Jam Tamara Kudrickaja
Historia e gruas ruse Tamara Gaci. Si iu hoq kombësia, frika nga persekutimi që survejonte jetën e familjes Gaci. Përse ka ardhur koha të rrëfehet e vërteta për gratë e huaja që u dënuan dhe u tradhtuan në Shqipëri
Shkodër
Udhëtimi jashtë Tirane është për gazetarin një farë ëndërrimi si shërbim në një front lufte, a më saktë një aventurë "në terren" në rrethanat e vajtje-adhjes me furgon në dimër e në verë, e peizazhit që dridhet si një ekran Tv Lura nga gropat dhe e dietave që nuk vijnë asnjëherë kur duhet. Ngaqë gazetaria në Shqipëri është një luftë brenda llojit dhe brenda redaksive apo politikave të zyrave, shërbimi në front lufte është maksimumi i imagjinuar për një gazetari të madhe që vë në alarm shqisat dhe zgjon ndjenjën e detyrës. Pastaj edhe për një lloj legjende që ekziston në një vend të vogël si ky vendi ynë, me një traditë për t'u diskutuar të shtypit të shkruar ku mitizohet diçka që pak njihet teorikisht dhe fare praktikisht. Fjala vjen, lufta e Kosovës nga gazetaria jonë u ndoq deri tek pragu i Kukësit. Pak më vonë u bë modë të intervistohen gazetarët e Thursday-it apo Friday-it që pozojnë me shall arabie blerë në pazaret orientale në pushimin ndërmjet takimeve të delegacioneve, apo me helmetë në mesin e ushtarëve shqiptarë në Irak që i prijnë trupës së sigurisë të presidentit të republikës.
Po ç'kusure ka Tamara për gjithë këtë samar prologu duke shkuar drejt saj. Tamara për vete, aty ka qenë gjithnjë, në Shkodër. Dhe ja sot kur po vonohet dhe s'mund ta thërrasim të vijë më shpejt se s'ka celular, të tiposet ky halli i gazetarit: mos u kthe pa kryetitull. Por Tamara nuk është një kryetitull gazete. Është një grua që për shkak të prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike ishte rrezikuar që të humbiste lirinë dhe identitetin.
* * *
Emri i saj i vajzërisë? Oh, gati e ka harruar. Gjithmonë është mësuar, tashti e pesëdhjet vjet që thotë "jam Tamara Gaci", po në fakt është Tamara Kudrickaja. Është lindur në Moskë më 1937. Tamara ka nënshtetësinë shqiptare, paralel edhe ruse të cilën e humbi në kohën e izolimit. Hoqi dorë apo e bënë të hiqte dorë, nuk mund të thuhet saktë. Në pasaportë edhe kombësinë ia patën shënuar shqiptare. "S'kena pasë za, kush me ba za?". Por erdhi demokracia dhe çdo gjë u vu në vend të vet. Mori pasaportën ruse dhe i gëzon të dy shtetësitë.
Lexon ama në gjuhën e nënës. Te kryet e divanit i përkthyer në mesin e vëllimit, është "Zonja e vogël e shtëpisë së madhe" i Xhek Londonit. Dostojevskin, Tolstojn, Stendalin i ka në gjuhën ruse. Një pjesë të bibliotekës e solli me vete më 1957 kur erdhi përfundimisht në Shqipëri dhe një pjesë e mblodhi në Tiranë, me të shoqin, Pjetër Gacin, në dyqanet e bukinistëve. Mungon ajo pjesë që çifti e dogji si të dyshimtë për regjimin, në kohën kur "gruaja ruse" që personifikonte gjithë gratë që jetonin në Shqipëri, shihej si element spiunazhi. Bashkë me "librat me hije" Tamara dogji bllokun e saj artistik ndërsa transferoheshin në Shkodër. "Mu duk se i kam bërë krematorium gjysmës së qenies time". Ajo edhe shkruan poezi. Me Pjetrin e bashkoi poezia dhe muzika. Ndonjëherë do të bënte ndonji poezi të këngëve të tij, por kurrë nuk ka dalë si autore e tekstit. "Shpirti është violinë e Stradivarit/ atë e vibron dora e fatit me harkun e jetës" dhe diku tjetër shkruan: "Fytyrën që dikur e pata/ ndër pasqyra nuk e gjej." Tamara edhe përkthen nga poetët rusë në shqipe. Ja një strofë nga Esenini: "Humba modestinë/ thash nga mendtë po luaj/ kam përqafuar mështeknën/ porsi gruan e huaj".
