E Shtunë, 31 Tetor 2026

Allahu i madh dhe pa shtiza

 

Rifaitë bëjnë kthesë: jo më shpime në trup. Arsyeja? Për një imazh më të mirë të fesë islame. Sheh Qemal Reka, muzikant në profesion, kreu i Tarikatit Rifai në Shqipëri rrëfen "reformën"

 

 

Veshin të njëjtën rrobë si tarikatet e tjera, por dallojnë nga ta në mënyrën e perceptimit dhe praktikimit të fesë islame. Mistika që besimtarët e këtij tarikati përdorin në adhurimin e Zotit është sa e veçantë aq edhe mbreslënëse. Ndoshta e teprojmë, por ajo që duam të themi, është se vështirë se mund të gjejmë një përkushtim ndaj Zotit, kaq elektrizues dhe dehës njëkohësisht sa te besimtarët e Tarikatit Rifai. E veçanta që i dallon këta besimtarë nga të tjerët është vetë mënyra pasionante me të cilën ata përmendin udhëzimet e Profetit dhe të familjes së tij Ehli Bejtit, përkushtim që zor se mund të haset ndër praktikantët e tjerë të fesë islame në Shqipëri. Që të ndjesh këtë pasion që buron nga thellësia e shpirtit, duhet të marrësh pjesë në ceremonitë fetare që zhvillojnë rifaitë. Nëse e bën një gjë të tillë, vetëm atëherë do të kuptosh se ky pasion gati i çuditshëm, që shpërthen thuajse si vullkan, lind nga dashuria që këta besimtarët kanë për Allahun.

Për nga numri i praktikantëve, Tarikati Rifai në Shqipëri, vjen i dyti pas atij bektashi. Por më shumë se kjo statistikë, jo pak e rëndësishme, Rifaitë janë të njohur kudo për mistikën jo e zakontë e shpimit të trupit me anë të instrumentave që përdorin. Aktualisht kjo mistikë përdoret në disa vende të botës, por shumë dekada më parë është praktikuar edhe nga besimtarët rifai në Shqipëri.

Themi është praktikuar, pasi tashmë kjo praktikë, është zëvendësuar me mësimet e Ehli Bejtit, ose ndryshe të familjes së Profetit Muhamed. Arsyeja e ndalimit të këtij riti mistik ka të bëjë me dëshirën e besimtarëve rifai për të sjellë një imazh tjetër të fesë islame. Sheh Qemal Reka është kreu i Tarikatit Rifai në Shqipëri. Familja e tij është e lidhur ngushtësisht me fenë islame dhe me historinë që ka ndjekur këtë tarikat në shekujt e fundit. Edhe ai vetë, paçka se muzikant në profesion, praktikon fenë islame dhe ritet rifai. Këto rite ai është munduar t'ua përcjellë edhe besimtarëve më të rinj, por duke tentuar të sjellë një mënyrë tjetër adhurimi që nuk lidhet më me praktikimin e mistikës së shpimit me shtizë por në fuqinë e fjalës së Profetit.

Padyshim që për Sheh Qemalin, vendimi për ndalimin e mistikës së shpimit me shtiza, nuk ka qenë fort i lehtë për t'u marrë. Atij i është dashur të flasë me të gjithë besimtarët, dhe sidomos me brezin e vjetër, të cilët e kanë pasur më të vështirë të heqin dorë nga riti tradicional. Deri diku, Sheh Qemali, ia ka arritur qëllimit, paçka se është i bindur që duhet ende shumë punë për të ndryshuar mentalitetin e adhurimit te praktikantët rifai. "Mistika e shpimit, është një përkushtim ndaj zotit, ku njeriu sfidon veten përballë dashurisë që ka për të gjithëpushtetshmin. Kjo mistikë është përdorur kohë më parë, dhe unë mendoj se sot ka mënyra të ndryshme me të cilat njeriu mund të sfidojë veten. Një mënyrë përkushtimi është për shembull, që të rrish gjithë ditën duke adhuruar Zotin, por jo duke shpuar veten, pasi këto janë gjëra mistike", shprehet Sheh Qemali, teksa shkërmoq një nga një rruazat e tespiheve.

