E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biofushata dhe e ardhmja që zbulon ajo

Ermal Hasimja 

Fushata aktuale po zhvillohet në dy nivele paralele. Niveli i parë është ai klasik i çdo demokracie Perëndimore përpjekja për bindjen e votuesve për alternativën më të mirë qeverisëse. Përpjekja e dytë është një përpjekje për të krijuar imazhin e një fitoreje të mundshme. Kjo e dyta mbështetet mbi logjikën se votuesit e pavendosur kanë prirjen të votojnë më tepër për ata që mund të jenë votuesit e ardhshëm. Niveli i parë karakterizohet nga mungesa e dukshme programeve koherente dhe të realizueshme, zëvendësimi i tyre me premtime të shkëputura pa lidhje me njëri-tjetrin dhe me spektaklin politik. Pastaj vjen niveli i dytë. Ndryshe nga fushata e vitit 2005 e fokusuar pak më tepër në komunikimin në nivelin mikro, fushata e vitit 2009 i është rikthyer traditës më bajate e të mërzitshme të zgjedhjeve shqiptare: mitingjeve masive. Por kësaj radhe të organizuar në një frymë amerikanizimi, përmes imitimit të skenarëve të konventave amerikane. Qëllimi është krijimi i imazhit të fituesit përmes metodës banale të inskenimit të përkrahjes masive në shesh. Në fakt, çdo risi në fushatat zgjedhore ka vlerë vetëm atëherë kur përdoret vetëm nga njëra palë. Nëse e përdorin të dyja njëkohësisht, efekti barazohet dhe zhvlerësohet. Për këtë arsye mitingjet shumë të ngjashme të PS-së dhe PD-së thjesht asgjësojnë efektin e njëri-tjetrit. Në një plan paralel mediat janë treguar përgjithësisht e me pak përjashtime, të paafta për të marrë nga partitë me tepër sesa këto kanë dashur t’u japin. Fatkeqësisht, thelbin, problematikën dhe madje edhe tempin e kësaj fushate e kanë përcaktuar partitë dhe jo mediat. Mënyra sesi po zhvillohet kjo fushatë tregon shumë gjëra për të ardhmen e qeverisjes në Shqipëri. Së pari, ajo tregon një mungesë respekti të plotë për inteligjencën e votuesve shqiptarë nga ana e partive politike, për shkak të natyrës joserioze së premtimeve, mungesës së programeve dhe zëvendësimit të tyre me spektakël. Së dyti, ajo tregon se sa pak seriozisht është e përgatitur secila palë për të qeverisur pas 28 qershorit. Tregon gjithashtu sesi etja për pushtet eklipson nevojën për qeverisje të mirë.
Së treti, ajo na jep mundësinë të parashikojmë natyrën sofiste të debateve të ardhshme mbi realizimin e premtimeve të bëra në fushatën pasardhëse të vitit 2013, sepse sa më joserioze të jenë premtimet e tanishme, aq më qesharake do të jenë edhe përpjekjet për të argumentuar realizimin e tyre në vitin 2013 nga partia që do të qeverisë.
Së katërti, kjo fushatë nxjerr në pah dobësitë e medias shqiptare, mungesën e profesionalizmit, lehtësinë e vënies në shërbim të një partie a një tjetre, si dhe shumë probleme të tjerë që nuk japin garanci për funksionim të dobishëm të rolit të saj gjatë 4 viteve të ardhshme. Përdorimi masiv i sondazheve si burim themelor informacioni i shndërron mediat në ndërmjetës të ndërmjetësve, ose në media të mediave, duke zhvendosur, sterilizuar dhe tjetërsuar rolin e tyre. Në rastin më të mirë, në 28 qershor, rezultatet e zgjedhjeve, mund të vërtetojnë se sondazhet kanë qëlluar në shenjë për hir të probabilitetit. Sepse sondazhet në Shqipëri (dhe jo vetëm në Shqipëri) vuajnë nga probleme nga më të shumtat: qytetarët nuk thonë gjithmonë të vërtetën, ata që kanë diçka për të humbur përgjigjen më pak se të tjerët, jo të gjithë kanë të njëjtën vendosmëri dhe intensitet të prirjes votuese, pyetjet e sondazhit nuk janë domosdoshmërisht pyetjet e rëndësishme për axhendën e votuesit duke lënë jashtë saj shqetësime ndoshta madhore të tij, etj., etj. Shtoji këtyre dhe problemet metodologjike. Kjo i bën pastaj analistët të mrekullohen me rezultatet virtuale të sondazheve dhe të zëvendësojnë analizën e reales me analizën e probabilitetit. Nëse sondazhet do të ishin sadopak të sakta, Shqipëria do të rezultonte demokracia më e çuditshme në botë thjesht për nga shkalla e lartë e ndryshimit të prirjeve votuesve. Në vendet me demokraci normale, ku mund ta shohim edhe ne veten sot, lëvizjet e elektoratit nuk janë kurrë dramatike, siç rezultojnë në Shqipëri, jo vetëm nga njëri sondazh në tjetrin, por edhe përbrenda një sondazhi në një periudhë 2 mujore. Së pesti, një fushatë e këtij lloji do të nxisë apatinë e votuesve të pavendosur në fushatat e ardhshme. Natyra e funksionimit të saj jep mesazhin se vota është më e rëndësishme sesa votuesi, se sofizmat për zgjidhjen e problemeve janë më të rëndësishëm se sa problemet në vetvete, si dhe se në fund të fundit të gjithë janë njësoj, pra vota nuk ka dhe aq kuptim. Së gjashti, fryma dhe orientimi i tillë i fushatës mund të riprodhojë vetveten në të ardhmen përmes një lloj profecie vetëpërmbushëse, sipas së cilës kjo fushatë funksionoi shumë mirë (natyrisht vetëm për partinë që fitoi) dhe është e domosdoshme të ripërdoret në të ardhmen.  Deri më sot, fushatat zgjedhore ndërtoheshin në formën e një pjese teatrale ku aktorët ishin politikanë dhe votuesit publiku vlerësues. Në fushatën aktuale, për herë të parë, përmes sondazheve dhe mitingjeve të kinematizuar, politikanët kanë futur në skenë edhe votuesit, ata që në fakt duhet të ishin publiku vlerësues. Por kujdes! Nuk kanë futur në skenë publikun e vërtetë, por një publik virtual: publikun e mitingjeve dhe sondazheve, të kapshëm jo përmes problematikës së tij, por përmes shifrave dhe statistikave të tij thjesht biologjike. Kjo mund të quhej pa frikë një biofushatë: pa qytetarë, vetëm me trupa dhe shifra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›