"Gruaja e huaj" e kompozitorit të shquar shqiptar Pjetër Gaci, është një model i veçantë i gruas ruse për të cilën është shkruar deri më sot për nurin dhe atdhedashurinë ndaj një vendi të huaj. Duket që ka një reflektim të pangjashëm për këtë figurë unikale që u shfaq si vegim në pyllin e izolimit total të Shqipërisë komunise. Ajo që është folur nën zë për gratë ruse, tani ka filluar të dëgjohet dhe të shkruhet. Një dokumentar bullgar për gratë e huaja që u martuan me të rinj shqiptarë në vitet 60 po prezantohet në festivalet e botës, një film artistik shqiptar me histori të shkruar nga Kadare dhe me regji të regjisorit rus Dimitri Meskheyev, është në proces. Çfarë nuk dimë për këto gra është gjithçka që ato e fshehën pas bukurisë, rinisë, dashurisë dhe qëndresës. "Regjimi po, duhet t'iu kërkojë falje grave të huaja. Për popullin, sot e kësaj dite, për një pjesë të tij, unë ndjej vetëm falënderim, kurse politika ka shku e ndarë me popullin. Politika nuk dihet ku i ka tentakulat e saja, po populli asht popull. Kena mbrojt dhe ngroft njeri-tjetrin dhe kaq." Kjo është historia e Tamara Gacit e cila, ka humbur të shoqin, gjithë familjen e prindërve të saj në Rusi dhe jeton në një apartament modest në Shkodër, me të birin Dritanin. Këtu i morëm intervistën pak ditë para përvjetorit të lindjes dhe të vdekjes së Pjetër Gacit.
Zonja Tamara jeta juaj në Shqipëri u fiksua nga heqja e nënshtetësisë ruse. Madje ju kanë quajtur me kombësi të një vendi që s'i përkisnit. Ju thatë që s'keni bërë zë, megjithatë si jeni ndjerë?
Është dashur të vinim një maskë sepse kemi pasur frikë mos prishnim familjen. Nuk ka qenë e udhës dhe arsyeja na ka diktuar që s'duhet të bënim zë.
Si vendosët që vini përfundimisht në një atdhe të huaj?
Edhe kjo është nji histori më vete. Megjithse mund të përmblidhet në një fjalë: dashuria. Zanafilla e gjithçkaje. Por midis meje dhe Pjetrit, dashuria ka qenë e forcuar edhe me nji fjalë tjetër: shoqëri e fortë. Ishte dashuri me shikim të parë, një tërheqje dhe pastaj dalëngadalë miqësohesh e zbulon gjithmonë gjëra të reja te tjetri.
Ai ka qenë në skenë në konservatorin "Çajkovski" në Moskë, kurse unë në sallë, spektatore. Ishte një grup shqiptarësh, Ansambli i Ushtrisë së Atëhershëm dhe studentët që kanë qenë në Moskë.
Ishin një grup vajzushkash të cilat i kishin sytë të gjitha te Gjoni Athanas, një tenor i famshëm, i bukur, i gjatë. Kurse unë shihja djalin që ishte pranë tij. Pjetër Gaci doli me një pjesë të vogël në skenë dhe pati shumë sukses. Me emocion shkova mbas kulisave, e gjeta, e falënderova. Unë e mora iniciativën e guximshme. Vazhdoja të ndiqja koncertet ku ai ishte prezent. U miqësuam dhe pasi kishim shëtitur shumë, pasi kishim diskutuar kompozitorë dhe vepra, nga miqësia doli dashuria e madhe.
Në nëntor '57 erdha këtu përfundimisht. E ndërpreva shkollën sepse vendosa të shkoj mbas dashurisë. Studioja në fakultetin e kontablitetit të mekanizuar. Kështu quhej atëhere.
Ju hynte në sy politika e kohëve të mjaltit mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë?