Për kreun e rifaive shqiptar, mistika e shpimit me shtiza, është një praktikë që dalëngadalë duhet të zëvendësohet me praktika të reja. Ai rrëfen se kjo teknikë është përdorur deri vonë edhe nga paraardhësit e tij shehlerë, por tani kohët kërkojnë një peizazh të ri, i cili i afron më tepër besimtarët me Zotin e madhnuar. "Sa vjen, dhe mistika e shpimit po eleminohet si rit. Dekada më parë kjo mistikë përdorej sepse i tillë ishte niveli intelektual i besimtarëve, por sot që bota ecën me shpejtësi këto rite janë hap prapa në fenë e përkryer islame që kërkojmë të praktikojmë".

Sheh Qemali kujton se edhe gjyshi i tij Sheh Mustafai ka përdorur si shenjë mistike, shpimin me shtiza. Kështu ishin ritet rifai dikur dhe askush nuk ka pse të paragjykojë në ishin të dobishme apo jo. Tashmë jetojmë në kohë tjetër. Islami kërkon përkryerje, ashtu si edhe çdo hallkë tjetër e shoqërisë. "Në Shqipëri, teknika e adhurimit nëpërmjet shtizave në faqe, tashmë ka disa kohë që nuk aplikohet. Të vetmit që e aplikojnë këtë teknikë, tani për tani, janë një kontingjent njerëzish, që nuk kanë lidhje me Tarikatin Rifai. Ne kemi mëkate sa të duash, por nuk është kjo mënyra për të pastruar veten nga mëkatet. Sot kjo lloj mistike, nuk tregon asnjë meritë për sa i përket përkushtimit në islam. Përkushtim në fenë islame është ajo çka t'i lexon, mëson dhe kthen në vepër". Kreu i Tarikatit Rifai shprehet se personalisht ai është për përkryerjen e fesë islame, jo nëpërmjet shpimeve, por me anë të fjalës së Zotit, dhe porosive të Profetit dhe të Ehli Bejtit. Për të arritur këtë qëllim ai ka vendosur ta quajë institucionin drejtues të Tarikatit Rifai, Mesxhidi i Ehli Bejtit, ose e përkthyer në shqip Xhamia e familjes së Profetit. "Pas lejimit të fesë, në vitet '90, duke rrjedhur nga një familje me tradita si në Tarikatin Rifai, ashtu edhe në praktikimin e fesë islame, mendova që si intelektual të jap kontributin tim në zhvillimin e besimit fetar. Duke u njohur me kultura dhe njerëz të ndryshëm si brenda ashtu edhe jashtë vendit, mendova që në situatën aktuale, të gjithë pjesëmarrësit e teqesë së Tarikatit Rifai, t'i pasuroj me kulturë islame, që gjatë kohës së komunizmit ka qenë e kufizuar".

Në xhaminë e Ehli Bejtit, që ndodhet pranë gjimnazit "Partizani" në Tiranë, ritualet ndiqen çdo të enjte pasdite të javës nga rreth 100 besimtarë rifai. Aty mblidhen për të festuar ditëlindjet e imamëve si edhe festa të ndryshme fetare. Falja e namazit fillon gjithmonë në orën18:00, sapo bie mbrëmja. Para se të kryejnë faljen e namazit, besimtarët grumbullohen fillimisht në dhomën e vogël të xhamisë ku diskutojnë hallet e përditshme që shqetësojnë fenë islame. Po t'i "zhveshësh" nga besimi të cilit i përkasin, ata janë njerëz me ndjenja shpirtërore si gjithë të tjerët.Krahas praktikimit të riteve, besimtarët rifai janë edhe familjarë të devotshëm që mundohen ta nxjerrin bukën e përditshme në mënyrë të ndershme. Kjo është edhe arsyeja se përse Sheh Qemali, ka menduar ta çelë faljen e namazit në Xhaminë e Ehli Bejtit, pasditeve kur fillon e bie drita.

