E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i gjykatës, pas zgjedhjeve

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë shtyn për pas zgjedhjeve të 28 qershorit, zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Tiranës. Në mbledhjen e djeshme u paraqitën kandidatët për kryetar, por votimi që do të caktojë se kush do të "marrë në dorë" gjykatën e kryeqytetit do zhvillohet në 8 korrik 2009. Mbledhja e djeshme ka shërbyer për paraqitjen e programeve të gjyqtarëve, që kandidojnë për kreun e Faktit të Tiranës. Burime pranë KLD, sqaruan për "Panorama" se mbledhja e djeshme është karakterizuar nga debate mes anëtarëve. Gjithashtu, lista e kandidatëve në garë për kryetarin e Gjykatës së Tiranës, është reduktuar pasi kanë mbetur vetëm 4 gjyqtarë. Në fund të mbledhjes është vendosur që në dy javët në vazhdim të mblidhet informacion për gjyqtarët kandidatë dhe në 8 korrik të jepet vendimi. Pikat e tjera të rendit të ditës ishin diskutimi mbi procedimet disiplinore ndaj disa gjyqtarëve masa të kërkuara në KLD nga Ministria e Drejtësisë. 
MBLEDHJA
Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme nisi punimet për mbledhjen e radhës Këshilli i Lartë i Drejtësisë. I pranishëm në hapjen e mbledhjes ka qenë edhe Presidenti i Republikës, njëkohësisht kryetari i KLD, Bamir Topi. Një nga pikat kryesore të axhendës së kësaj mbledhjeje ishte zgjedhja e kryetarit të Gjykatës së Tiranës. Kandidatura për këtë post drejtues ishin gjyqtarët Ridvan Hado, Petrit Çomo, Gerd Hoxha, Manjola Bejleri, Ilir Çeliku, Artan Zeneli, aktualisht të gjithë gjyqtarë në Gjykatën e Tiranës, si edhe dy gjyqtarët të Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Dibër, Kastriot Selita dhe një koleg i tij. Në mbledhjen e djeshme është "ngushtuar" rrethi i personave pjesëmarrës në garën e kreut të Gjykatës së Tiranës. Gjyqtarja Manjola Bejleri nuk ka marrë pjesë në mbledhje. Në mbledhje nuk u paraqitën gjyqtarët kandidatë, Ridvan Hado, Ilir Çeliku dhe Gerdi Hoxha. Të pranishëm kanë qenë vetëm gjyqtarët Petrit Çomo, Kastriot Selita, Artan Zeneli.
Gjyqtarët pjesëmarrës paraqitën dje para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, programet e tyre për drejtimin e gjykatës së kryeqytetit. Sipas burimeve, në dy javët në vazhdim, deri në datë 8 korrik, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, do të mbledhë informacion rreth veprimtarisë së deritanishme në sistemin gjyqësor të gjyqtarëve konkurrentë. Pas vendimit të KLD në 8 korrik, që do të caktojë emrin e kryetarit të Gjykatës, ai duhet të dekretohet nga Presidenti i Republikës dhe në vazhdim të vijojë me drejtimin e gjykatës. Në mbledhjen e djeshme është diskutuar edhe në lidhje me procedimet disiplinore, të tre gjyqtarëve të dërguar për procedim. Burimet sqaruan se në mbledhjen e djeshme nuk u vendos marrja e ndonjë mase për ta.         re.kr

Kandidatët

Ridvan Hado
Petrit Çomo
Gerd Hoxha
Manjola Bejleri
Ilir Çeliku
Artan Zeneli
Kastriot Selita

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›