihet nga specialistët. Ligji i cili ndalon të miturit nën 18 vjeç të përdorin pije alkoolike në vendin tonë tingëllon absurd. Në pube e lokale mund të konsumosh kokteje e gjithfarë pijesh të tjera, edhe nëse je vetëm 15 vjeç. Rëndësi ka të kesh para të paguash faturën. Nga studimet që ka kryer Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se fenomeni është vërtet shqetësues. Aktualisht rreth 2.1% e popullsisë në rrethet kryesore të vendit bëjnë pjesë në kategorinë e alkoolpirësve të rëndë. Nga të dhënat rezulton se 1 në 5 persona të grupmoshave nga 15-24 vjeç është përdorues i rregullt i alkoolit. Kështu hapja e qendrës së re të alkologjisë do t’u vijë në ndihmë dhjetëra personave, të cilët kanë varësi prej alkoolit. Përpos trajtimit mjekësor, do të jepet edhe asistencë sociale. Mbas një bashkëpunimi të institucioneve italiane me Ministrinë e Shëndetësisë, konfirmohet se deri në fund të muajit do të inaugurohet Klinika Trajtuese e Varësisë Alkoolike. Shërbimi ndodhet pranë Klinikës Psikiatrike në QSUT dhe ka një kapacitet 10-12 shtretër. Përzgjedhja e pacientëve me varësi alkoolike, për të cilët gjykohet i nevojshëm trajtimi, përbën momentin e parë të ndërhyrjes trajtuese, dhe që realizohet përmes anamnezës, ekzaminimit fizik dhe atij laboratorik. Aktiviteti klinik i këtij shërbimi do të bazohet në filozofinë dhe teknikën trajtuese Hudolin, e cila konsiston në kombinimin modalitik të terapisë sjellore me farmakoterapinë me disulphiram, ku e para përbën kyçin e suksesit të kësaj teknike, për vet vlerat motivuese që ajo përmban.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›