Në ritet e rifaive marrin pjesë si burrat ashtu edhe gratë. Ceremonia zgjat pothuajse një orë. Ndryshe nga tarikatet e tjera islame, rifaitë e kanë për zakon të falin fillimisht Namazin pastaj të përmendin Allahun duke kryer Ziqrin. "Riti kryesor i rifaive është Ziqri (përmendja e Allahut), i cili kryhet, pas faljes së Namazit. Ky është një rit i cili përbën dallim thelbësor nga tarikatet e tjera", shprehet kreu i rifaive, ndërsa thotë më tej se nuk është aspak dakord me mendimet e vjetra se Ziqri duhet bërë para faljes së Namazit. Sheh Qemali, mendon se këto janë shpikje të disa njerëzve të painformuar mirë dhe të pakulturuar përsa i përket çështjes së Islamit. Pas ritit të përmendjes së Allahut, vjen Dua Komeil, një nga lutjet më të mëdha të Imam Aliut. Kjo lutje e cila zgjat për gati 20 minuta është edhe pjesa më e nxehtë e ceremonisë fetare të rifaive. Pasioni me të cilin këndojnë besimtarët është gati magjepsës aq sa përulja ndaj Zotit arrin përgjërimin më të thellë që mund të kesh parë ndonjëherë. Një tjetër element që e bën të dallueshëm Tarikatin Rifai nga praktikantët e tjerë të fesë islame është edhe penalizimi, le të themi, i individëve që nuk marrin pjesë rregullisht në ceremonitë fetare. Kështu, ky tarikat, nuk lejon në gjirin e tij individë të cilët thonë se janë Rifai dhe nuk kanë ndjekur asnjëherë ritet. Për kreun e rifaive shqiptarë, tarikatet nuk kanë ndonjë dallim nga njëri-tjetri, por janë rrugë të ndryshme që të çojnë në adhurimin te Zoti. "Të gjithë tarikatet kanë pasur liderët e tyre, të cilët lanë më pas edhe emrin. Gjithsesi unë jam i mendimit që për kohën që jemi njerëzit duhet të drejtohen kah profetit Muhamed dhe të nxjerrin mësime nga familja e tij". Për Sheh Qemalin, ky është tarikati i vërtetë. Ai thotë se feja islame nuk është ashtu si mundohen ta paraqesin shumë individë. Vetë përshëndetja midis besimtarëve islamë që i urojnë paqe njëri-tjetrit do të thotë shumë. Këtë frymë dashurie midis njerëzve predikon edhe Tarikati Rifai. Në bazë të statistikave që zotëron aktualisht institucioni që ai drejton, për nga numri, besimtarët rifai vijnë pas atyre bektashi. Qendrat më të mëdha të Tarikatit Rifai gjenden në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Berat, ndërkohë që rifai, ka edhe në qytete më të vogla. Por sidoqoftë, ajo që kreu i rifaive kërkon të theksojë, është se baza kryesore e Islamit për besimtarët që aderojnë në këtë tarikat janë mësimet e profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit, familjes së Profetit. Këto mësime e kanë shtyrë Sheh Qemalin, të kërkojë ndërrimin e praktikës së adhurimit të zotit te rifaitë, nga shpimet me shtiza në besimin në fjalën e zotit. "Në bisedat me besimtarët, unë kam shfrytëzuar bibliotekën familjare të trashëguar brez pas brezi, nga të parët e familjes. Temë kryesore në bisedat tona ka qenë roli që zë Profeti Muhamed në Islam dhe Familja e tij. Gjithashtu temë e bisedës kanë qenë edhe thëniet e Profetit, të cilat në gjuhën arabe quhen Hadith, siç janë dy amanetet e mëdha ku Profeti Muhamed ka insistuar në Haxhin e fundit; që janë libri i shenjtë Kurani dhe familja e tij Ehli Bejti. Asnjë profet tjetër nuk ka pasur këtë udhëzim që të lejë amanet familjen. Por ky udhëzim është lënë amanet, pasi Profeti Muhamed ishte i fundit i profetëve dhe ai dëshironte që fenë e pastër të islamit, ta trashëgonte me dashurinë më të madhe familja e tij që në gjuhën arabe quhet Ehli Bejt. Kjo familje përbëhet nga Hazerti Imam Aliu, dhëndër dhe njëkohësisht djalë i xhajës së profetit, e bija e profetit Hazerti Fatimja, si edhe nga dy nipërit Imam Hasani dhe Imam Hyseni. Këto janë vazhduesit e drejtë të fesë islame. Për këtë flet edhe Kurani në disa ajete të ndryshme", shpjegon Sheh Qemali, ndërsa hedh dritë mbi arsyet që e shtynë vite më parë të ndërronte mënyrën e adhurimit të zotit, te besimtarët rifai. Drejtuesi i rifaive, na kujton se Mesxhidi i Ehli Bejtit, ka një arkivë të jashtëzakonshme të shkrimeve kuranore, që janë ruajtur për gati 150 vite. Sheh Qemali ia dedikon këtë arkivë, gjyshit të tij dhe babait Muhamet Ali Rekës, i cili ka sakrifikuar shumë për të ruajtur bibliotekën sidomos gjatë kohës së egër të komunizmit. Ndërsa gërmon diçka në bibliotekën e tarikatit, Sheh Qemali, na befason me një fletore të vogël që nxjerr sakaq nga rafti. Në kopertinë, ai libërth i vogël mban të vizatuar yllin e kuq me pesë cepa, ndërsa brenda një shkrim kuranor. Mesa duket kjo ishte një nga mënyrat e vetme në komunizëm për të ruajtur literaturën e ndaluar fetare.