Absolutisht, në ato kohëra s'na shkonte në mend politika. Po sigurisht pastaj kemi filluar që ta ndjenim aq mirë. Kjo ndodhi menjëherë në vitin 1961. Filluan trazimet. Ne ishim vala e parë që e kemi ndjerë në lëkurën tonë. Çështja që shtrohej ishte: a do të rrini bashkë apo do të ndaheni. Ky ishte problemi që na tronditi thellë.
Ky problem shtrohej brenda familjes apo nga organe të caktuara të shtetit?
Gjëja e parë: neve si qytetarë rusë me banim të pëhershëm në Shqipëri, se kështu ishim regjistruar, na thirri ambasada ruse. Atje na thanë do të prishen marrëdhëniet diplomatike. Juve si do të veproni, do të qëndroni këtu apo do të shkoni në dheun tuaj. Ne nuk do të jemi më këtu dhe s'do të keni më mbrojtjen tonë.
Ishim në Tiranë me banim. Situata ishte e tillë që të dy palët po e ndjenin në lëkurë. Edhe Pjetrin çuditërisht atë vit e kanë marrë në ushtri. Ai kishte dy prindët edhe mua. U ndje jashtëzakonisht keq. Atëhere unë i thashë vetes: shoku në fatkeqësi nuk lihet. Pjetri më la të lirë të vendosja. Dhe unë vendosa. Pjetri ka qenë në një moment krize familjare: dy prindët e moshuar, unë në pragprishje të familjes dhe ai që rekrutohet ushtar. Kuptojeni vetë.
Nga familja juaj në Moskë kishit presione?
Jo, ata ishin larg, sa të shkonin letrat... kur vendimi duhej të merrej me urgjencë. Ishte një krizë e krijuar nga jashtë, por brenda u mundova që të ruaja pikërisht familjen. U futa në punë, në Radio-Televizion si përkthyese. Pastaj çdo gjë shkoi si gjithë të tjerët, jo ashtu si deshëm ne. Me vite nuk isha më Tamara Gaci, isha bashkëshortja e Pjetër Gacit, e me kaq e harrova se ç'profil kam unë, unë si Tamara Gaci. E kuptova se duhej që të spostohesha shumë.
Me familjen çfarë marrëdhëniesh ruanit, shkruanit letra, kishit telefonata, apo ishte e rrezikshme?
Për të mos dëmtuar veten dhe për të mos dëmtuar edhe ata atje, e bëja letrën fushë me lule dhe aq sa për të kuptuar që jemi shëndosh e mirë. Edhe familja më shkruante pak a shumë me të njëjtin kod. Shkruanin në mënyrë të tillë që letra të lexohet prej dikujt para meje. Sipas këtij rregulli u shkruaja edhe unë.
Çfarë donit të thoshit që nuk ishit më Tamara Gaci, dmth se humbët identitetin?
Sigurisht. Kemi pasur frikë, sepse shoqet e mia kanë hyrë në burg.
Cilat kanë qenë?
Ina Tarasova, për shembull, pedagoge në universitet. Janë dënuar për hiç gjë, për një dalje një çikë më shumë se ç'duhet të personalitetit.
Dënimi i tyre ka qenë më shumë një supozim thoni ju?
Sigurisht. Krejtësisht. Ishin gra familjare dhe kurrgjë tjetër.
Jeni ndjerë të tradhtura?
Unë do të bëj një ndarje të prerë dhe shumë të fortë. Çuditërisht politika me popullin ka qenë shumë e ndarë. Unë personalisht kam mbijetuar, sadoqë nuk kam rënë në burg. Edhe në acarin politik kam ndjerë ngrohtësi, pikërisht nga populli, nga dashamirë, nga miq të cilët më kanë mbrojtur. Në momentin kur shoqet e mia po futeshin në burg Pjetrin e kanë sinjalizuar: çoje në Shkdoër se po sillet rreziku që të ta arrestojnë gruan. Në një moment të tillë jemi larguar nga Tirana. Pjetri më pruri në Shkodër dhe unë kam qëndruar pa dalë nën parullën se "gruaja është shumë sëmurë". Kam ndenjur në shtëpinë e kunatës. Kjo ka qenë në vitin '75, mos gabofsha. Atëherë doli parulla të shkosh ku ka nevojë atdheu. Pjetrin e çuan në Elbasan, në Vlorë. Keni parë ju lab shkodran? Fatmirësisht kanë qenë edhe njerëz të mirë ata që e kanë prurë Pjetrin në Shkodër.