Dashurinë për zotin, Sheh Qemali ua ka trashëguar edhe dy djemve të tij. Ata ndjekin rregullisht ritet rifai dhe janë pjesëmarrës aktiv në ceremonitë që zhvillohen në xhami. "Mesxhidi i Ehli Bejtit ka një arkivë të jashtëzakonshme dhe të admirueshme. Kjo falë meritës së babait tim Muhamet Ali Rekës, që ka sakrifikuar shumë për të ruajtur shkrimet kuranore. Sesi i ka ruajtur ai di. Unë di vetëm që i ka shpërndarë në farefis. Në shtëpinë tonë gjatë komunizmit, ka pasur presione të jashtëzakonshme, por dashuria që kishte babai im për këto libra bëri që të ruheshin deri më sot". Biblioteka e Mesxhidit të Ehli Bejtit, përmban rreth 100 shkrime, të vjetra, gati dy shekullore, vlerën e të cilave e shton ruajtja në fshehtësi gjatë regjimit kur nuk lejohej përhapja e literaturës fetare. Ajo që vëren me shqetësim sot, Sheh Qemali, janë mendimet e disa njerëzve rreth islamit. "Nuk ka qenë e vështirë për t'i grumbulluar shkrimet pas rënies së komunizmit. Ajo që dëshiroj të them është fakti që njerëzit më parë kanë qenë më të përkushtuar në besimin ndaj Allahut, ndërsa tani që informacioni është shumë më i madh, përkushtimi është më i vogël, kjo ndoshta sepse njerëzit e shikojnë në këndvështrime të ndryshme fenë myslimane".

Sidoqoftë rëndësi për kreun e Tarikatit Rifai, ka përqafimi i praktikave të reja të adhurimit të Zotit nga besimtarët e vjetër. Ai shprehet se ndalimi i teknikës së adhurimit të zotit nëpërmjet shpimit të faqeve, është përkrahur nga një masë e gjerë e besimtarëve. "Në xhaminë e Ehli Bejtit mund të vijnë në ceremoni rreth 150 vetë. Në këtë xhami janë thënë gjëra të cilat njerëzit nuk i dinë. Janë zbërthyer Ajete nga Kurani të cilat besimtarët nuk kanë qenë në gjendje t'u japin shpjegim ose i kanë shpjeguar sipas rrymave të veta. Ajo që shikoj me kënaqësi është që edhe të vjetrit kanë filluar të përqafojnë përkryerjen në islam. Kanë filluar të binden se ka ardhur koha që të lënë pas të vjetrën dhe të shikojnë përpara". Prandaj reforma në praktikën e adhurimit ndaj Zotit, kërkon kohë dhe durim. Ai thotë se ajo duhet bërë ngadalë pa lënduar ndjenjat e asnjë prej besimtarëve. Vetëm kështu, përfundon Sheh Qemali, mund të kemi një rrugë të drejtë të adhurimit ndaj Zotit dhe vlerave që mbart feja islame.