Ju ka ndodhur ndonjëherë që të jeni në gjyqe kundër grave të huaja?
Po, më kanë bërë një sugjerim të tillë që unë të marr pjesë në një gjyq, por me kusht që im shoq të mos e merrte vesh. Unë i thashë nuk bëj asnjë hap pa marrë mendimin e bashkëshortit. Bëhej fjalë për një gjyq të bashkatdhetarëve të mi. Me këtë "sugjerim" po më bëhej e ditur që nëse s'isha me ta, atëherë isha kundër tyre. E panë që s'u eci.
Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit, më pas kemi ardhur në Shkodër. Edhe vetë kam qenë e ndrojtur, bile njerëzit në atë kohë, ata që kisha miq të mirë, kur i shihja në rrugë, kaloja në anën tjetër. Një ditë një nga këta miq, kur e pa që kalova në krah tjetër, më doli përpara, hapi krahët dhe më tha: s'ke nga shkon. Çfarë ke pse s'do të takohesh me ne, pse na ndërron rrugën. Mua më shpëtuan lotët (loton) dhe i thashë. Unë do t'u ndërroj rrugën atyre njerëzve që i dua më fort. Mos t'ju marr më qafë bashkëme veten time.
Si ndikoi kjo në mënyrën tuaj të të jetuarit, në mënyrën e të veshurit, e të mbajturit të vetes tuaj?
Për këtë unë mund t'ju kallëzoj diçka. Këtu në Shkodër nuk ka pasur makina në atë kohë. Unë kisha një biçikletë të vogël "Mifa" dhe punoja në administratë si ekonomiste. Kur kthehesha nga puna, duhej të kaloja pranë Komitetit të Partisë ku dukej vetëm makina që vinte të merrte sekretarin e parë. Më duket se Graham Green e ka shkruar "Njeriun e padukshëm" dhe unë gjithmonë thosha: ah, sikur të kisha një kapele si ajo që të mos dukesha. Mundohesha ose të merrja kthesën diku, ose të ndaloja hapin për të mos rënë në sy. E sigurisht dhe moshën e kisha që si femër mund të bija në sy, pa të keq, si çdo grua e re, me një veshje, me një prezencë. Kurse unë doja të kundërtën: të kisha kapelen që të bënte të padukshme.
Ju keni ndonjë përkufizim se ç'ishte ky regjim, ç'ishte Enver Hoxha?
Mua më duket se ishte një maniak, në duar të një maniaku kishim mbetur, asnjë send tjetër.
Kur u hapën kufijtë, kur rimorët pasaportën nuk e patë të arsyeshme të ktheheshit në atdhe, ndërkaq Pjetër Gaci kishte ndërruar jetë?
Nuk e pashë të arsyeshme, sepse këtu kam njerëzit që i dua dhe më duan. Unë përjetoj fatet e kësaj toke, e këtij vendi. Këtu është varri i bashkëshortit tim, është djali im, kam goditur atë varr që të kem vend dhe për veten. Ja, kjo është. Jeta ka kaluar. Unë tashti jam shtatëdhjetë e një vjeçe. Kështu që është vonë.
Kam vetëm një peng: që Pjetër Gaci e ndërroi jetën në fukarallëk. Vitet e tranzicionit ishin shumë të vështira.
Edhe pse në këtë dhomë shohim shumë trofe të tij.
Ashtu është. Me pensionin tim kam kursyer që t'i bëj Pjetër Gacit një varr që mos të shkelet nga këmba e kalimtarit. Sot e kësaj dite veprat e tij ekzekutohet gjithkund, jashtë e brenda vendit, por pesë lekë nuk i ka gëzuar nga e autorit. Të drejtën e autorit e kemi të depozituar, e ka bërë ai vetë, me vendim të përbashkët familjar, ia trashëgojmë djalit tonë. Por siç iu thashë nga pensioni kam kursyer aq sa të bëj përmendoren e tij.