Rifaitë në Shqipëri

Tarikati Rifai është nga tarikatet (sektet fetare islame) më të vjetër që predikon fenë islame në Shqipëri. Fillimet e këtij tarikati në vendin tonë gjenden në fundin e dekadës së tretë të shekullit të 18-të. Udhëheqësi shpirtëror, nga ka marrë më pas emrin vetë tarikati, është Sejid Ahmet Rifai. Ky tarikat e ka prejardhjen nga Turqia dhe dallon nga të tjerët në mënyrën e adhurimit të zotit. Për nga i numri i ndjekësve, rifaitë renditen të dytët pas bektashinjve. Veshja tradicionale e shehlerëve është manteli i zi dhe kapela dyngjyrëshe; bardh e zi. Ajo që i bën të dallueshmë rifaitë nga tarikatet e tjerë, është riti i përmendjes së Allahut, i cili zhvillohet pas faljes së Namazit duke kryer Ziqrin. Shehlerët e parë të këtij tarikati në Shqipëri kanë qenë në Elbasan dhe në Durrës te familja Roda. Shehu i parë i rifaive ka qenë Sheh Adem Roda, ndërkohë që sot edhe brezi i pestë i trashgimtarëve mban po të njëjtin emër. Një zhvillim të madh këtij tarikati i ka dhënë Sheh Ahmet Shkodra, i cili njihet si një nga liderët më të mëdhenj të Tarikatit Rifai në Shqipëri. Këtij Shehu i njihet edhe merita në përhapjen e këtij tarikati në vend. Deri në vitin 1967, Tarikati Rifai, ka pasur rreth 40 teqe dhe po kaq shehlerë. Këto janë fakte që dokumentohen nga të dhëna arkivoret dhe nga informacioni i komunitetit mysliman. Pas lirisë së religjioneve, në vitet '90, duke rrjedhur nga një familje me tradita në praktikumin e fesë islame dhe të riteve Rifai në veçanti, drejtimin e Tarikatit e mori Sheh Qemal Reka. Institucioni drejtues, në këtë tarikat është Mesxhidi i Ehli Bejt, i cili qendrën e ka në Tiranë. Krahas kryeqytetit, Tarikati Rifai ka shtrirje edhe në disa nga qytetet e mëdha të vendit, si Shkodër, Durrës, Elbasan dhe Berat.

 

"Në Shqipëri, teknika e adhurimit nëpërmjet shtizave në faqe, tashmë ka disa kohë që nuk aplikohet. Të vetmit që e aplikojnë këtë teknikë, tani për tani, janë një kontingjent njerëzish, që nuk kanë lidhje me Tarikatin Rifai. Ne kemi mëkate sa të duash, por nuk është kjo mënyra për të pastruar veten nga mëkatet. Sot kjo lloj mistike, nuk tregon asnjë meritë për sa i përket përkushtimit në islam. Përkushtim në fenë islame është ajo çka t'i lexon, mëson dhe kthen në vepër"

Ndërsa gërmon diçka në bibliotekën e tarikatit, Sheh Qemali, na befason me një fletore të vogël që nxjerr sakaq nga rafti. Në kopertinë, ai libërth i vogël mban të vizatuar yllin e kuq me pesë cepa, ndërsa brenda një shkrim kuranor. Mesaduket kjo ishte një nga mënyrat e vetme në komunizëm për të ruajtur literaturën e ndaluar fetare.

.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›